Përmes një përmbajtjeje të publikuar në TikTok, pretendohet se ish-komandanti i NATO-s në Evropë, Wesley Clark ka dhënë një deklaratë lidhur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe procesin gjyqësor në Hagë.
Në këtë përmbajtje pretendohet se Clark ka thënë:
“Disa shqiptarë, për inate të ulëta politike ndaj Thaçit, po e rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ne nuk e bombarduam Serbinë që disa shqiptarë, për ego politike, ta rrënojnë historinë e saj në favor të Serbisë”.

Çka nuk shkon me pretendimin?
Wesley Clark ka dhënë një intervistë për televizionin KLAN në Shqipëri, pas aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) (shih këtu).
TV Klan e ka publikuar intervistën në disa materiale, përfshirë atë me titull “Ekskluzive/ Dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Wesley Clark: I zhgënjyer me rezultatin”. Në këtë pjesë, Clark shprehu zhgënjimin e tij me rezultatin e procesit gjyqësor dhe me faktin që Hashim Thaçi ishte mbajtur në paraburgim për pesë vjet. Ai tha se, sipas tij, nuk kishte parë prova për përgjegjësinë e Thaçit dhe e përshkroi atë si “viktimë”.
Në një material tjetër të së njëjtës intervistë, Clark foli për luftën në Kosovë dhe deklaroi se shqiptarët kishin të drejtë të rebeloheshin kundër pushtuesit serb (shih këtu). Ai tha gjithashtu se gjatë luftës e kishte takuar Thaçin dy herë dhe se, sipas tij, Thaçi nuk ishte udhëheqësi i operacioneve ushtarake, duke përmendur Agim Çekun si drejtues.
TV Klan publikoi edhe materialin “Millosheviçi, mendje gjenocidale, Clark: Thaçi patriot, u kthye në Kosovë në kohë krize”, ku Clark foli për zhvillimet gjatë luftës dhe e përshkroi Thaçin si patriot që ishte kthyer në Kosovë në kohë krize. Ai foli gjithashtu për veprimet e Sllobodan Millosheviqit dhe spastrimin etnik në Kosovë.
Megjithatë, në këto materiale të publikuara nga TV Klan nuk gjendet deklarata që u publikua në TikTok.
Deklarata e publikuar në TikTok nuk gjendet në burime kredibile
Hibrid.info ka kërkuar deklaratën e pretenduar të Wesley Clark në burime të hapura në internet, përfshirë kërkime në gjuhën shqipe dhe angleze në Google (shih këtu dhe këtu).
Kërkimi nuk ka nxjerrë ndonjë burim kredibil – intervistë, video, artikull mediatik apo deklaratë publike që dokumenton se Clark ka thënë se “disa shqiptarë”, për shkak të “inative të ulëta politike” ndaj Thaçit, po rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu, në materialet origjinale të intervistës së Clarkut të publikuara nga TV Klan, ku ai flet gjerësisht për Thaçin, Gjykatën Speciale, luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen e NATO-s, nuk gjendet ky citim.
Analiza
Në TikTok është publikuar një deklaratë e rreme që i atribuohet Wesley Clarkut për Hashim Thaçin dhe Gjykatën Speciale.
Citimi nuk gjendet në intervistën e tij për TV Klan dhe as në burime kredibile në shqip apo anglisht.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.