[email protected]
Video e vjetër e xhandarmërisë rumune paraqitet rrejshëm si e aksionit policor ndaj Faton Hajrizit në Serbi
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një videoje të postuar në rrjetin social TikTok është pretenduar për publikimin e momenteve “kur u ndjek dhe u vra Faton Hajrizi”.

Publikimi u bë nga llogaria me emrin “massoni_dt” më 20 korrik.

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se videoja nuk ka të bëjë me pretendimin. Materiali del të jetë marrë nga një video e mëhershme e një aksioni të xhandarmërisë rumune.


Vegëza e publikimit të “massoni_dt” në TikTok:

https://archive.is/H3PBC

Videoja e publikuar në këtë llogari ka marrë deri tash rreth 750 mijë shikime e rreth 8400 pëlqime.


Materiali i njëjtë ka nisur të shpërndahet edhe në Facebook. Faqja me emrin “RTV Podguri” e ka shpërndarë videon e njëjtë duke ia shtuar mbishkrimin “e vërtetë kjo vidio”.


Cila është e vërteta?

Në videon e publikuar në TikTok me pretendimin se është nga momenti i ndjekjes dhe vrasjes së Faton Hajrizit, shihet se polici mban kapelën me flamurin rumun. Bazuar mbi këtë, hibrid.info ka kryer hulumtimin në makinat online të kërkimit dhe ka arritur të gjejë videon reale. Ajo del të jetë publikuar më 25 maj 2024 nga uebfaqja “monitorulbt.ro”. Bëhet fjalë për një aksion të kryer në Albesti, ku ishte arrestuar një i dyshuar për vrasjen e një vajze 8-vjeçare (shih këtu).

Po atë ditë, videoja ishte publikuar në TikTok nga llogaria e “monitorulbt”. Deri tash ka grumbulluar rreth 9.8 milionë klikime (shih këtu).


Rasti i Faton Hajrizit

Më 19 korrik, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është vrarë Faton Hajrizi, i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi në orët e para të 18 korrikut. Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri më 6 korrik.


Analiza: 

Nëpërmjet një videoje llogaria me emrin “massoni_dt” në TikTok ka pretenduar se ka publikuar pamje nga “momenti kur u ndjek dhe u vra Faton Hajrizi”.

Pas verifikimit nga hibrid.info del se videoja ishte publikuar në fund të majit dhe ka të bëjë me aksionin e xhandarmërisë rumune për arrestimin e një të dyshuari në Albesti të Rumanisë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »