info@hibrid.info

Qëllimi

Qëllimi i platformës është kontributi në ofrimin e informacionit të saktë, të bazuar në fakte përmes analizës së kontrollimit të fakteve të paraqitur në media dhe publikime tjera, për të zbehur ndikimin e keqinformimit që vijnë si dezinformatë, teori konspirative, pseudo-shkencë, lajme të rrema, përmbajtje e pa verifikuar, clickbait dhe forma tjera.

Analiza e kontrollimit të fakteve bëhet bazuar në metodologjinë e platformës e cila është publike.

Përmes verifikimit rigoroz të informacionit në të gjitha llojet e mediave dhe kanaleve tjera të komunikimit, ne dëshirojmë që publikut t’i ofrojmë fakte të mjaftueshme që do të shërbejnë për të dalluar qartë burimet kreidbile dhe të besueshme nga ato të pabesueshme apo të dyshimta.

Ne dëshirojmë që hibrid.info të shërbejë si burim për vetë mediat, veçanërisht për gazetarët e rinj që janë në fillim të karrierës së tyre, por edhe për palët tjera siç mund të jetë hulumtuesit, shkencëtarët e rijnë, politikanët, diplomatët dhe profile tjera që ndërlidhen me hulumtim të informatave.

Çfarë bëjmë ne?

Zbulimin e lajmeve që përhapin dezinformatë, të agjendave propaganduese si dhe njoftimin e edukimin e opinionit rreth këtyre fenomeneve.

Hulumtim – ekipi profesional i hibrid.info gjatë gjithë kohës qëndron duke hulumtuar përmbajtje mediatike apo edhe të publikuesve tjerë që gjenden në hapësirën kibernetike. Te gjitha hulumtimet bëhen duke u bazuar në metodologjinë e platformës që është publike (vegëza e metodologjisë).

Vlerësimet dhe kategorizimi i tyre, bazuar në metodologjinë, kanë peshë të ndryshme: disa janë me më pak ndikim siç mund të jenë “clickbait”, “satira” apo edhe gabimi. Por ka edhe të atilla që marrin vlerësim më të keq, siç është “lajmi i rremë”, i cili mund të jetë një tregim tërësisht i trilluar apo i sajuar, pretendimet e të cilit mund të jenë të pa argumentueshme, por në të njëjtën kohë, publikuesi synon ta paraqes atë si të vërtetë. Në rastet e publikimit të artikujve të tillë, hibrid.info bënë përpjekje që të identifikojë edhe disa media tjera që kanë publikuar artikullin e njëjtë e të cilave u japim vlerësimin “transmetimi i lajmeve të rreme”.

Kontrollit të fakteve, hibrid.info ia bashkëngjit edhe analizën e të dhënave dhe arsyetimin e vlerësimit.

Në kuadër të ueb-faqes (hibrid.info), është vendosur edhe rubrika “rrenë” ku është e bashkangjitur një bazë e të dhënave me media të cilat janë quajtur si “të dyshimta”. Këto ueb-faqe që pretendojnë të paraqiten si media cilësohet si të “dyshimta” marrë për bazë mungesën e të dhënave siç janë impresumi, kontakti, të dhënat për ekipin e portalit dhe regjistrimin në institucione përgjegjëse siç mund të jetë Agjencia për Regjistrimin e Biznesit dhe trupat relevant për media (Këshillimi i Mediave të Shkruara apo Komisioni i Pavarur i Mediave). Kjo data-bazë u mundëson lexuesve që të kenë më shumë informacione rreth burimeve që shpërndajnë lajme të rreme dhe dezinformojnë audiencën.

Secila kategori në hibrid.info ka të bashkangjitur një shpjegim të shkurtër për përmbajtjen, i cili shfaqet menjëherë pas klikimit mbi të.

Kategoritë:

Analizë

Në kategorinë/rubrikën “Analizë” publikohen artikuj që iu nënshtrohen kontrollimit të fakteve dhe analizës së tyre. Në kuadër të saj gjenden edhe dy nënkategori “Fact-checking”, që bënë verifikimin e fakteve të shkrimeve gazetareske dhe “Fake Agjenda” publikohen hulumtime që marrin për bazë kontekstin e ngjarjeve. Shkrimet “Fake-Agjenda”kanë për qëllim të sjellin më shumë informacione lidhur me teknikat, metodat dhe praktikat që përdorën nga një palë për të goditur palën e vënë në shënjestër. Palët e përfshira në këtë analizë mund të jenë grupe të interesit, grupe politike, propagandat shtetërore dhe grupe, organizma e institucione tjera.

Media

Në kategorinë/rubrikën “Media” publikohen artikuj që paraqesin të rejat e fundit nga vendi, rajoni e bota rreth publikimeve që kanë përmbajtje në rreme apo dezinformatë. Në këtë rubrikë publikohen artikuj gazetaresk, po pa iu nënshtruar kontrollit dhe analizës së fakteve. 

Publikimet

Në këtë kategori futen disa nga publikimet kryesore që bëhen nga hibrid.info. Në kuadër të kësaj rubrike është edhe nënkategoria e raporteve mujore. Raportet mujore janë të tipit pasqyrues së gjendjes së çrregullimit informativ dhe përgatitet nga artikujt e kontrollimit të fakteve të krijuar e publikuar nga hibrid.info përgjatë periudhës një mujore.

Opinione

Artikujt e publikuar në kategorinë/rubrikën “Opinione”, paraqesin mendimet personale të autorit. Si rrjedhojë, Hibrid.info mund të mos e ndajnë të njëjtin mendim apo qëndrim me autorët e opinioneve.

Rrenë

Përveç analizës së kontrollit të fakteve (Fact-checking) ndaj mediave më të lexuara vendore, rajonale e ndërkombëtare, hibrid.info kontrollon faktet edhe të publikimeve në portalet që paraqiten si media. Kjo bëhet për të ruajtur audiencën nga këto lloje mediash, duke qenë se përbejnë një rrezik të madh dhe shtrirje të gjerë të ndikimit përmes shpërndarjes së përmbajtjes në rrjete sociale. Në njërën nënkategori publikohen përmbajtjet e këtyre ueb-faqeve dhe në tjetrën janë paraqitur lista e këtij lloji të ashtuquajturave media. Ekipi i hibrid.info i ka quajtur këto media si të dyshimta, meqenëse nuk kanë impresum, kontakt, rubrikë të stafit si dhe nuk janë të regjistruara si media në institucionet relevante.

EDU

Rubrika e edukimit medial “EDU” synon ofrimin e një hapësire gjithëpërfshirëse të fushës së edukimit medial duke filluar nga shpjegimi teorik, shtjellimet e temave të ndryshme, burimet/materialet për edukim medial, këshilla dhe udhëzime për qytetarët, etj.

Paanshmëria dhe objektiviteti

Hibrid.info, siç është përmendur edhe më lartë, është projekt në kuadër të OJQ-së “ADS”. Stafi i hibrid.info, siç mund të vërtetohet edhe në analizat e publikuara, zbaton politika redaktuese të paanshme dhe objektive për të gjitha palët e hulumtuara. Në bazë të metodologjisë, puna hulumtuese dhe verifikuese e hibrid.info përzgjedh materialet në bazë të rëndësisë me metodën e mostrës së rastësisë, dhe vërteton saktësinë e tyre, pa bërë dallime në aspektin politik apo të përkatësive tjera, por duke u bazuar vetëm në burimet e informacionit dhe saktësisë së tyre.

Kontrollet e fakteve nga hibrid.info behën kryesisht pasi ato të jenë publikuar dhe të jenë të qasshme (post hoc). Nëse këto publikime apostrofojnë një individ apo palë të caktuar, ne verifikojmë ato duke i parë publikimet tjera, të përcjella me link (vjegëz) adekuat. Në të gjitha kontrollet e fakteve të publikuara në hibrid.info bëhet ballafaqimi i fakteve të deklaratave dhe qëndrimeve duke i mbështetur me më shumë se 2 burime kredibile që janë të qasshme në formën online. Por, nëse një kontroll i fakteve paraqitet të jetë më i komplikuar dhe kur nuk ka asnjë të dhënë publike që mund të gjendet online, në raste të rralla kërkohet edhe prononcimi i palëve.

Kjo qasje sigurohet nga procedura themelore që hibrid.info zbaton në analizën e përmbajtjeve mediatike.

Askush që punon në hibrid.info nuk është dhe nuk duhet të jetë anëtar aktiv i ndonjë partie politike, as të marrë pjesë aktivisht në fushatat zgjedhore të subjekteve politike.

Kjo nënkupton që hibrid.info nuk pranon as fonde nga grupe të tilla si nga partitë, bizneset apo grupe tjera të interesit, duke arritur të ruaj objektivitetin dhe paanshmërinë editoriale, nga çfarëdo pale.

Aktivitetet brenda projektit hibrid.info janë të pavarura nga çdo ndikim politik, përfshirë edhe atë financiar. Puna jonë financohet ekskluzivisht nga organizatat dhe ambasada dhe misione ndërkombëtare që përfaqësojnë demokracitë perëndimore.

Si financohet Hibrid.info?

Action for Democratic Society (ADS)/hibrid.info, ka treguar qëndrueshmëri dhe seriozitet në punën e saj që nga fillimi i aktiviteteve për mbi 3 vjet. Si rezultat i kësaj dhe i profesionalizmit të dëshmuar brenda Kosovës, por edhe në rajon e më gjerë, në vitin 2023 Hibrid.info ka pasur një rritje të madhe në projekte, staf dhe si rrjedhojë edhe në sigurimin e financimit nga donatorët.

 

Financimi në vitin 2024

Gjatë vitit 2024, Action for Democratic Society / Hibrid.info ka vazhduar me zbatimin e projekteve të rëndësishme në luftimin e dezinformimit, edukimin medial dhe fuqizimin e gazetarisë së bazuar në fakte. Organizata ka siguruar financim nga disa donatorë ndërkombëtarë për projekte të fokusuara në informim të drejtë dhe qëndrueshmëri demokratike, si më poshtë:

 

  1. National Endowment for Democracy (NED)

  Titulli i projektit: Promoting Objective Journalism and Countering Disinformation

  Periudha: Korrik 2023 – Qershor 2025

  Ky projekt, i financuar nga NED, synon të forcojë gazetarinë objektive dhe të luftojë dezinformimin në Kosovë. Aktivitetet përfshijnë publikimin e përditshëm të artikujve verifikues në platformën hibrid.info, raporte mujore mbi keqinformimin, artikuj edukues me infografikë, vlerësime të zyrtarëve publikë, trajnime për studentët e gazetarisë dhe organizimin e debateve publike mbi mendimin kritik. Gjithashtu, projekti parashikon publikimin e dy raporteve vjetore dhe dy raporteve vlerësuese gjashtëmujore për gjendjen e dezinformimit në vend, të cilat do të përkthehen dhe shpërndahen gjerësisht. Përfshihet edhe angazhimi i një eksperti të marketingut për promovimin e rezultateve të projektit në rrjete sociale.

 

  1. S. Department of State – Hybrid Lab

Titulli i projektit: Prevention of Misinformation and Disinformation and Enhancing Media Literacy

Periudha: 15 Tetor 2023 – 15 Tetor 2024

Ky projekt, i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka për qëllim kontributin në parandalimin e dezinformimit nga mediat në Kosovë dhe përmirësimin e edukimit medial nëpërmjet ndërhyrjeve të targetuara. Projektin e udhëheq ADS / Hibrid.info dhe përfshin: përdorimin e mjeteve të avancuara të inteligjencës artificiale për dekonstruimin e dezinformimit, krijimin e “Hybrid Lab” si hapësirë inovative për mësim eksperimental, ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve dhe punonjësve medial për t’i njohur dhe luftuar përmbajtjet manipuluese, nxitjen e të menduarit kritik tek komunitetet e margjinalizuara, veçanërisht komunitetet joshumicë, promovimin e kulturës së verifikimit të fakteve në Kosovë.

 

  1. National Democratic Institute (NDI)

Titulli i projektit: Truth Matters: Combating Disinformation and Promoting Critical Thinking

Periudha: Qershor 2023 – Maj 2024

Ky projekt është financuar përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me USAID-in dhe ka për qëllim rritjen e mendimit kritik dhe zhvillimin e gazetarisë mediale përmes prodhimit të emisionit “Prapa Ekraneve”, analizës së rasteve të dezinformimit dhe fuqizimit të qasjes së bazuar në fakte.

 

  1. IFCN / Global Fact Check Fund

Titulli i projektit: Hibrid.info: Empowering Fact-Checking in Kosovo

Periudha: 2023–2024

Projekti mbështetur nga International Fact-Checking Network në kuadër të Global Fact Check Fund, i financuar nga Google dhe YouTube, ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të organizatës për verifikimin e fakteve në Kosovë. Qëllimi kryesor është përmirësimi i cilësisë, sasisë, frekuencës dhe ndikimit të aktiviteteve të verifikimit të fakteve, si dhe zhvillimi i kapaciteteve operacionale, prodhese dhe të angazhimit publik të organizatës.

 

  1. CFI – French Media Development Agency

Titulli i projektit: Countering Information Pollution with News Literacy

Periudha: Dhjetor 2023– Prill 2024

Projekti ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e aftësive të të rinjve në Kosovë për të kuptuar, analizuar dhe trajtuar përmbajtjen mediale. Përmes zhvillimit të materialeve edukative, organizimit të sesioneve trajnuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese, projekti synon të rrisë aftësitë e të rinjve për të identifikuar keqinformimin dhe për të ndërtuar rezistencë ndaj përmbajtjeve të rreme apo manipuluese. Projekti zbatohet në kuadër të programit rajonal “Fighting disinformation through media and information literacy”, i mbështetur nga CFI me financim të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).

 

  1. Metamorphosis Foundation

Titulli i projektit: Truth Talks Kosovo: Strengthening Media Literacy Together
Periudha: Mars – Qershor 2024
Ky projekt ka për qëllim forcimin e edukimit medial dhe rezistencës kundër dezinformimit përmes një serie podcastësh edukativë me pjesëmarrjen e ekspertëve nga fusha të ndryshme si Teknologjia e Informacionit, Gazetaria, Kontrolli i Fakteve dhe Edukimi Medial. Aktivitetet përfshijnë planifikimin, prodhimin dhe publikimin e katër podcastëve me fokus në luftimin e dezinformimit; përdorimin e rrjeteve sociale për të shpërndarë përmbajtje edukative dhe për të angazhuar publikun; vlerësimin e ndikimit dhe optimizimin e strategjisë mediatike në bazë të analizave të angazhimit; si dhe përfshirjen e grupeve të cenueshme dhe komuniteteve të nënpërfaqësuara në edukimin për media.

 

  1. EFCSN – European Fact-Checking Standards Network

Titulli i projektit: Elections 24 Check

Periudha: 2023–2024

Projekti mbështetur nga Google News Initiative synon të fuqizojë bashkëpunimin ndërmjet organizatave evropiane të verifikimit të fakteve për zgjedhjet e BE-së 2024. Aktivitetet përfshijnë trajnime, ndarje të përmbajtjes së verifikuar, ndërtimin e një baze të dhënash për dezinformatat dhe raportime tematike që kontribuojnë në integritetin zgjedhor dhe qasjen në informacion të besueshëm.

Shuma totale e të hyrave për vitin 2024 arrin në 229,530 EUR, Këto përbëhen pothuajse ekskluzivisht nga grante ndërkombëtare që synojnë përmirësimin e cilësisë së informacionit dhe rezistencës demokratike përmes gazetarisë së verifikuar dhe edukimit qytetar.

 

Financimi në vitin 2023

Në vitin 2023 ADS/Hibrid.info ka filluar realizimin e projekteve sa vijon:

    1. National Endowment for Democracy (NED), Projekti me titull: “Promoting Objective Journalism and Countering Disinformation” (2022/2023); Buxheti për vitin 2023 – 15,000 USD;- Ky projekt mundëson rritjen e nivelit të verifikimit të fakteve për të luftuar keqinformimin, si dhe për të kontribuar në edukimin medial dhe për të avokuar për përmirësimin e peizazhit medial në Kosovë.
    2. National Democratic Institute for International Affairs (NDI); Projekti me titull: “Truth matters: Combating disinformation and promoting critical thinking” (2023/2024); Buxheti për vitin 2023 – 10,248 USD – Ky projekt është i dedikuar për prodhimin e emisionit televiziv “Prapa Ekraneve”, i cili i dedikohet trajtimit të gjendjes së keqinformimit në media, si dhe ndihmon në edukimin medial të audiencës.
    3. National Endowment for Democracy (NED), Projekti me titull: “Promoting Objective Journalism and Countering Disinformation” (2023/2025); Buxheti për vitin 2023 – 31,629.96 USD; – Ky projekt mundëson rritjen e nivelit të verifikimit të fakteve për të luftuar keqinformimin, si dhe për të kontribuar në edukimin medial dhe për të avokuar për përmirësimin e peizazhit medial në Kosovë.
    4. International Fact Checking Networking Global Fact Check Fund (IFCN), Projekti me titull: “Hibrid.info: Empowering Fact-Checking in Kosovo” (2023/2024); Buxheti për vitin 2023 – 12,500 USD – Ky projekt ka për qëllim rritjen e nivelit të verifikimit të fakteve për të luftuar keqinformimin, si dhe krijimin e një platforme të re (kosovafacts.com) për publikimin e materialeve periodike me fakte të pamohueshme për dhe rreth Kosovës.
    5. S. Department of State, Projekti Hybrid Lab me titull: “To contribute to the prevention of misinformation and disinformation by Kosovo media and enhance media literacy in Kosovo through targeted interventions” (2023/2024); Buxheti për vitin 2023 – 44,992 USD. – Qëllimi i këtij projekti është të kontribuojë në parandalimin e keqinformimit nga mediat kosovare dhe të përmirësojë edukimin mediatik në Kosovë. Ky synim do të arrihet duke krijuar mjete dixhitale inovative dhe të avancuara për të përmirësuar njohuritë e gazetarëve, punonjësve të mediave dhe palëve të tjera të interesuara në Kosovë, në mënyrë që të luftohet çrregullimin informativ.
    6. CFI – French Media Development Agency, Projekti me titull: “Countering information pollution with news literacy” (2023-2024); Buxheti për vitin 2023 – 7,984.80 USD – Qëllimi i këtij projekti është të luftoj kundër keqinformimit në Kosovë duke ofruar shkathtësi për kuptimin më të mirë të përmbajtjes së lajmeve. Kjo do të arrihet duke eliminuar informacionin keqinformues në baza të rregullta; rritjen e nivelit të mendimit kritik për lajmet tek qytetarët; rritjen e kapaciteteve të mediave për t’iu përgjigjur në kohë dezinformatave.

Këto projekte, të gjitha janë të profilizuara dhe të orientuara për të dhënë kontribut në ofrimin e informacionit të saktë, të bazuar në fakte përmes analizës së kontrollimit të fakteve të paraqitur në media dhe publikime tjera, për të zbehur ndikimin e keqinformimit.

ADS/Hibrid.info ka audituar raportin financiar për vitin 2023, të cilin mund ta gjeni duke klikuar në Pasqyrat Financiare të audituara 2023

Financimi në vitin 2022

Gjatë vitit 2022, deri më 1 korrik, aktivitet në fushën e kontrollit të fakteve janë kryer në mënyrë vullnetare, me kompensime të vogla të siguruara nga ADS përmes projekteve në fusha tjera. Ndërsa, nga 1 korriku 2022, kur është fituar granti nga National Endowment for Democracy (NED) me vlerë prej 45,000 USD, të gjitha shpenzimet në aspektin e aktiviteteve, administratës dhe logjistikës janë mbuluar nga ky grant.

Klikoni këtu për ta shkarkuar dokumentin për Financial Statement.