[email protected]
Rishikimi i javës: Mashtrime dhe lajme të rreme për sondazhe elektorale, dezinformata për investime nga Kuvajti
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Përmbajtjet mashtruese janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në media sociale (Facebook dhe TikTok) dhe SMS në telefon. Në TikTok u publikua pretendimi i rremë për sondazh për zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë në vitin 2025, ndërsa në Facebook pretendime për punësim shofer kamioni pa licencën CDL (Commercial Driver’s License), si dhe për rritje të shtesa të pensioneve. Një mesazh elektronik (SMS) me vegëz të dyshimtë iu është dërguar qytetarëve në WhatsApp, i cili është në gjuhën shqipe dhe pretendon të jetë nga Facebook/META.

Dezinformatat u publikuan në media sociale ndërlidhur me pretendimet se Kuvajti do t’i investojë afro 1 miliardë euro në Kosovë, të cilat do të investohen në spitale të reja, stadium të ri në Prishtinë si dhe autostrada; pretendimi për konfiskimin e 24 pronave dhe 11 objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale dhe të financuara nga Serbia, në Kosovë; pretendimi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të vizitojë Shqipërinë dhe Serbinë, me qëllim ndarjen e pjesës veriore të Kosovës.

Dezinformatë/Clickbait janë vlerësuar video-materialet me mbishkrimin “Serbia njeh Kosovën/ Ja lajmi I madh”, dhe ai me pretendimin se 800 ushtarë hyjnë në Kosovë, e që përmbajtjet nuk korrespondojnë me titujt dhe pretendimet e mësipërme.

Përmbajtje e pa verifikuar është vlerësuar raportimi për një çift të moshuar serb, të sulmuar të dielën mbrëma në shtëpinë e tyre në Graçanicë, nga një sulmues i maskuar që nuk dihet nacionaliteti i tij; dhe përmes një video-materiali ku shihet një karrocë fëmijësh e përmbysur në rrugë, u raportua se ka ndodhur një aksident ku është goditur karroca me fëmijë, por që rezultoi se bëhej fjalë për rrahje mes disa personave.

Teori konspirative është vlerësuar postimi në Telegram në gjuhën serbe me pretendimin se shqiptarët nga Mitrovica e Jugut janë dërguar në Mitrovicën e Veriut për të pretenduar se serbët e veriut po i frekuentojnë bizneset me pronarë shqiptarë në atë pjesë.

Gabim është vlerësuar publikimi i një imazhi që ka mbishkrimin “Kosova pritet t’i përfitojë rreth 880 milionë euro nga Këshilli i Evropës” (KiE), e që në fakt bëhej fjalë për Komisionin Evropian (KE).

Lajm i rremë u vlerësua publikimi në TikTok i një sondazhi të rremë për zgjedhjet parlamentare 2025 me pretendimin se ai është realizuar nga kompania UBO Consulting.

Dezinformatë

Përmes një postimi në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota”, pretendohet se Kuvajti do t’i investojë afro 1 miliardë euro në Kosovë, të cilat do të investohen në spitale të reja, stadium të ri në Prishtinë si dhe autostrada. Fotografia në këtë postim paraqet kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Princin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Sabah. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. Kjo për faktin se në takimin që kryeministri Kurti pati me Princin e Kuvajtit, nuk përmendet në asnjë rast se ky shtet pritet të investojë afro 1 miliard euro. (këtu)

“Policia e Kosovës i konfiskon 24 prona dhe 11 objekte në Prishtinë, Graçanicë dhe Novobërdë të cilat ishin ndërtuar dhe duke punuar në mënyrë ilegale, gjenden dhe dokumente ku shkruan se ishin të financuara nga serbia”. Ky është mbishkrimi i një imazhi të publikuar nga faqja “Lajme Nga Bota” në Facebook. Pretendimi për konfiskimin e 24 pronave dhe 11 objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale dhe të financuara nga Serbia, në Kosovë, është i pa saktë. Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për prona të sekuestruara (ndalim i përkohshëm) dhe jo të konfiskuara, për të cilat, po ashtu nuk konfirmohet se janë të financuara nga Serbia. (këtu)

Është publikuar një imazh, me mbishkrimin që pretendon se Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Turqisë, do ta vizitojë Tiranën dhe Beogradin, me qëllim tentative që t’i dhurojë veriun e Kosovës, Serbisë. Pretendimi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të vizitojë Shqipërinë dhe Serbinë, me qëllim ndarjen e pjesës veriore të Kosovës, është i pa faktuar. Vizita e mundshme e presidentit turk në këto dy shtete, ende nuk është e konfirmuar, ndërsa në deklaratat publike, Erdogan ka shprehur mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Gjithashtu, Turqia është ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. (këtu)

Mashtrim

Në TikTok është publikuar një imazh që është pretenduar të paraqitet si sondazh për zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë në vitin 2025. Llogaria “mentor.g.me” ka publikuar imazhin duke ia shtuar mbishkrimin “zgjedhjet 2025”. Megjithatë, hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për imazh nga një Exit-Poll për zgjedhjet lokale në Ferizaj në vitin 2017. (këtu)

Publikohet një përmbajtje në gjuhën shqipe ku pretendohet se kërkohet për punësim shofer kamioni pa licencën CDL (Commercial Driver’s License). Ky pretendim është shpërndarë (30 shtator) më anë të një postimi të sponsorizuar në Facebook, nga një faqe me emrin “Life guide”. Hibrid.info ka gjetur se mungojnë të dhënat bazike rreth institucionit apo biznesit që ka hapur shpalljen e pretenduar. Për konkursin është njoftuar me anë të një imazhi të publikuar në Facebook, të cilit i është integruar një vegëz që shfaqet pas klikimit në imazh. (këtu)

Në median sociale Facebook po shpërndahen përmbajtje në gjuhën shqipe që pretendojnë për rritje e shtesa të pensioneve. Këto përmbajtje janë gjetur të publikuara më 4 dhe 11 shtator nga faqet në Facebook “Worry-free life” dhe “Fund Services”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk është paraparë të ketë rritje të pensioneve për këtë vit. (këtu)

Një mesazh elektronik (SMS) iu është dërguar qytetarëve në WhatsApp, i cili është në gjuhën shqipe dhe pretendon të jetë nga Facebook/META. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se i njëjti nuk është dërguar nga Facebook dhe përmban një vegëz (link) të dyshimtë. Gjithashtu, numri që ka dërguar këtë SMS ka prefiksin e Vietnamit. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Është publikuar një video-material me mbishkrimin “Serbia njeh Kosovën/ Ja lajmi I madh”. Kjo përmbajtje është publikuar (30 shtator) në kanalin zyrtar të “NTV Televizion” në Youtube, kanal ky që publikon përmbajtje në gjuhën shqipe. Hibrid.info ka gjetur se informacionet e shfaqura në video, nuk pasqyrojnë pretendimin në titull. (këtu)

Përmes një video-materiali pretendohet se 800 ushtarë hyjnë në Kosovë. Pas verifikimi të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Pasi të klikohet në video, sqarohet se bëhet fjalë për një deklaratë të bërë nga deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci. Bajqinovci, i ftuar në një emision në Klan Kosova tha se ka rrezik të përsëritet një sulm terrorist sikur ai i Banjskës, duke shtuar se janë rreth 600 apo 800 ushtarë në pritje për një vendim për të hyrë në Kosovë. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Një çift i moshuar serb është raportuar se është sulmuar të dielën mbrëma në shtëpinë e tyre në Graçanicë. Çifti ka deklaruar te organet e rendit se një person i dyshuar ka hyrë në shtëpinë e tyre dhe i ka sulmuar fizikisht, por që i njëjti ka qenë i maskuar, dhe në asnjë prononcim për media nuk e kanë përmendur nacionalitetin e sulmuesit. (këtu)

Përmes një video-materiali ku shihet një karrocë fëmijësh e përmbysur në rrugë, u raportua se ka ndodhur një aksident ku është goditur karroca me fëmijë. Në një përgjigje për “Zëri.info” nga Policia e Kosovës u demantua një pretendim i tillë. Sipas policisë nuk bëhet fjalë për aksident, por për rrahje mes disa personave. (këtu)

Teori konspirative

Publikohet një video-material që shfaq pamje nga Mitrovica e Veriut, ku shihen disa qytetarë pranë disa bizneseve me pronarë shqiptarë, të hapura së fundmi në atë pjesë. Pretendimi se shqiptarët nga Mitrovica e Jugut janë dërguar në Mitrovicën e Veriut për të pretenduar se serbët e veriut po i frekuentojnë bizneset me pronarë shqiptarë në atë pjesë, është i pa konfirmuar. Hibrid.info ka gjetur se videos, me anë të së cilës është ndarë pretendimi, i mungon audioja dhe ka kohëzgjatje të shkurtër të pamjeve të shfaqura, gjë e cila e bën të pamundur të kuptohet se cilës kombësi i takojnë, qytetarët që shfaqen aty. (këtu)

Gabim

Publikohet një imazh që ka mbishkrimin “Kosova pritet t’i përfitojë rreth 880 milionë euro nga Këshilli i Evropës”. Kjo përmbajtje është publikuar më 30 shtator nga faqja e portalit në gjuhën shqipe, “Indeksonline.net”, në Facebook.  Hibrid.info ka gjetur se shuma që pritet të përfitojë Kosova, vjen nga Komisioni Evropian (KE), e jo nga Këshilli i Evropës (KiE). (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria me emrin “gazetaditore” në TikTok ka publikuar sondazh të rremë për zgjedhjet parlamentare 2025 me pretendimin se ai është realizuar nga kompania UBO Consulting. Në këtë postim shfaqet edhe një sondazh në të cilën paraqiten akronimet e disa subjekteve politike në Kosovë, si dhe logoja e kompanisë UBO Consulting, me pretendimini se sondazhi u krye nga kjo kompani. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se një sondazh i tillë nuk gjendet i publikuar në ueb-faqen zyrtare as në faqen në Facebook të kompanisë UBO Consulting. (këtu)

Share With Others

Translate »