[email protected]
Pretendim i pabazë nga mediumi në gjuhën serbe se Kurti don luftë në mars
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar dje (19 janar) një artikull me pretendimin se Kurti kërkon luftë në mars. Siç pretendon ky medium, në javët e ardhshme do të shkaktojnë një sërë incidentesh në veri të Kosovës për të detyruar popullin serb të reagojë, gjë që më vonë do të shërbente për të provokuar një konflikt më të gjerë.

Artikulli mbanë titullin, “KURTI DO LUFTË NË MARS! Prishtina vazhdon provokimet me vetëm një qëllim”.

Pretendimet e të përditshmes serbe, ndërlidhen me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për arritjen e një për çështjen e targave deri në muajin mars. Këtë deklaratë, ky medium në gjuhën serbe e interpreton, pa fakte, si një arsye të Kurtit për të sulmuar popullin serb dhe, siç shkruan,  “të marrë tokën serbe në veri dhe të ndërtojë baza policore-ushtarake në ato parcela”.

Pretendimet e mediumit serb, nuk ofrojnë fakte konkrete dhe interpretojnë deklarata në mënyrë tendencioze.

Vegëza e artikullit të publikuar në Alo.rs:

https://www.alo.rs/vesti/politika/716377/kurti-zeli-rat-u-martu/vest

Pjesë të artikullitë të publikuar në Alo.rs:

Autoritetet e përkohshme në Prishtinë, të udhëhequra nga Aljbin Kurti, në javët e ardhshme do të shkaktojnë një sërë incidentesh në veri të Kosovës dhe Metohisë për të detyruar popullin serb të reagojë, gjë që më vonë do të shërbente për të provokuar një konflikt më të gjerë.

Kurti disa herë ka përsëritur se çështja e të ashtuquajturit Kosova duhet të vendosë deri në mars dhe se nuk ka më kohë për të pritur.


Ky artikull ka zënë vend në ballinën e gazetës të datës 19 janar. (këtu)


Mediumi në gjuhën serbe pretendon se në javët e ardhshme do të shkaktohen disa incidente në veri të Kosovës, për të nxitur reagimin e popullit serb, që do të shfrytëzohej për të provokuar një konflikt me i gjerë. Por këtë nuk e bazon në ndonjë fakt konkret, por duke interpretuar deklaratat e Kurtit se duhet të gjendet një zgjidhje deri në mars.

Këtë pretendim, ky medium e nis nga një deklaratë e vjetër e Kurtit, e bërë më 23 nëntor të vitit të kaluar. (këtu)

Ky medium, përveç që e përdor këtë deklaratë të vjetër, përmes këtij artikulli, e fut atë edhe në një kontekst tjetër, të sajuar, duke e titulluar me një pretendim të pabazë, pra tendencën e Kurtit për luftë. 

Por, në deklarimin e tij të bërë gjatë konferencës për media, pas mbledhjes së Qeverisë të 23 nëntorit, Kurti ka folur për një afat që, sipas tij, është përcaktuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, e që e përmend muajin mars të këtij viti.

Ai kishte thënë se marrëveshja përfundimtare do të arrihet deri në mars të vitit 2023 duke iu referuar planit të paraparë nga BE dhe SHBA.

Afatin mars 2023 nuk e kam shkru unë, e ka shkruar Brukseli në ftesë. Në ftesën e Brukselit që synohej në fund të bëhej publike, është paragrafi ku thuhet se bisedimet përfundojnë në marsin e vitit 2023.” (këtu)

Këto, Kryeministri Kurti i kishte thënë në nëntor, pasi nisën tensionet në veri për shkak të vendimit për zëvendësimin e targave ilegale me targa RKS. Pra, deklarata ka të bëjë me arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën planifikimin e BE-SHBA, e jo planifikimin e ndonjë konflikti siç pretendon mediumi në gjuhën serbe.

Gjithashtu, Kurti këtë deklaratë e ka bërë rreth dy muaj më parë, gjë që e bën jo relevante me zhvillimet e fundit.


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se Kurti kërkon luftë në mars. Siç pretendon ky medium, në javët e ardhshme “Prishtina do të shkaktojnë një sërë incidentesh në veri të Kosovës për të detyruar popullin serb të reagojë, gjë që më vonë do të shërbente për të provokuar një konflikt më të gjerë”.

Pretendimet e mediumit serb, nuk ofrojnë fakte konkrete dhe interpretojnë deklarata në mënyrë tendencioze.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “teori konspirative”.


Vlerësimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others