Të fundit | Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presi… Të fundit | Hibrid.info në shënjestër të fushatës dezinformuese ruse “Matryoshka” me na… Të fundit | Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xham… Të fundit | Paraqiten si fakte të kryera ndarja e shtesave për fëmijë dhe pensionistë Të fundit | Foda s’ka deklaruar se publikimi i formacionit të Turqisë nga gazetarët ndi… Të fundit | “Information Laundering”: Si transformohet dezinformimi në “fakt” në epokën… Të fundit | Ramush Haradinaj nuk deklaroi se diaspora e do Kosovën më pak Të fundit | Raportohet pasaktë për vdekjen e Khameneit, i atribuohet një llogarie gjoja… Të fundit | Pretendim i rremë se presidenti kroat Millanoviq ka lavdëruar Kurtin Të fundit | Bajrami nuk ka thënë “më mirë të ishim nën qeverisjen e Vuçiqit”
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Lajme të rreme për njohje të Kosovës nga Siria dhe Greqia, përmbajtje të paverifikuar dhe clickbait lidhur me konstituimin e Qeverisë

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Lajmet e rreme kanë qenë kategoria dominuese e keqinformimit gjatë monitorimit të mediave dhe platformave sociale në javën e kaluar.

Gjatë javës së kaluar, lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në platformat TikTok dhe Facebook, me përmbajtje që lidhen me pretendime të rreme për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ndikimin e Serbisë në politikën e brendshme kosovare. Më 12 prill, në TikTok nga llogaria “ballkankosova.net2” është publikuar një fotografi ku shfaqen presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti sirian Ahmed al Sharaa, me pretendimin se Siria ka njohur Kosovën si shtet – një informacion që nuk mbështetet nga asnjë vendim zyrtar. Po e njëjta llogari, më 30 mars, ka publikuar një tjetër imazh ku shihen Osmani dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke pretenduar rrejshëm se edhe Greqia ka njohur Kosovën. Ndërkohë, më 16 prill në Facebook, faqja “Kosova Channel” ka publikuar një imazh me portretet e liderëve të opozitës në Kosovë dhe në qendër presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke pretenduar se ai ka deklaruar: “Qeverinë do e formojmë ne, Lista Serbe bashkë me opozitën” – një deklaratë e pa verifikuar nga asnjë burim zyrtar. Në të gjitha rastet, Hibrid.info ka vërtetuar se këto përmbajtje janë të rreme.

Përmbajtjet e paverifikuara të publikuara javën e kaluar janë shpërndarë kryesisht në Facebook dhe nga media online që nuk kanë konfirmuar saktësinë e informacionit të paraqitur. Më 14 prill, faqja “MediaNews.al” ka publikuar një video që shfaq pamjet e brendshme të një veture nga e cila rrjedh ujë nga tavani, me përshkrimin se “shqiptari ankohet për makinën që i ka ardhur nga Korea”. Pas verifikimit nga Hibrid.info, u konstatua se videoja nuk ka lidhje me ndonjë rast në Kosovë apo Shqipëri, por është publikuar më herët nga një faqe azere dhe lidhet me një veturë të prodhuar nga kompania kineze “Jetour”. Një tjetër rast është ai i një fotografie të publikuar më 19 prill nga portali “gazetademos.com”, ku pretendohet se tregon një letër dorëheqjeje të Albin Kurtit, si kryeministër në detyrë, drejtuar deputetit Avni Dehari. Verifikimi nga Hibrid.info tregoi se nuk bëhet fjalë për një dokument zyrtar, por për një model ilustrues i shpërndarë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), që synon të shpjegojë se si mund të duket një letër dorëheqjeje në raste hipotetike.

Deklaratat e pavërteta që qarkulluan javën e kaluar përfshijnë komente nga figura të njohura politike që u kundërshtuan ose u demantuan nga faktet dhe burimet zyrtare. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në një intervistë për gazetën “Komersant”, krahasoi pavarësinë e Kosovës me aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta dhe e cilësoi refuzimin e referendumit në Krime si një formë paragjykimi etnik ndaj sllavëve. Megjithatë, ky krahasim është i pabazë: ndërsa Kosova shpalli pavarësinë pas një procesi të gjatë nën administrimin ndërkombëtar dhe me mbështetjen e një pjese të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, Krimea u aneksua me forcë nga Rusia në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe pa legjitimitet të gjerë. Një tjetër deklaratë e pavërtetë u dha nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili në një intervistë për TRT Balkan më 15 prill deklaroi se Bullgaria do t’i bashkëngjitet aleancës ushtarake Shqipëri – Kosovë – Kroaci. Kjo deklaratë u mohua menjëherë nga autoritetet bullgare, të cilat nuk kanë konfirmuar asnjë angazhim të tillë.

Shembujt e fundit të titujve clickbait janë shfaqur kryesisht në portale online që kanë përdorur tituj të ekzagjeruar ose të rremë për të tërhequr vëmendjen, ndërsa përmbajtja nuk përkon me atë që premton titulli. Më 17 prill, portali “mediafokus.net” publikoi një artikull me titullin “Buka – 80 cent, ndjek shtrenjtimin e energjisë elektrike”, duke krijuar përshtypjen se çmimi i bukës tashmë është rritur në 80 cent. Megjithatë, përmbajtja e artikullit tregon se bëhet fjalë vetëm për një paralajmërim të mundshëm nga një individ dhe jo për ndonjë vendim zyrtar. Po ashtu, më 19 prill, portale si “KosovaPost.net” dhe “IndeksOnline.net” publikuan artikuj me titullin “Fatmir Limaj deklarohet nëse ka koalicion mes Vetëvendosjes dhe NISMA-s”. Pas verifikimit të fakteve nga Hibrid.info, u konstatua se titulli nuk përputhet me përmbajtjen, pasi Limaj nuk dha asnjë përgjigje për pyetjen lidhur me një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, çka e bën titullin të pasaktë.

Këtë javë janë shpërndarë SMS mashtruese që pretendojnë të jenë nga Posta e Kosovës, duke kërkuar përditësimin e të dhënave për një pako të mbetur. Mesazhet vijnë nga numra me prefikse të huaja (+31, +44) dhe çojnë në faqe të rreme që keqpërdorin logon e Postës. Posta e Kosovës ka mohuar lidhjen me këto mesazhe dhe ka paralajmëruar qytetarët të mos klikojnë në vegëzat e dërguara. Hibrid.info përmes platformës online Scamdoc.com ka vërtetuar se këto ueb-faqe janë të dyshimta.

Lajm i rremë

Është publikuar një fotografi ku shihen Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës dhe Ahmed al Sharaa, president i Sirisë, me mbishkrimin që pretendon se ky shtet ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ky imazh me këtë pretendim është publikuar (12 prill) në TikTok nga një llogari me emrin, “ballkankosova.net2”. Hibrid.info ka gjetur se nuk vendim zyrtar nga Siria për njohjen e Kosovës si shtet. (këtu)

Është publikuar një fotografi ku shihen Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës dhe Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë, me mbishkrimin që pretendon se ky shtet ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ky imazh me këtë pretendim është publikuar (30 mars) në TikTok nga një llogari me emrin, “ballkankosova.net2”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka njoftim zyrtar që konfirmon se Greqia ka njohur Kosovën si shtet. (këtu)

Është publikuar një fotografi ku shfaqen veçmas portretet e liderëve të partive politike që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë (PDK, LDK dhe AAK) në Kosovë, ndërsa në qendër të imazhit ndodhet ai i presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në përmbajtjen e publikuar (16 prill) nga faqja “Kosova Channel” në Facebook, është vendosur mbishkrimi që pretendon se presidenti serb ka deklaruar, “Qeverinë do e formojmë ne, Lista Serbe bashkë me opozitën”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim apo fakt që Vuçiq të ketë deklaruar publikisht atë që pretendohet. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Është publikuar një video që tregon pamjet e brendshme të një veture, ku shihet ujë duke rrjedhur nga tavani i saj. “Shqiptari ankohet për makinën që i ka ardhur nga Korea”, thuhet në përshkrimin e kësaj videoje. Përmbajtja u publikua dje 14 prill në Facebook nga faqja “MediaNews.al”. Pas një hulumtimi të kryer nga hibrid.info, u konstatua se kjo përmbajtje ka qarkulluar në internet që nga muaji mars i këtij viti, e publikuar nga një faqe azere, dhe bazuar në mbishkrimin e saj bëhet fjalë një veturë të prodhuar nga kompania kineze “Jetour”. (këtu)

Publikohet një fotografi, për të cilën pretendohet se shfaq letrën e dorëheqjes së Albin Kurtit, nga pozita e kryeministrit në detyrë, të cilën ai i ka dërguar Avni Deharit, deputetit kryesues të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kjo përmbajtje është publikuar sot (19 prill) nga mediumi online, “gazetademos.com”. Hibrid.info gjeti se nuk bëhet fjalë për një letër dorëheqjeje nga kryeministri Kurti, por për një model ilustrues i shpërndarë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ku tregohet se si mund të dukej një dorëheqje formale e një ministri në detyrë apo e kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës. (këtu)

Deklaratë e pavërtetë

Sergej Lavrov, në një intervistë për Komersant, krahasoi pavarësinë e Kosovës me aneksimin e Krimesë, duke akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta. Ai e cilësoi refuzimin e referendumit në Krime si paragjykim etnik ndaj sllavëve dhe një qasje raciste nga ana e Perëndimit. Faktet tregojnë se krahasimi i Kosovës me Krimenë është i pabazë, pasi Kosova shpalli pavarësinë nën administratën ndërkombëtare, ndërsa Krimea u aneksua me forcë nga Rusia duke shkelur traktatet ndërkombëtare dhe pa mbështetje të gjerë ligjore. (këtu)

Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes ka paralajmëruar se Bullgaria do t’i bashkëngjitet aleancës ushtarake, Shqipëri – Kosovë – Kroaci, e nënshkruar javë më parë. Maqedonci e tha këtë në një intervistë ekskluzive, të publikuar dje (15 prill) për TRT Balkan në Forumin e Diplomacisë në Antalya. Ky pretendim u mohua më pas nga shteti bullgar. (këtu)

Clickbait

Është publikuar një artikull i titulluar, “Buka – 80 cent, ndjek shtrenjtimin e energjisë elektrike”. Përmbajtja është publikuar sot (17 prill) nga një medium me emrin, “mediafokus.net”. Në këtë titull çmimi i bukës, 80 cent, është paraqitur si fakt i kryer, ndërkohë që përmbajtja e tij tregon se kemi të bëjmë vetëm me një paralajmërim të mundshëm nga një individ dhe jo me një vendim zyrtar. (këtu)

“Fatmir Limaj deklarohet nëse ka koalicion mes Vetëvendosjes dhe NISMA-s” mban titullin një artikull i publikuar (19 prill). Artikulli me këtë titull u publikua sot nga portalet informative si “KosovaPost.net” dhe “IndeksOnline.net”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli nuk i përgjigjet përmbajtjes. Në përmbajtje të këtyre artikujve sqarohet se Limaj nuk iu përgjigj gazetarëve nëse ka koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). (këtu)

Mashtrim

Disa qytetarë të Kosovës kanë pranuar SMS mashtruese që pretendojnë të jenë nga Posta e Kosovës, duke kërkuar përditësimin e të dhënave për një pako të mbetur për shkak të adresës së paplotë. Posta e Kosovës ka reaguar duke paralajmëruar qytetarët të mos klikojnë në vegëzat e dërguara, pasi këto mesazhe nuk vijnë nga ta. Numrat e dërguesve kanë prefikse të huaja, si +31 (Holandë) dhe +44 (Mbretëri e Bashkuar). Hibrid.info ka vërtetuar se vegëzat çojnë në faqe të rreme që keqpërdorin logon e Postës së Kosovës, por jo domain-in zyrtar. Ueb-faqja është vlerësuar si e dyshimtë nga platforma për verifikim të ueb-faqeve “Scamdoc.com”. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere