Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Përhapja e sondazheve të rreme në rrjete sociale dhe teori konspirative nga zyrtarë serbë dhe rrjeti propagandistik rus lidhur me zgjedhjet lokale

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Monitorimi i javës së fundit (6–12 tetor 2025) ka treguar se hapësira keqinformuese dhe rrjetet sociale janë dominuar nga lajme të rreme.

Lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në TikTok dhe Facebook, ku janë shpërndarë grafikë dhe postime që pretendojnë të paraqesin rezultate sondazhesh të rreme për garat lokale në disa komuna të Kosovës. Midis 2 dhe 5 tetorit, faqet “Lajme Flash”, “gilan2026” dhe “Deçani+” publikuan pretendime të pabazuara për Prishtinën, Gjilanin dhe Deçanin. Më 6 tetor, agjencia “EkonomiaOnline.com” dhe faqja “NewsKs” shpërndanë një tjetër sondazh të rremë për Deçanin. Në 7–8 tetor, faqet “Gazetaria” dhe “Lajme Flash” si dhe video në TikTok publikuan grafikë të rreme për Pejën, Vitinë dhe Prishtinën. Nga 8 deri më 11 tetor, disa faqe anonime shpërndanë sondazhe të paautorizuara për Prizrenin, Suharekën, Obiliqin dhe Lipjanin, ndërsa më 12 tetor u publikuan edhe “exit poll-e” të rreme nga faqja “Suhareka Aktuale” dhe profili “Murat Maci”, si dhe një postim nga faqja “Zgjedhjet” që pretendonte të tregonte mbështetjen kombëtare për partitë politike. Në të gjitha rastet mungojnë burimet, metodologjia dhe institucionet matëse, duke i bërë këto publikime shembuj tipikë të dezinformatave zgjedhore në rrjete sociale.

Postimi nga llogaria “Murat Maci” është vlerësuar si lajm i rremë / mashtrim, pasi paraqitej sikur portali “KlanKosova.tv” kishte publikuar një artikull me titullin “Klan Kosova: Fatmir Sheholli jemi me ty, mbahu i fortë. Drejtësi për Fatmir Shehollin!”, pas arrestimit të Shehollit nga Policia e Kosovës nën dyshimet për spiunazh. Verifikimi i fakteve ka treguar se një artikull i tillë nuk ekziston në faqen e “Klan Kosovës”, ndërsa vetë mediumi ka reaguar publikisht duke e cilësuar postimin si të rremë dhe të manipuluar.

Teoritë konspirative të identifikuara gjatë javës u publikuan në RTV Dukagjini, në portale propagandistike ruse dhe përmes deklaratave të zyrtarëve serbë. Në emisionin “Rreth e Rrotull” më 6 tetor, konspiracionisti Arianit Sllamniku pretendoi se pas zgjedhjeve të 12 tetorit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të urdhërojë futjen e ushtrisë serbe në Kosovë, pa asnjë fakt apo burim të verifikueshëm. Po atë javë, faqja propagandistike “albania.news-pravda.com” publikoi një artikull me narrativa pro-serbe që akuzonin institucionet e Kosovës për “presion politik ndaj serbëve”. Më 8 tetor, pas pranimit të dronëve turq “Skydagger” nga FSK, reagimet e Petar Petkoviqit për “kërcënim ndaj serbëve” u vlerësuan si teori konspirative, pasi nuk mbështeteshin në asnjë fakt të pavarur. Në të njëjtën linjë, Petkoviq reagoi edhe ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, duke e quajtur atë dhe kryeministrin Albin Kurti “sinonim të vjedhjes së zgjedhjeve” — një pretendim i pabazë që përforcon narrativat konspirative të Beogradit për ndërhyrje politike në Kosovë.

Lajm i rremë

Gjatë datave 2–5 tetor janë identifikuar tri raste sondazhesh të rreme në TikTok dhe Facebook për Prishtinën, Gjilanin dhe Deçanin. Faqja “Lajme Flash” pretendoi se Uran Ismaili kryeson në Prishtinë me 28%, llogaria në Tiktok, “gilan2026” se Alban Hyseni prin në Gjilan me 52%, ndërsa “Deçani+” publikoi shifra të supozuara për balotazh mes Bashkim Ramosajt dhe Shkumbin Demaliajt. Asnjë prej këtyre publikimeve nuk ofron burim, metodologji apo kompani matëse, dhe kërkimet online nuk gjetën asnjë sondazh të besueshëm — duke dëshmuar se bëhet fjalë për raste të qarta dezinformimi zgjedhor. (këtu)

Agjencia e lajmeve “EkonomiaOnline.com” ka publikuar të hënën, më 6 tetor 2025, një artikull me pretendimin për një sondazh lidhur me zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan, duke iu referuar një publikimi në faqen në Facebook “NewsKs”. Mirëpo i njëjti rezulton të jetë i pabazë sipas fakteve. Faqja “NewsKs” nuk jep asnjë informacion mbi autorin, institucionin apo metodologjinë e sondazhit, prandaj nuk mund të konsiderohet një burim i besueshëm informativ. Gjithashtu, kërkimi i kryer nga Hibrid.info në “Google” me fjalët kyçe “Sondazh për zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan” nuk ka nxjerrë asnjë publikim nga media apo burime të kredibilitetit të verifikuar, që rrjedhimisht konstatohet se pretendimi për ekzistencën e këtij sondazhi është i pabazë. (këtu)

Më 7–8 tetor, hibrid.info identifikoi disa grafikë të rremë në rrjete sociale që pretendonin të paraqisnin sondazhe për Pejën, Vitinë dhe Prishtinën. Në TikTok, një video me mbishkrimin “Përmbyset gjithçka në Pejë” tregonte përqindje partish pa asnjë burim. Faqja “Gazetaria” në Facebook publikoi një “sondazh” për Vitinë, duke përmendur një “kompani prestigjioze”, por pa prova, ndërsa faqja kishte qenë joaktive prej muajsh dhe lidhja e saj çonte në faqe për të rritur. Ndërsa “Lajme Flash” pretendoi se Uran Ismaili printe në Prishtinë me 37%, pa asnjë sondazh real që ta mbështesë këtë. Pas një hulumtimi të kryer nga hibrid.info, u konstatua se nuk ekziston asnjë sondazh publik së fundmi që mat mbështetjen për kandidatët për kryetar të Prishtinës. (këtu)

Gjashtë publikime, nga 8 tetori e deri më 11 tetor, nga faqe të ndryshme pretendojnë të paraqesin sondazhe për garën e kryetarit në zgjedhjet lokale në Prizren, Suharekë, Obiliq e Lipjan. Pas verifikimit nga hibrid.info del se ato nuk janë bazuar në burime kredibile. Disa prej tyre kanë përmendur edhe se kinse janë realizuar nga organizata a institute të ndryshme që pas kërkimit del se nuk janë zyrtarisht të regjistruara si biznese apo organizata joqeveritare në Kosovë. (këtu)

Të dielën, më 12 tetor, në rrjetin social Facebook janë publikuar dy postime të rreme, të cilat pretendojnë të paraqesin rezultate të Exit Poll-eve për garën për kryetar të komunave Suharekë dhe Lipjan. Një prej postimeve, i publikuar rreth orës 17:25 nga faqja “Suhareka Aktuale”, përmban një grafikë që pretendon të tregojë rezultatet e një Exit Poll-i, ku në krye paraqitet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ardian Shala. Pas verifikimit të fakteve, Hibrid.info ka konstatuar se ky Exit Poll nuk është kredibil, pasi mungojnë informacione mbi institucionin që e ka realizuar, metodologjinë e përdorur dhe kohën e zhvillimit të matjes. (këtu)

Të dielën, më 12 tetor 2025, profili në Facebook “Murat Maci” ka publikuar tri të ashtuquajtura sondazhe për garat lokale në Prizren, Gjakovë dhe Mitrovicë. Postimet paraqiten në formë grafike dhe me analiza të shkruara, por nuk përmbajnë asnjë të dhënë mbi metodologjinë e përdorur, periudhën e realizimit apo numrin e të anketuarve – elemente thelbësore për ta bërë një sondazh të besueshëm. Kërkimi në internet nuk ka sjellë asnjë rezultat nga ndonjë media apo institucion hulumtues që i mbështet këto të dhëna, duke ngritur dyshime serioze për vërtetësinë e tyre. (këtu)

Publikohet një fotografi që paraqet mbështetjen qytetare për subjektet politike në Kosovë me mbishkrimin që pretendon se paraqet matje në nivelin kombëtar. Kjo përmbajtje është publikuar sot (12 tetor) nga një faqe në Facebook me emrin “Zgjedhjet”. Hibrid.info gjeti se sondazhi nuk është i besueshëm. (këtu)

Lajm i rremë / Mashtrim

Llogaria “Murat Maci” në Facebook ka publikuar të enjten (9 tetor) një postim në të cilën shfaqen pamjet e portalit “KlanKosova.tv”, ku në fotografi shihet portreti i Fatmir Shehollit, i arrestuar sot (9 tetor) nga Policia e Kosovës, nën dyshimet për spinuazh. Në këtë postim nga llogaria e lartcekur, shfaqet edhe një titull “Klan Kosova : Famir Sheholli jemi me ty,mbahu i fortë. Drejtesi për Fatmir Shehollin!”. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se një artikull me titull të tillë nuk është publikuar nga mediumi online “KlanKosova.tv”. Po ashtu, ky medium ka reaguar ndaj këtij postimi duke e quajtur “të rremë dhe manipuluar”. (këtu)

Teori konspirative

Në emisionin “Rreth e Rrotull” të transmetuar më 6 tetor në RTV Dukagjini, i ftuar ishte konspiracionisti Arianit Sllamniku, i cili pretendoi se pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, do të urdhërojë futjen e ushtrisë serbe në Kosovë. Megjithatë, gjatë gjithë diskutimit, Sllamniku nuk ofroi asnjë fakt apo burim të verifikueshëm që do ta mbështeste këtë pretendim, duke u bazuar vetëm në supozime dhe interpretime personale të ngjarjeve politike. Deklaratat e tij për formimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga Serbia, përbëjnë teori konspirative që nuk mbështeten në dëshmi konkrete apo në deklarata zyrtare. (këtu)

Domaini propagandistik rus “albania.news-pravda.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se autoritetet e Kosovës po ushtrojnë presion ndaj komunitetit serb përmes frikësimit dhe përjashtimit politik në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit. Teksti mbështetet në narrativa të njohura pro-serbe, duke e paraqitur Kosovën si shtet që shtyp dhe pengon përfaqësimin e serbëve në proceset politike. Në artikull mungojnë faktet dhe burimet e verifikueshme që do të mbështesnin pretendimet e parashtruara. Por mbështetet në narrativa të përsëritura dhe ndërlidhje të pabaza, të cilat synojnë të krijojnë përshtypjen e presionit ndaj komunitetit serb në Kosovë. (këtu)

Më 8 tetor, Forca e Sigurisë së Kosovës pranoi dronë luftarakë “Skydagger” nga Turqia, për cka kanë njoftuar nga Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti. Vjosa Osmani deklaroi se blerja e dronëve është pjesë e modernizimit të kapaciteteve mbrojtëse sipas standardeve të NATO-s dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Osmani iu referua presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e kritikoi Turqinë për armatimin e Kosovës dhe e akuzoi për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Si reagim ndaj saj, Petar Petković pretendoi se kjo armatosje nuk është për mbrojtje, por për të frikësuar dhe kërcënuar komunitetin serb. Ky reagim i Petkoviq nuk ofron asnjë fakt apo burim të pavarur që të mbështesë akuzat për “kërcënim” apo “agresion” nga ana e institucioneve të Kosovës, por mbetet brenda kornizës së narrativave të ndërtuara nga zyrtarët serb për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. (këtu)

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, reagoi ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke e quajtur atë dhe kryeministrin Albin Kurti “sinonim të vjedhjes së zgjedhjeve”. Por që, ndërlidhja që Petkoviq bëri me deklaratën e presidentes Osmani, si dhe përmendja e rastit të Xhem Hoxhës, nuk i japin asnjë kredibilitet pretendimit të tij. Rasti i Hoxhës është një veprim i izoluar individual, i trajtuar nga drejtësia kosovare, ndërsa interpretimi i tij nga Petkoviq mbetet në nivelin e një konspiracioni politik. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere