Përmes një postimi në Facebook të publikuar nga faqja “Kosovalb.com“ pretendohet se në Parlamentin e Malit të Zi, disa deputetë kanë brohoritur “UÇK, UÇK, UÇK” teksa largonin nga salla një deputet serb.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pamjet dhe raportimet për ngjarjen tregojnë se deputetët nuk kanë brohoritur “UÇK”, por “Uteqe”, që në shqip përkthehet “Iku”. Brohoritja iu drejtua kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili u largua nga salla.
FAKTET
Ngjarja ndodhi më 24 shtator 2026, gjatë përplasjes në Kuvendin e Malit të Zi lidhur me iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq. Sipas mediumit RTCG, seanca për shqyrtimin e kësaj iniciative nuk arriti të zhvillohej për shkak të mungesës së kuorumit dhe përplasjeve mes deputetëve (shih këtu).
Gjatë incidentit, deputetët e opozitës brohoritën “Uteqe! Uteqe!”, që do të thotë “Iku! Iku!”, ndërsa Mandiq u largua nga salla. Kjo është dokumentuar edhe nga mediumi Vijesti, i cili raportoi për largimin e deputetëve dhe përplasjen në sallën plenare (shih këtu).
Pra, është brohoritur “Uteqe” e jo “UÇK”, ndonëse shqiptimi i shpejtë i fjalës në video mund të krijojë një ngjashmëri të tillë.
Incidenti kishte të bënte me përplasjen politike rreth shkarkimit të Mandiqit dhe jo me një veprim të deputetëve për të larguar një deputet serb duke brohoritur “UÇK”.
Analiza
Një postim në Facebook pretendon se deputetët në Parlamentin e Malit të Zi brohoritën “UÇK” gjatë largimit të një deputeti serb nga salla.
Në fakt, deputetët brohoritën “Uteqe”, që do të thotë “Iku”, gjatë një përplasjeje politike lidhur me kryetarin e Kuvendit, Andrija Mandiq.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.