[email protected]
19 vjeçari i vdekur në Fier, paraqitet rrejshëm si djali i Ardit Gjebreas
shape
shape
shape

Një kanal në Youtube me emrin “Fakte Interesante” ka publikuar një video-material (12 mars), të titulluar “TRAGJEDI per Ardit Gjebrean | Vdes djali 19 Vjec”.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se lexuesi i raportit që i është bashkangjitur videos në fjalë, njofton për një reagim të këngëtarit Ardit Gjebrea në rrjetet sociale, pas një incidenti në Fier, nga ku mbet i vdekur një 19 vjeçar (këtu).

Pjesa e parë e titullit, e cila njofton për tragjedinë e Ardit Gjebreas, mund të ndikojë tek audienca, që informacionin ta kuptojnë si vdekje e djalit 19 vjeçar, të këngëtarit. Deri në trajtimin e kësaj përmbajtje, videoja ka arritur të grumbullojë 9 mijë e 800 shikime.


Vegëza e video-materialit të publikuar nga kanali “Fakte Interesant” në Youtube:


Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka gjetur të dhënat për familjen e Ardit Gjebreas, në një artikull ku tregohet se kantautori është baba i dy fëmijëve, Jonit dhe Anës (shih këtu).

Për të konfirmuar se i biri i Gjebreas, Joni, nuk është prekur nga tragjedia e pretenduar në videon-materialin e sipërm, hibrid.info ka gjetur llogarinë personale të tij në Instagram, në të cilin Joni është mjaft aktiv (shih këtu).

Ndërsa një postim i bërë publik vitin e kaluar, në llogarinë e moderatorit Gjebrea në Instagram, po ashtu i gjetur pas hulumtimit nga hibrid.info, tregon se Jon Gjebrea vitin e kaluar ka mbushur 32 vjet (shih këtu).

Po ashtu edhe kërkimet e mëtejme në rrjetet sociale të Ardit Gjebreas, nuk faktojnë njoftimin e pretenduar në video, se ky i fundit ka bërë reagim publik pas vdekjes së 19 vjeçarit në Fier (shih këtu dhe këtu).


Analiza:

Një kanal në YouTube ka publikuar një video-material, përmes ittullit të së cilit, pretendohet se ka vdekur djali i Ardit Gjebreas.

Pas verifikimit të fakteve është kuptuar se videoja tregon për një reagim publik (i cili nuk është gjetur) të Gjebreas në rrjetet sociale, pas vdekjes së një 19 vjeçari në Fier.

Po ashtu të dhënat e gjetura nga hibrid.info, tregojnë se djali i Ardit Gjebreas nuk ka ndërruar jetë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others