[email protected]
Mediat serbe pretendojnë pa fakte se Florian Bieber është lobist shqiptar
shape
shape
shape

Mediat serbe kanë publikuar artikuj duke pretenduar që ekspertin e Ballkanit dhe profesorin e shkencave politike nga Universiteti i Grazit, Florian Bieber, ta paraqesin si një lobist shqiptar.

Ky pretendim është bërë në artikujt e publikuar nga shumë media në gjuhën serbe që kanë trajtuar reagimin e Bieber për një hulumtim (indeks) të Demokracisë, të publikuar nga sektori për hulumtim e analiza “Economist Intelligence” (EIU) i kompanisë mediatike nga Londra “The Economist Group” (këtu).

Bieber përmes një postimi në profilin e tij në Twitter, kishte reaguar ndaj këtij publikimi duke qenë se, sipas gjetjeve, kishin renditur Serbinë si vendin më demokratik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bieber e kishte quajtur këtë klasifikim si të çuditshëm dhe pyet se përse Kosova nuk është fare në këtë publikim.

Reagimi i Bieber përmes Twitter lidhur me publikimin e EIU-së

“Indeksi i çuditshëm i demokracisë nga EIU. Ende e injoron Kosovën dhe e rendit Serbinë më mirë sa i përket procesit zgjedhor dhe pluralizmin sesa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Pse nuk përfshihet Kosova dhe cila është baza për ta renditur Serbinë më të mirën në BB6 për sa i përket demokracisë? Nuk përputhet me indekset e tjera dhe realitetin”.

Vegëza e postit të Bieber në Twitter:


Mediat serbe si “novosti.rs”, “informer.rs” apo edhe “alo.rs”, duke raportuar lidhur me këtë reagim të Bieber, iu kanë referuar atij si lobist shqiptar, por pa e mbështetur në fakte këtë pretendim të bërë.

Në artikujt e këtyre mediave thuhet:

Politiologu, historiani dhe profesori që punon veçanërisht në marrëdhëniet ndëretnike në Ballkan dhe lobisti i njohur shqiptar Florian Bieber ka shpërndarë një postim në të cilin është zemëruar me renditjen e mirë të Serbisë kur bëhet fjalë për demokracinë.

Vegëzat e artikujve të publikuar në tri mediat serbe:

https://informer.rs/vesti/politika/676073/florijan-biber-demokratija-zapadni-balkan

https://www.alo.rs/vesti/politika/596100/florijan-biber-albanski-lobista-rangiranje-nezadovoljstvo-zemlje/vest

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1085025/biberu-smeta-demokratija-srbiji-albanski-lobista-nezadovoljan-rangiranjem-nase-zemlje-foto


Gjatë hulumtimit përmes makinave digjitale të kërkimit, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë asnjë fakt që e mbështetë pretendimin se Bieber është lobist shqiptar.

Për të qenë edhe më të saktë në këtë verifikim të fakteve, hibrid.info e ka kontaktuar përmes email-it edhe vet Florian Bieber. Në përgjigjen e pyetjes së shkëmbyer përmes email-it, Bieber i cili është edhe drejtor i Institutit e Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it në Austri, ka thënë se nuk ka qenë dhe nuk është i angazhuar nga asnjë palë shqiptare për lobim.

Përgjigja që Bieber e jep për hibrid.info përmes email-it në anglisht (printscreen):

No description available.

Përgjigja e Bieber e përkthyer në shqip:

Unë asnjëherë nuk kamë qenë lobist i askujt, i asnjë pale shqiptare, grupi apo shteti, as nga Kosova, Shqipëria apo Diaspora. Unë jam i angazhuar plotësisht në punën akademike dhe nuk pranoj para për të paraqitur pozicionin e askujt. Unë pranoj para vetëm nga punëdhënësit e mi, universiteti i Graz-it, nëse është për çështje akademike për qëllime hulumtuese të politikave, jo për avokim në emër të ndonjë pale, shteti etj.


Analiza:

Portalet informuese serbe, kanë pretenduar pa fakte kur aludojnë se Florian Bieber është lobist shqiptar.

Këtë pretendim, këto media serbe nuk e argumentojnë me asnjë të dhënë.

Nga kontrolli i fakteve, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others