Të fundit | Clark nuk e dha këtë deklaratë, përmbajtja është e rreme Të fundit | Deputetët në Parlamentin e Malit të Zi nuk brohoritën “UÇK” Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të rreme dhe përmbajtje të gjeneruara me IA Të fundit | Imazhi i gjeneruar me IA dhe shpërndarja e tij me pretendimin se është real Të fundit | Çka dihet për fotografitë e Trumpit me liderët botërorë dhe dy pozat e tij? Të fundit | Keqinformatat rreth aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së Të fundit | Serbia nuk ndau 500 milionë euro për procesin e Apelit ndaj ish-krerëve të… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ish-zyrtari i CIA-s ka folur për Albin Kurtin, audi… Të fundit | Deklaratë e pakonfirmuar që i atribuohet gjeneralit amerikan Craddock Të fundit | Goodwin nuk ka thënë se zëvendëspresidenti i SHBA-së është interesuar për p…
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet rrejshëm se ish-zyrtari i CIA-s ka folur për Albin Kurtin, audioja është e gjeneruar me IA

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

MASHTRIM

Pretendohet rrejshëm se ish-zyrtari i CIA-s foli për Kurtin, ndërsa u vërtetua se audioja e videos është gjeneruar me IA.

Një video e publikuar në Facebook (shih këtu dhe këtu) paraqet një burrë, fytyra e të cilit është e mbuluar me pikselë, duke pretenduar se është ish-zyrtar i lartë i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA).

Në video pretendohet se ky ish-zyrtar ka deklaruar se Albin Kurti është produkt i një strategjie amerikane të hartuar në vitet ’90 dhe se britanikët e kanë marrë nën mbrojtje kur ishte student (shih këtu dhe këtu).

Çka nuk shkon me pretendimin?

Audioja e videos rezulton e gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA) nga dy platforma të ndryshme të analizës së përmbajtjeve sintetike.

Ndërkohë, nuk gjendet burim i verifikueshëm që dëshmon se personi në video është ish-zyrtar i CIA-s apo se ka bërë deklaratat e paraqitura.

Videoja nuk jep asnjë të dhënë për personin që shfaqet në video, pozitën që ka mbajtur në CIA, ndonjë dokument, intervistë origjinale apo burim tjetër që do të mundësonte verifikimin e këtij identiteti.


Çka pretendohet në video?

Në video, personi pretendohet se thotë:

“Kjo është hera e parë që po flas në mënyrë anonime”

“Unë isha një nga zyrtarët më të lartë të CIA-s, që nga viti 1978”

“Dhe kam shërbyer për afro 40 vite si oficer i saj”

“Tani jam pensionuar”

“Kohët e fundit po dëgjoj shumë zhurmë”

“Njerëzit në Kosovë janë të ndarë në dy kampe”

“Ata që mendojnë se Albini është armik i Amerikës”

“dhe ata që mendojnë se Amerika po e ndëshkon atë”

“Më lejoni t’ju tregoj diçka”

“Asgjë nuk është ashtu siç duket”

“Albini nuk doli nga hiçi”

“Ai është produkt i një strategjie afatgjatë”

“që ne e hartuam që në vitet ’90”

“Ne nuk kishim nevojë për një tjetër politikan”

“që na thotë ‘Po zotëri’ për gjithçka”

“Na duhej dikush që mund të thoshte ‘Jo’ publikisht”

“por që në heshtje të zbatonte agjendën tonë strategjike”

“Ndërsa ne në Amerikë jemi të fokusuar”

“Londra preferonte shpirtin dhe ideologjinë”

“Anglezët e morën nën mbrojtje Albinin”

“kur ai ishte ende një student”

“Ata e trajnuan se si të ndërtonte një lëvizje”

“që duket organike por që ka një disiplinë ushtarake”

“Kur e shihni Albinin të ulët me diplomat britanez”

“Mos mendoni thjesht se ata po pinë çaj”

“Nëse ne do ta lavdëronim Albinin çdo ditë”

“Ai do të humbiste mbështetjen e njerëzve që duan sovranitet”

“Ne e sulmojmë atë që ai të duket i pathyeshëm”

“para popullit të tij”

“Në fund të ditës Kurti nuk është një Anti Amerikan”

“Ai është instrumenti më i sofistikuar i Amerikës në Ballkan”

“Ne i dhamë skenarin, ai thjesht po luan”

Shënim: Transkripti është nxjerrë nga titrat e vendosur në videon e analizuar.


FAKTET

Audioja e videos është analizuar me dy mjete për zbulimin e përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Hivemoderation.com e ka vlerësuar audion me 99.3% si të gjeneruar me AI, ndërsa Diopter.ai e ka vlerësuar me 100% (shih fotografitë më poshtë).


Dokumentimi publik për veprimtarinë e Albin Kurtit gjatë viteve ’90 tregon një kronologji të ndryshme nga ajo që paraqitet në video

Sipas biografisë së publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht të vitit 1997. Në këtë periudhë, Unioni organizoi protesta paqësore për lirimin e hapësirave universitare të uzurpuara nga autoritetet serbe.

Raporti i International Crisis Group për Kosovën, i publikuar në vitin 1998, e përshkruan Kurtin si një nga drejtuesit e Unionit të Studentëve në vitin 1997. Raporti dokumenton gjithashtu se, pas protestave studentore, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Robert Gelbard, ftoi Kurtin dhe Bujar Dugollin për vizitë në SHBA, ku ata u pritën në Departamentin amerikan të Shtetit dhe vizituan universitete amerikane.

Edhe dokumentet e Departamentit amerikan të Shtetit dëshmojnë kontaktet e Gelbardit me drejtuesit studentorë në Kosovë në vitin 1997–1998. Në një konferencë për media në Prishtinë më 22 shkurt 1998, Gelbard tha se ishte takuar me drejtuesit studentorë dhe vlerësoi mënyrën paqësore të protestave të tyre.

Këto burime dokumentojnë kontaktet e Kurtit me përfaqësues amerikanë gjatë aktivitetit të tij studentor në vitin 1997, por nuk japin mbështetje për pretendimin e videos se “ai ishte pjesë e një strategjie të CIA-s të hartuar në vitet ’90”, se “ishte trajnuar nga britanikët” apo se veprimtaria e tij ishte pjesë e një skenari të CIA-s.


Analiza

Videoja paraqet një burrë me fytyrë të mbuluar me pikselë, si ish-zyrtar të CIA-s, i cili pretendon se Albin Kurti është produkt i një strategjie amerikane të hartuar në vitet ’90 dhe se është trajnuar nga britanikët.

Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se audioja rezulton e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ndërsa nuk ka burime të verifikueshme që dëshmojnë identitetin e personit apo deklaratat e tij.

Po ashtu, dokumentet publike për aktivitetin e Kurtit në vitet ’90 dëshmojnë kontaktet e tij me përfaqësues amerikanë, por nuk mbështesin pretendimet e videos.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.

Arsyetimi

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere