Në peizazhin gjithnjë në zhvillim të mediave sociale, çështja e keqinformimit dhe manipulimit është bërë gjithnjë e më e përhapur.
Një praktikë e keqe që ka fituar famë është krijimi i fermave të trolleve (Troll Farm) në median sociale Facebook. Portale të dyshimta, të paraqitura në mënyrë të rreme si media legjitime, përfshihen në një fushatë sistematike për të përhapur dezinformata, për të manipuluar opinionin publik dhe për të mbjellë përçarje mes përdoruesve.
Portalet e dyshimta përmes postimeve me përmbajtje keqinformuese, ose më saktë, përmbajtje pa asnjë vlerë informative, shpesh përdorin strategji të tilla për të rritur numrin e vizitave në ueb-faqet e tyre.
Hibrid.info gjatë monitorimit në baza ditore ka vërejtur një fenomen të tillë që është mjaft i përhapur në Facebook, ku edhe ka identifikuar një portal të tillë të dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe që mban emrin “livenews10.com”, i cili shpërndan informacionin në dhjetëra faqe.
Çka dimë për portalin e dyshimtë “livenews10.com”?
Portali i dyshimtë që mban emrin “livenews10.com”, nuk ka një adresë, kontakt apo impresum dhe nuk dihet se kush qëndron prapa tij. (këtu)
Përveç që në ueb-faqe nuk ka asnjë informatë rreth këtij portali të dyshimtë, hibrid.info ka kërkuar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), dhe që është vërtetuar se nuk figuron asnjë biznes i regjistruar në Kosovë me emrin “livenews10.com”. (shih këtu)
Screenshot nga ueb-faqja e ARBK-së
Çka publikon ky portal i dyshimtë?
Hibrid.info disa herë ka trajtuar përmbajte të publikuara nga ky portal i dyshimtë, të cilat ishin lajme të fabrikuara dhe të pajisura me tituj çorientues, e që nuk japin asnjë vlerë informative. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Shpërndarja e përmbajtjeve të portalit të dyshimtë “livenews10.com” në Facebook
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është arritur të verifikohen 14 faqe të ndryshme në Facebook, përmes së cilave portali i dyshimtë “livenews10.com” arrin t’i shpërndajë përmbajtjet që i publikon.
Faqet në Facebook në të cilat publikohen përmbajtjet e portalit të dyshimtë “livenews10.com” janë: Live News, Portali Press, Revista Global, Revista 24, Insajderi, E Blog, Bota Lajme, Revista Javore, Lajme Shqip, Gazeta New, Revista 360, Informohu 24/7, Portal Ditor dhe Lajme Shqip.
Faqja me më së shumti ndjekës që publikon përmbajtjet e portalit të dyshimtë, është “Live News” me mbi 75 mijë ndjekës (këtu). Ndërsa faqja me më së paku ndjekës, është ajo e quajtur “Insajderi” me 13 mijë sosh (shih këtu).
Praktikat mashtruese të portaleve të dyshimta duke u paraqitur si media legjitime, paraqesin një sfidë serioze për integritetin e informacionit në internet. Përdoruesit duhet të qëndrojnë vigjilentë, duke vlerësuar në mënyrë kritike burimet e informacionit që hasin në platformat e mediave sociale.
Raporto
Nëse hasni në një faqe apo portal të dyshimtë, ne ju ftojmë që ta raportoni atë në ueb-faqen tonë hibrid.info përmes rubrikës “Raporto” (këtu), apo të na dërgoni në formë mesazhi në faqen tonë zyrtare në Facebook (këtu).