[email protected]
Pretendim i pasaktë se Franca e vlerëson si provokim vendimin e BQK-së për dinarin serb
shape
shape
shape

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar me datë 3 shkurt një video-material në Facebook, në mbishkrimin e së cilës, ka vendosur “Franca sulmon Albin Kurtin/ Heqja e Dinarit, një provokim”.

Hibrid.info ka verifikuar se video-materiali është raportim i komunikatës së shtetit francez mbi vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që parasheh përdorimin e vetëm një valute (euro) për pagesa në vend.

Në bazë të hulumtimit nga hibrid.info, është vërtetuar se në komunikatë nuk është përdorur fjala “provokim” apo diçka e tillë e ngjashme.


Vegëza e video-materialit të publikuar nga portali “ntv.al” në Facebook:

https://www.facebook.com/watch/?v=413661851088574


Me anë të makinave të kërkimit është gjetur komunikata zyrtare e Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, të cilës i është referuar portali “ntv.al” në raportimin e më sipërm (shih këtu).

Komunikata zyrtare e Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, e përkthyer në shqip:

“Franca është e shqetësuar nga hyrja në fuqi e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimin e të gjitha transaksioneve me para të gatshme në vend në euro, duke filluar nga 1 shkurt 2024.

Ky vendim, i cili u vendos në mënyrë të nxituar dhe të jo të bashkërenduar, do të ndikojë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, i cili është shumë i varur nga pagesat nga Serbia të bëra në dinarë serbë.

Duke pasur parasysh mungesën e zgjidhjeve alternative në këtë kohë, Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase, në mënyrë që të mundësohet një periudhë e mjaftueshme tranzicioni. U bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të gjejnë një zgjidhje përmes negociatave në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”


Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se në komunikatën në fjalë, në asnjërin nga paragrafët, nuk është përdorur specifikisht fjala “provokim”.

Për ta bërë edhe më të qartë, hibrid.info ka kërkuar për kuptimin e gjerë të fjalës “provokim”, në mënyrë që të kuptohet nëse në komunikatën e shtetit francez, ka deklarime që lënë të nënkuptojnë se vendimi i BQK-së, është cilësuar si provokim.

Në faqet e dy prej universiteteve angleze, të dedikuara për fjalorin e gjuhës angleze, tregohet se fjala “provokim”, nënkupton një veprim apo deklaratë, që bëhet qëllimisht për të inatosur dikë (shih këtu dhe këtu). Hibrid.info ka gjetur se në këtë komunikatë, Parisi zyrtar nuk ka vlerësuar se vendimi i BQK-së, është në funksion të nxitjes së ndonjë reagimi, që do të vlerësohej si i provokuar.


Analiza:

Pretendimi se Franca e ka gjykuar si provokim vendimin e marrë nga BQK-ja, që parasheh përdorimin e vetëm të valutës euro për pagesa në vend, nuk është i saktë.

Hibrid.info ka vërtetuar se në komunikatën për media për këtë çështje, shteti francez e ka cilësuar vendimin e BQK-së si të nxituar dhe jo të bashkërenduar, që mund të ndikojë në jetën e serbëve në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others