[email protected]
Titull dezinformues që nuk përkon me përmbajtjen
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Trump pezullon ndihmat për Kosovën”, mban përshkrimin një postim i publikuar në Facebook nga faqja “Arbëria.tv” me datë 21 janar.

Në hapësirën e komenteve të këtij postimi, gjendet vegëza e artikullit të portalit “arberia.tv”, që mban titullin “Trump pezullon ndihmat për Kosovën: Çfarë dihet deri më tani?”.

Çka nuk shkon me këta tituj?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titujt janë të pasaktë dhe nuk i përgjigjen përmbajtjes.


Hibrid.info ka vërtetuar se artikulli fillimisht u publikua nga “Radio Evropa e Lirë” (REL), i cili mban titullin “Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Çfarë dihet deri më tani?”.

Pra, portali “Arberia.tv” ka marrë artikullin nga REL, të cilit më pas i ka ndryshuar titullin.


Çka thuhet në artikullin e publikuar nga REL?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.

Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.


Pra, në asnjë rast nuk thuhet se Trumpi ka pezulluar ndihmat për Kosovën, siç pretendohet përmes titullit të artikullit në portalin “Arberia.tv”.

Postimi i publikuar në Facebook nga faqja “Arberia TV”, deri në shkrimin e këtij artikulli, ka arritur të grumbullojë dhjetëra komente, e që vërehet se disa nga lexuesit kanë rënë pre e këtij titulli të pasaktë. (shih fotografinë më poshtë)


Analiza:

Portali “Arberia.tv” ka ndryshuar titullin e artikullit origjinal të publikuar nga REL, duke pretenduar se  Trump ka pezulluar ndihmat për Kosovën. Në fakt, artikulli origjinal nga REL nuk e përmend këtë pretendim, por flet për një pezullim të përgjithshëm të ndihmave ndërkombëtare për 90 ditë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »