info@hibrid.info
Nuk konfirmohet se Martin Berishaj ka shtetësi serbe
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një video-material me mb ishkrimin që pretendon se çështja e bashkëpunimit në mes të kompanive të Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, dhe kompanisë “GEN-I Belgrade”, e hetuar nga prokuroria sllovene, i është dorëzuar prokurorisë serbe me arsyetimin se Berishaj posedon shtetësi serbe.

Ky pretendim është publikuar më 10 korrik në platformën TikTok nga një llogari me emrin “newsilir”, përmes një videoje që mban logon e televizionit “Klan Kosova”.

Por, cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se prokuroria sllovene ia ka transferuar rastin asaj serbe, pasi ka vlerësuar se ekziston dyshimi për një vepër penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare, e cila pretendohet se është kryer nga një shtetas serb. Megjithatë, në asnjë moment nuk konfirmohet se personi në fjalë është Martin Berishaj.



Në audion e kësaj përmbajtjeje të publikuar në TikTok, thuhet se prokuroria e Sllovenisë ka përfunduar hetimet lidhur me bashkëpunimin ndërmjet kompanive të ambasadorit Berishaj dhe “GEN-I Belgrade”, dhe e ka transferuar rastin te prokuroria serbe, pasi dyshohet për shpërdorim të pozitës nga një shtetas serb. Por, në audio nuk përmendet se ky shtetas është Berishaj.

Hibrid.info ka gjetur videon autentike të publikuar në kanalin zyrtar të televizionit “Klan Kosova” në Youtube (shih këtu).

Videoja e publikuar më 9 korrik, zgjat 2 minuta e 40 sekonda, ndryshe nga versioni i publikuar në TikTok, i cili nuk i kalon 1 minutë dhe mban titullin “Çështja e Martin Berishajt, kalon në duar të Prokurorisë Serbe”.

Edhe në këtë material të “Klan Kosova”, konfirmohet përfundimi i hetimit lidhur me transferet e dyshimta të parave nga kompania “GEN-I Belgrade” drejt dy kompanive të Martin Berishajt, nga prokuroria sllovene dhe vendimi për ta transferuar rastin te autoritetet serbe. Raporti thekson se vendimi është marrë pasi dyshohet se vepra penale e shpërdorimit të pozitës është kryer nga një shtetas serb dhe brenda territorit të Serbisë, por nuk konfirmon se personi në fjalë është Berishaj.

Meqenëse lajmi i paraqitur në video dhe informacionet e përfshira në të bazohen në raportimin e televizionit shtetëror slloven, hibrid.info ka bërë verifikime në faqen zyrtare të këtij mediumi dhe ka gjetur artikullin përkatës (shih këtu).

Pas përkthimit, është kuptuar se artikulli i publikuar për këtë çështje ka titullin “Transfertat e Gen-i te Martin Berishaj: Prokuroria ka konstatuar dyshim për shpërdorim të pozitës”.

Në këtë përmbajtje thuhet se, në këtë çështje po hetohet dyshimi për keqpërdorim të pozitës në aktivitet ekonomik nga një shtetas serb që ndodhet në Serbi. Për shkak se Serbia nuk dorëzon shtetasit e saj dhe vepra dyshohet të jetë kryer në territorin e saj, çështja i është dorëzuar autoriteteve serbe për ndjekje penale. Nuk jepen më shumë detaje për shkak të hetimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale.


Deklarata e përmbledhur dhe e përkthyer e prokurorisë, nxjerrë nga artikulli:

“Në çështjen në fjalë po hetohet dyshimi për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo besimit në veprimtarinë ekonomike, sipas nenit 240 të Kodit Penal KZ-1. Pas përfundimit të procedurës paraprake hetimore, ka rezultuar një dyshim se veprën penale e ka kryer një person që është shtetas i Serbisë dhe që ndodhet në territorin e Republikës së Serbisë. Meqenëse Republika e Serbisë nuk i ekstradon shtetasit e saj dhe pasi që ekziston dyshimi se vepra penale është kryer në territorin e Republikës së Serbisë, ku ka ndodhur edhe pasoja e ndaluar dhe ku ndodhen të gjitha provat relevante, është dashur që çështja t’u përcillet organeve kompetente të Republikës së Serbisë me një kërkesë për marrjen në përgjegjësi penale. Më shumë informacione nuk mund t’ju ofrojmë për shkak të interesave të hetimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale.”


Por, në këtë përmbajtje, nuk konfirmohet drejtpërdrejt që Martin Berishaj ka shtetësi serbe. Madje, në artikull njoftohet se ai po hetohet në Kosovë nën dyshimin për pastrim parash (shih këtu) dhe tregohet se Berishaj ka edhe shtetësi sllovene (shih këtu).

Tutje, në artikull thuhet se Martin Berishaj është hetuar për dyshime të keqpërdorimit të pozitës ose besimit në aktivitetin ekonomik, konkretisht për transfertat e dyshimta të mbi 2 milionë eurove që kompania “GEN-I Belgrade” ia ka bërë dy kompanive të tij me emrin MB Consulting (një në Kosovë dhe një në Mal të Zi), gjatë kohës kur grupi “GEN-I” drejtohej nga kryeministri aktual i Sllovenisë, Robert Golob.


Analiza:

Pretendimi se çështja në të cilën po hetohet Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i është transferuar prokurorisë serbe për shkak se ai është shtetas serb, nuk është konfirmuar

Prokuroria sllovene thotë se vepra dyshohet të jetë kryer nga një shtetas serb në territorin serb, pa e identifikuar personin e dyshuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve” dhe “Përmbajtje të paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others