info@hibrid.info
Stadiumi i Gjilanit nuk u përfundua brenda mandatit qeverisës, ashtu siç premtoi Alban Hyseni
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Përfundimi i ndërtimit të stadiumit në qytetin e Gjilanit kishte qenë premtim parazgjedhor në zgjedhjet e vitit 2021.

Këtë zotim e kishte bërë Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit, i cili në zgjedhjet lokale të vitit 2021, garonte për të marrë detyrën e të parit të Gjilanit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Çka ndodhi me premtimin?

Ndonëse ishte premtuar se do të përfundojë brenda vitit të parë qeverisës, projekti nuk u përfundua as brenda mandatit katërvjeçar të Hysenit.


Analiza:

Siç shihet nga fotografia, Hyseni gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, 2021, me anë të të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte premtuar se stadiumi do të përfundohej brenda mandatit, në rast se ai zgjidhej kryetar (shih këtu).

Në një debat televiziv të “Kallxo” gjatë fushatës parazgjedhore, Hyseni kishte premtuar (20.09.2021) se “me qeverisjen tonë, stadiumi do të përfundojë brenda vitit të parë” (shih këtu).

Përfundimin e ndërtimit të stadiumit, Hyseni e kishte premtuar edhe me dy postime tjera në Facebook, të gjetura nga hibrid.info, të cilat janë publikuar para (25 nëntor) dhe pasi (16 dhjetor) ai mori detyrën e kryetarit të Gjilanit (shih këtu dhe këtu).

Madje fillimin e punimeve në pjesën perëndimore të stadiumit me intensitet të shtuar, sapo kushtet atmosferike të jenë më të përshtatshme, Hyseni e kishte premtuar qysh në fillim (25 janar) të vitit 2022 (shih këtu).


Një muaj më vonë (21 shkurt), i pari i Gjilanit kishte njoftuar se Stadiumi gjendej në fazë të projektimit, ku përfshihej edhe diskutimi i kontratës që veç ekzistonte (shih këtu).

Hibrid.info gjeti një video-material, të publikuar (10 tetor, 2022) në kanalin zyrtar në Youtube të agjencisë së lajmeve “KosovaPress”, ku Hyseni në një konferencë të përbashkët me kryeministrin tashmë në detyrë Albin Kurti, njoftonte ndërprerjen e kontratës për ndërtimin e stadiumit dhe paralajmëronte fillimin e punimeve në këtë projekt, në pranverën e vitit 2023 (shih këtu).

Mos fillimi i punëve në ndërtimin e Stadiumit të Gjilanit në pranverën e vitit 2023, dëshmohet me një postim të 16 shtatorit, kur kryetari i Gjilanit kishte lajmëruar nënshkrimin e memorandumit e bashkëpunimit me ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku, për përfundimin e projektit me vlerë 15 milionë euro (shih këtu).


Ndërsa në fund të këtij viti (1 dhjetor), Stadiumi i qytetit u përmend si projekt i vitit 2024, për të cilin thuhej se procedura e tenderimit do të fillonte një javë më vonë (shih këtu).

Por, në janar të vitit 2024, nga mediat ishte njoftuar se Zyra e Prokurimit kishte pezulluar tenderin (shih këtu).


Në korrik të vitit 2024, Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) kishte rekomanduar anulimin e tenderit për renovimin e stadiumit të Gjilanit, kurse një muaj më vonë OShP kishte aprovuar ankesat ndaj këtij procesi.

Projekti u anulua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) më 21 shkurt, 2025 (shih këtu).

Më pas, MKRS e rihapi tenderin për stadiumin e Gjilanit (këtu) për ta pezulluar prapë përkohësisht deri në shqyrtimin e ankesave nga palët që ishin pjesë e tenderit (këtu).

Si përfundim, OShP-së pas shqyrtimit të ankesave, vendosi (13 maj) të mos e pranojë ankesën e një operatori pjesëmarrës, vendim ky që u interpretua nga Hyseni si hapje e rrugës së realizimit të premtimit (shih këtu).


Një javë më vonë Hyseni njoftoi nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e stadiumit dhe nisjen e punimeve (shih këtu). Fillimin e punimeve në terren e konfirmon edhe raporti “Letërnjoftimi i Komunave” nga “Instituti Gap” (shih këtu).


Hibrid.info ka gjetur një video-material të publikuar (15 shtator, 2025) në kanalin zyrtar në Youtube të televizionit “Kanal 10”, ky shihet se punimet në stadium po vazhdojnë, ndërsa Hyseni ka deklaruar se punimet aty do të përmbyllen vitin e ardhshëm (shih këtu).

Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor të këtij viti, ndërsa sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, kryetari i komunës zgjidhet për një periudhe katër vjeçare. Alban Hyseni mori detyrën e kryetarit të Komunës së Gjilanit më 9 dhjetor, 2021 (shih këtu).

Në shpjegimet e deklaruara nga Hyseni, është thënë se projekti është gjetur me probleme, ndërsa për vonesat në realizimin e tij, ai është shprehur se janë shkaktuar nga ankesat në OShP të operatorëve që kanë marrë pjesë në tender (shih këtu).

Përfundimi:

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni kishte premtuar se do ta përfundonte ndërtimin e stadiumit të qytetit të Gjilanit brenda vitit të parë si kryetar komune.

Por, nuk rezultoi kështu dhe punimet filluan vetëm në vitin 2025 dhe janë ende në zhvillim e sipër.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin e këtij proejkti si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Share With Others