[email protected]
Pretendim i pavërtetë se Shaqiri është i lënduar
shape
shape
shape

Disa portale në gjuhën shqipe kanë publikuar dje (1 dhjetor) një artikull me titull “Zvicra në krizë të madhe, Shaqiri i lënduar, mungojnë në stërvitje edhe dy yje të tjerë!”.

Bazuar në hulumtimin e kryer nga hibrid.info, sipas makinës online të kërkimit “Google.com” këtë artikull, për herë të parë, e ka publikuar portali “Indeksonline.net” (1 dhjetor, ora 10:50 paradite), ndërsa pas tij atë e kanë shpërndarë edhe portale tjera.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga ky medium online, nuk qëndron.

Lajmi se lojtari me prejardhje kosovare Xherdan Shaqiri është i lënduar, nuk është gjetur i publikuar më 1 dhjetor nga asnjë medium kredibil në Kosovë e jashtë saj.

Se Shaqiri kishte pësuar lëndim është i vërtetë si lajm (shih këtu), pasi ai nuk u paraqit as në ndeshjen e xhiros së dytë kundër Brazilit, por që lëndimi i tij vazhdon ende, kjo nuk është publikuar nga asnjë medium e as nuk është konfirmuar nga ndonjë zyrtar i kampit zviceran.


Artikulli i publikuar në “Indeksonline.net”:

Ndeshja vendimtare në grupe e Kupës së Botës kundër Serbisë e ka gjetur në një situatë të vështirë Zvicrën. Xherdan Shaqiri është i lënduar dhe gjasat e tij për aktivizim ndaj Serbisë po zbehen.

Shaqa për shkak të lëndimit mungoi edhe ndaj Brazilit.

Federata Zvicerane e Futbollit njoftoi poashtu se Yann Sommer dhe Nico Elvedi u detyruan të anashkalonin seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Serbinë për shkak të një ftohjeje.

Në rast se mungojnë të tre yjet, Zvicra pritet të ketë probleme serioze për ndeshjen e nesërme./Indeksonline/


Vegëzat e artikullit të publikuar në mediumet online “Indeksonline.net”, “Flaka.com.mk”, “Kosova.info”, “Syri.net” dhe “BlicPresheva.com”.


Gjatë hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur deklarata e trajnerit të Kombëtares zvicerane, Murat Yakin, i cili dje (1 dhjetor) ka konfirmuar se Xherdan Shaqiri do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme (2 dhjetor) kundër Serbisë.

“Sommer dhe Elvedi kishin një natë të keqe. Por deri të premten në mbrëmje, ata kanë kohë të rikuperohen. Ashtu si ftohja e pësuar nga portieri dhe qendërmbrojtësi, u zhduk edhe shqetësimi muskulor i Shaqirit dhe Okaforit. Katër lojtarët do të jenë në dispozicionin tim të premten”, tha Yakin, shkruan mediumi zviceran Blick.ch. (shih këtu)


Analiza:

Disa portale në gjuhën shqipe kanë publikuar dje (1 dhjetor) një artikull me pretendimin se Xherdan Shaqiri është i lënduar, duke lënë të kuptohet se ai mund të mungojë në ndeshjen ndaj Serbisë.

Këtë pretendim, këto portale nuk e bazojnë në asnjë fakt, si dhe nuk dihet burimi i këtij informacioni.

Kjo është vërtetuar pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, pasi një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar nga asnjë medium i huaj apo në gjuhën shqipe.

Ndërsa ishte vetë trajneri zviceran, Murat Yakin, ai që dje (1 dhjetor) bëri të ditur se Shaqiri do të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Serbisë, pasi lëndimi i tij muskulor ishte zhdukur.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others