Është publikuar një video-material me mbishkrimin “Radio Televizioni i Sllovenisë: Njeriu i Kurtit mori 1.8 milion euro nga Serbia. Martin Berishaj është shtetas i Serbisë.”
Kjo përmbajtje është publikuar më 15 qershor në Facebook nga faqja me emrin “Simpatizantët e RTK-së” dhe më 16 qershor nga faqja me emrin “vox24.net.”.
A është i vërtetë pretendimi?
Radio televizioni slloven kishte raportuar mbi hetimin për transferta nga Gen-I Beograd te kompanitë e Martin Berishajt, për të cilin nuk ka vendim gjyqësor që e konfirmon si përfitim të paligjshëm.
Gjithashtu, raportimi i këtij televizioni përmend se Berishaj ka lidhje politike dhe afërsi me rrethin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Por, në këtë raportim nuk konfirmohet se Berishaj është shtetas serb.

Arsyeja e trajtimit
Deri në momentin e trajtimit përmbajtja e publikuar në faqen “Simpatizantët e PDK-së” ka marrë mbi 590 pëlqime, 217 shpërndarje mbi 80 komente dhe 38 mijë shikime. Ndërsa ajo e publikuar në “vox24.net.” ka 125 pëlqime, 15 komente dhe mbi 8 mijë e 800 shikime.
Faqja “Simpatizantët e PDK-së” ka mbi 80 mijë ndjëkës, ndërsa faqja “vox24.net.” ka mbi 3 mijë të tillë.
Pretendimi është bazuar në video-materialin e raportimit (9 korrik, 2025) të televizionit shtetëror slloven. Hibrid.info gjeti artikullin online, që përmban edhe video-materialin e raportimit, në uebfaqen e këtij televizioni (shih këtu).
Artikulli i përkthyer në shqip:
Në Kosovë ai po hetohet nën dyshimet për veprat penale të shpëlarjes së parave.
Sllovenia nuk do ta hetojë më aferën e “GEN-I Beograd”. Gjatë procedurës paraprake, prokuroria sllovene ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, por kjo vepër dyshohet se është kryer nga një shtetas i Serbisë. Për këtë arsye, prokuroria sllovene ia ka deleguar rastin asaj serbe.
Prokuroria e Specializuar e Shtetit në Slloveni ka përfunduar hetimin lidhur me bashkëpunimin ndërmjet kompanive të Martin Berishajt dhe filialit “GEN-I Beograd”, në kohën kur grupi energjetik GEN-I udhëhiqej nga kryeministri aktual i Sllovenisë, Robert Golob. Lënda tashmë i është dorëzuar prokurorisë serbe.
Afera me transfertat e parave nga sistemi i biznesit GEN-I drejt dy kompanive të ambasadorit të atëhershëm (dhe aktual) të Kosovës, Martin Berishaj, shpërtheu tre ditë përpara zgjedhjeve të fundit parlamentare në Slloveni, kur u publikuan dokumente nga një zyrë e huaj për parandalimin e shpëlarjes së parave (që besohet se ishte e Malit të Zi).
Në Slloveni, Prokuroria e Specializuar dhe Zyra Kombëtare e Hetimeve (NPU) e nisën procedurën paraprake në fund të vitit 2022. Ky proces ka përfunduar së fundmi, gjë që u konfirmuar edhe nga vetë prokuroria:
“Në këtë çështje po anketohej dyshimi për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të pozitës ose besimit në veprimtarinë ekonomike sipas nenit 240 të Kodit Penal (KZ-1). Pas zhvillimit të procedurës paraprake, ka rezultuar dyshimi se vepra penale është kryer nga një person që është shtetas i Republikës së Serbisë dhe që ndodhet në Serbi. Duke qenë se Republika e Serbisë nuk i ekstradon shtetasit e saj dhe meqenëse ekziston dyshimi se vepra penale është kryer në territorin e Serbisë (ku kanë ndodhur edhe pasojat e ndaluara ligjërisht) dhe ku ndodhen të gjitha provat përkatëse, lënda i është transferuar organeve kompetente të Serbisë me kërkesën për marrjen përsipër të ndjekjes penale. Për shkak të interesave të hetimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, nuk mund t’ju ofrojmë informacione të tjera.”
Kontrata me Martin Berishajn ishte nënshkruar nga Borislav Antović, i cili punon si këshilltar financiar në “GEN-I Beograd”. I kontaktuar përmes telefonit, Antović deklaroi se nuk mund të japë asnjë deklaratë pa pëlqimin e punëdhënësit të tij.
Gjatë periudhës së bashkëpunimit me Berishajn, filiali “GEN-I Beograd” udhëhiqej nga Igor Koprivnikar. Ky i fundit u shpreh në telefon se për pyetjet rreth procedurës së prokurorisë duhet t’i drejtohemi zyrës për marrëdhënie me publikun e GEN-I. Të njëjtën përgjigje dhanë edhe nga kabineti i kryeministrit slloven Robert Golob. Nga ana tjetër, në kompaninë GEN-I pohuan se nuk kanë asnjë informacion zyrtar rreth kësaj procedure.
“GEN-I Beograd” transferoi dy milionë euro te dy kompanitë e Berishajt
Për çfarë bëhet fjalë saktësisht? Gjatë periudhës kur grupi GEN-I udhëhiqej nga Robert Golob, filiali serb “GEN-I Beograd” transferoi në këste të shumta mbi dy milionë euro te dy kompanitë e Martin Berishajt, të cilat mbanin të njëjtin emër – “MB Consulting” (njëra e regjistruar në Kosovë dhe tjetra në Malin e Zi). Berishaj i tërhoqi pothuajse të gjitha këto para – rreth 1.8 milionë euro – menjëherë në para të gatshme (kesh).
Në opinionin publik u ngritën pikëpyetje të mëdha se çfarë pune kishte kryer Berishaj (i cili me profesion është politolog) në këmbim të këtyre parave dhe pse tërhoqi aq shumë para të gatshme.
Kryetari i bordit të GEN-I në Slloveni, Maks Helbl, në shkurt të vitit 2023 në emisionin investigativ “Tarča”, pati deklaruar se “GEN-I Beograd” i ka paguar Berishajt 0.5 për qind të vlerës së transaksioneve për furnizimin me energji elektrike, të cilat Berishaj kishte ndihmuar t’i siguronte në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi përmes informacioneve të tij.
“Që një kompani të jetë konkurruese në treg, duhet të posedojë disa informacione kyçe, në mënyrë që të kufizojë rreziqet që burojnë nga marrëdhënie të tilla biznesi,” u shpreh Helbl në atë kohë. Sipas tij, Berishaj kishte ndihmuar me informacione rreth gjendjes së sistemit energjetik, rreziqeve që shoqërojnë aktivitetin ekonomik në secilin shtet si dhe rreziqeve që rrjedhin nga vetë mjedisi i biznesit.
Berishaj, i cili njihet si pjesë e rrethit të afërt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por që ka edhe njohje me ndikim në Slloveni (pasi ka edhe shtetësi sllovene), punën e tij për GEN-I e ka shpjeguar publikisht vetëm para komisionit hetimor parlamentar në Kosovë.
“Unë i kam këshilluar ata se si duhet të veprojë kompania në aspektin politik. Nuk jam marrë me shitjen e energjisë, u kam ofruar një këndvështrim politik mbi strategjitë që një shtet ka në një situatë të caktuar,” deklaroi ai në nëntor të vitit 2022.
Ndërkohë, mediumi kosovar Nacionale raportoi së fundmi se Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të ngrejë së shpejti aktakuzë ndaj Berishajt. Ai po hetohet nën dyshimet për veprat penale të shpëlarjes së parave, shmangies nga tatimi dhe fshehjes së informacioneve mbi pasurinë.
Martin Berishaj nuk u është përgjigjur kërkesave të RTV SLO për të komentuar rreth kësaj çështjeje.
Në artikullin e titulluar “Transfertat e Gen-i te Martin Berishaj: Prokuroria ka konstatuar dyshim për shpërdorim të pozitës”, thuhet se Martin Berishaj është hetuar për dyshime të keqpërdorimit të pozitës ose besimit në aktivitetin ekonomik, konkretisht për transfertat e dyshimta të mbi 2 milionë eurove që kompania “GEN-I Belgrade” ia ka bërë dy kompanive të tij me emrin MB Consulting (një në Kosovë dhe një në Mal të Zi), gjatë kohës kur grupi “GEN-I” drejtohej nga kryeministri aktual i Sllovenisë, Robert Golob (shih këtu).
Gjithashtu, për Berishajn raportohej se njihet si pjesë e rrethit të afërt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti (shih këtu).
Në raportim shkruan se Prokuroria sllovene ia ka transferuar rastin asaj serbe, pasi ka vlerësuar se ekziston dyshimi për një vepër penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare, e cila pretendohet se është kryer nga një shtetas serb.
Por, në këtë përmbajtje, nuk konfirmohet drejtpërdrejt që Martin Berishaj ka shtetësi serbe.
Artikulli tregon ai po hetohet në Kosovë nën dyshimin për pastrim parash (shih këtu) dhe thotë se Berishaj ka edhe shtetësi sllovene (shih këtu).
Hibrid.info edhe njëherë tjetër e kishte trajtuar një pretendim të ngjashëm (shih këtu).
Analiza:
Transfertat prej mbi 2 milion euro nga Gen-I Beograd drejt kompanive të Martin Berishajt, si dhe tërheqja e rreth 1.8 milion eurove në para të gatshme, përputhen me raportimin e Radio Televizionit të Sllovenisë, por këto të dhëna mbeten pjesë e një hetimi dhe nuk janë konfirmuar si aktivitet i paligjshëm me vendim gjyqësor.
Sipas raportimit, Berishaj përmendet si person që “njihet si pjesë e rrethit të afërt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa, në raportim tregohet Prokuroria sllovene ka konstatuar se vepra penale dyshohet të jetë kryer nga një shtetas serb në territorin e Serbisë, por në publikimin e raportit nuk jepet identiteti i personit të dyshuar.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve” dhe “Përmbajtje të paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.