[email protected]
Pretendim i rremë se Kurti është takuar me Erdoganin dhe se Turqia do t’i dërgojë 10 mijë trupa ushtarake shtesë në Kosovë
shape
shape
shape

Një llogari në TikTok me emrin “mtrks25” ka publikuar një video-material, me anë të cilit pretendohet se kryeministri Albin Kurti është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Video-materiali ka shfaqur edhe pamje nga ky takim dhe ka vazhduar pretendimin, duke treguar se Turqia do të dërgojë 10 mijë trupa ushtarake në ndihmë të Kosovës, përballë kërcënimeve nga  grupet e armatosura serbe. Hibrid.info ka verifikuar pretendimin dhe ka hedhur poshtë atë që thuhet në të.


Vegëza e video-materiali të publikuar nga llogaria “mtrks25” në TikTok:


Pas hulumtimit me anë të makinave të kërkimit, është vërtetuar se imazhi i shfaqur nga takimi ndërmjet Kurtit dhe Erdoganit, është marrë nga vizita e kryeministrit Kurti, në shkurt të vitit të kaluar në Ankara, ku edhe ishte pritur nga presidenti turk (shih këtu).

Për të njëjtin takim, hibrid.info ka gjetur edhe raportime nga disa media në gjuhën shqipe, në vendin tonë (shih këtu, këtu dhe këtu).


Ndërsa, një komunikatë e publikuar nga “Zyra e Kryeministrit” (31 maj, 2023), e gjetur nga hibrid.info, tregon komunikimin e fundit zyrtar ndërmjet këtyre dy liderëve, me anë të një bisede telefonike (shih këtu).


Sa i përket dërgimit të trupave në Kosovë, pas hulumtimit nga hibrid.info, është kuptuar se Turqia kishte dërguar 700 trupa shtesë në qershor të vitit të kaluar (këtu), të cilat pas përfundimit të misionit të tyre në shtator, ishin larguar nga Kosova (shih këtu).

Të dy këto lajme janë gjetur të konfirmuara edhe në burimet zyrtare të informimit, të Departamentit të mbrojtjes të Qeverisë turke (shih këtu dhe këtu).


Në bazë të hulumtimeve shtesë nga hibrid.info, është mësuar se dy vendet e fundit që kanë dërguar trupa shtesë në Kosovë, në muajin tetor të vitit të kaluar, janë Britania e Madhe (200 trupa) dhe Rumunia (130 trupa), si pjesë e misionit të NATO-së, që është institucion përgjegjës për sigurinë në Kosovë (shih këtu dhe këtu).

Vendimi për dërgimin e këtyre forcave shtesë, ishte marrë pas sulmit të armatosur të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës.


Analiza:

Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material, me anë të cilit pretendohet se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, janë takuar. Pretendimi tutje pohon se pas këtij takimi Turqia do t’i dërgojë 10 mijë trupa ushtarake shtesë, në ndihmë për Kosovën.

Hibrid.info ka verifikuar se takimi i fundit i këtyre dy liderëve, ka ndodhur në shkurt të vitit 2023, prej edhe nga është marrë imazhi i publikuar në video-material. Ndërsa njoftimet fundit për dërgimin e trupave shtesë në Kosovë, nga NATO, janë gjetur në tetor të vitit të kaluar, pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, në veri të vendit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:                                                                                                                                                      

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others