[email protected]
Vazhdojnë të publikohen pretendime të rreme për luftë në Kosovë
shape
shape
shape

Llogaria në TikTok me emrin “kijameti2024” ka publikuar video-materiale në 24 orëshin e fundit, ku pretendohet për një luftë në Kosovë.

Në shtatë materialet, sa janë publikuar nga kjo llogari pretendohet për një luftë në Kosovë gjatë muajve korrik dhe gusht, si dhe parashihet përhapje e luftës në Ballkan. Autori pretendimin e bazon nga raportet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës “CIA”, madje duke e vënë në pikëpyetje angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë në vendin tonë.

Por hibrid.info ka verifikuar faktet duke gjetur se pretendimet e dhëna nuk janë të qëndrueshme.


Vegëzat e video-materialeve të publikuara në TikTok nga llogaria “kijameti2024” mund t’i gjeni këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu.


Ndonëse nuk ka qasje në dokumentet e klasifikuara të agjencive të inteligjencës, më saktësisht në dokumentet e “CIA”, raporteve të së cilës iu referohet autori i pretendimeve, hibrid.info ka trajtuar edhe dy herë të tjera pretendime të ngjashme të publikuara nga po e njëjta llogari në TikTok. (shih këtu dhe këtu).


Megjithatë hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit dhe ka gjetur të dhëna për Kosovën, të cilat janë të hapura e të publikuara në ueb-faqen e CIA-së. (shih këtu)

Në të dhënat e hapura të dedikuara për Kosovën, në ueb-faqen e CIA nuk janë përfshirë të dhëna nga aspekti i sigurisë në Kosovë, për të argumentuar pretendimin e dhënë nga llogaria “kijameti2024”.


Rezultatet e dhëna që hibrid.info ka gjetur me anë makinës së kërkimit online “Google”, janë ato që trajtojnë një luftë të mundshme ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, në një dokument të hartuar nga ekspertë të kësaj agjencie në vitin 2013, por pa specifikuar një luftë të mundshme në Kosovë. (shih këtu dhe këtu).


Ndërsa për të hedhur poshtë pretendimin që vë në pikëpyetje angazhimin e KFOR-it në Kosovë, hibrid.info ka gjetur deklaratën e Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-së. (shih këtu)

Stoltenberg thotë se KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë si dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara.

Në të njëjtën deklaratë vlerësuar edhe nga situata e fundit në veri të Kosovës, Stoltenberg thekson vendimin për të dërguar 700 trupa shtesë në ruajtjen e sigurisë në vend.


Analiza:

Bazuar në verifikimin e fakteve, është vërtetuar se pretendimet e paralajmëruara për luftë në Kosovë nuk qëndrojnë. Ato nuk janë gjetur të publikuara ne asnjë nga mediat shqip dhe anglisht si dhe po ashtu janë hedhur poshtë deklarativisht edhe nga misioni për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, “KFOR”. Gjithashtu, qasja në dokumentet e klasifikuara të “CIA”, nga raportet e së cilës thuhet se është marrë pretendimi, nuk është i mundur pa autorizim.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »