Një përmbajtje me titull “Nga 1 janari rroga minimale deri 1400 euro” është gjetur e publikuar në Facebook nga faqet “Trendi.info”, “Gazeta 114” e “Gazeta Diaspora”, duke e shoqëruar atë me vegëza që dërgojnë te ueb-faqe si “trend.ballkantoday.com” dhe “curiousworld24.com”.

Çka nuk shkon me këtë titull?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se titulli është përgjithësues, që nuk sqaron se bëhet fjalë për Malin e Zi, duke krijuar mundësi që përdoruesit në Kosovë ta kuptojnë se lajmi lidhet me Kosovën.
Ndërkohë, faqet në Facebook që e kanë shpërndarë këtë përmbajtje zakonisht publikojnë lajme që lidhen me Kosovën, çka mund të ndikojë që një pjesë e audiencës ta interpretojë pretendimin si një zhvillim në vend.
Më 17 shtator 2026, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, njoftoi për një model të ri të pagave të quajtur “Euro Model”, i cili parashihet të zbatohet nga janari i vitit 2027.
Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë së Malit të Zi, paga minimale neto do të jetë: 1,000 euro për punonjësit në vendet e punës që kërkojnë arsim fillor ose më të ulët; 1,250 euro për vendet e punës që kërkojnë arsim të mesëm dhe 1,400 euro për vendet e punës që kërkojnë arsim të lartë.
Qeveria e Malit të Zi ka bërë të ditur se modeli i ri do të zbatohet nga janari 2027 dhe se pritet të përfshijë më shumë se 250 mijë të punësuar.
Edhe Radio Televizioni i Malit të Zi (RTCG) ka raportuar se, sipas “Euro Model”, pagat nga janari do të jenë nga 1,000 deri në 1,400 euro dhe se programi përfshin të punësuarit në sektorin publik dhe privat.
Pra, pretendimi se paga minimale do të arrijë deri në 1,400 euro është i saktë, por vetëm në kontekstin e Malit të Zi dhe për kategorinë e vendeve të punës që kërkojnë arsim të lartë.
Analiza
Titulli “Nga 1 janari rroga minimale deri 1400 euro” nuk sqaron se bëhet fjalë për Malin e Zi.
Pas klikimit në artikull, brenda përmbajtjes sqarohet se rritja e pagave i referohet Malit të Zi, por ky informacion mungon në titullin e përdorur në postimet në Facebook, duke krijuar mundësi që përdoruesit ta kuptojnë lajmin si një zhvillim në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.