[email protected]
Pretendimet për prezencën e grupit “Wagner” në veri
shape
shape
shape

Së fundmi janë publikuar disa informacione dhe pamje me pretendimin se grupi mercenar “Wagner” është prezentë në veri.

Kompania izraelite “Terror Alarm”, përmes një cicërime në Twitter të hënën (29 maj) mbrëma tha se “Grupi terrorist Wagner është nisur për në Kosovë”. Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Wagner në Telegram. (këtu)

Në media janë publikuar edhe disa imazhe të njerëzve të maskuar dhe pjesëtarë të cilët kanë pasur të veshur bluza me simbolin “Z” duke pretenduar që ky simbol i karakterizon grupin mercenar rus Wagner. (këtu)

Në një intervistë për gazetën italiane “La Reppublica” Gjeneral Majori i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, deklaroi se nuk ka dëshmi për prezencë të grupit “Wagner” në veri.

Nuk ka dëshmi për prezencë të brigadave të Wagner në këto zona (pjesën veriore të Kosovës)”. (këtu)

Edhe më herët shpeshherë është pretenduar për ekzistencën e grupit mercenar rus “Wagner” në veri të Kosovës nga kryeministri, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani por, që është demantuar nga KFOR-i dhe diplomatët.

Pretendimet e zyrtarëve të shtetit

Pretendime për ekzistencën e grupit “Wagner” në veri po qarkullojnë qe një kohë në mediat dhe diskursin publik e politik në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti e kishte përmendur prezencën e grupit ‘Wagner” në veri në deklarata publike. Në një intervistë për Al Jazera në janar të këtij viti, Kurti kishte deklaruar se gjatë tensioneve ishin prezentë grupet “Wagner dhe Ujqërit e Natës”. Por, kur gazetari i kishte kërkuar detaje dhe fakte për prezencën e saktësisht të grupi “Wagner”, ai ishte përgjigjur.

“Ata erdhën në kufij të Kosovës. Dhe është për ne e vështirë të dimë se ku janë bërë disa nga fotot, sepse ata janë në fshatra (zona rurale). Prandaj është e vështirë të dimë se ku janë filmuar këto grupe të armatosura. Sidoqoftë, shumë njerëz që janë në struktura ilegale dhe në barrikada deri së voni, kanë shumë foto të përbashkëta me “Ujqërit e Natës” dhe anëtarë të grupit “Wagner.” (këtu)

Në të njëjtën kohë Kurti kishte dhënë një intervistë për mediumin holandez, ka thënë se ekzistojnë prova të cilat dëshmojnë prezencën e grupit mercenar rus “Wagner”.

“Ai i quan protestat në veri “jo autentike”. “Njerëzit po sillen me autobusë nga Serbia për të udhëhequr barrikadat. Ne kemi prova se këta janë njerëz të maskuar me shenja të milicisë ruse Wagner, Ujqërit e Natës (një bandë ruse motoçikletash besnike ndaj Putinit) dhe të ashtuquajturës Brigadë Veriore. Kurti thotë se nuk mund t’i ndajë këto prova sepse “pozicioni nga i cili janë marrë fotot dhe videot mund të zbulojë burimet tona”. (këtu)

Për prezencën e grupit “Wagner” Kurti ishte deklaruar edhe në mediumin austriak “Die Presse” ku kishte thënë se janë parë njerëz me shenja të grupi mercenar rus.

Në kufirin tonë dhe në veri të vendit tonë, ne pamë njerëz me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave ‘Ujqërit e Natës’ dhe trupës mercenare ruse ‘Wagner’. (këtu)

Kryeministri Kurti, në shkurt të këtij viti për “France 24”, deklaroi se, përreth Kosovës, ekzistojnë 48 baza operative, disa prej tyre ushtarë të grupit Wagner të Rusisë, e të tjera të “Ujqërve të Natës”.

“Serbia është bërë më agresive ndaj Kosovës pas pushtimit rus [në Ukrainë]. 48 baza operative janë përreth Kosovës, prej tyre 28 baza ushtarake e 20 xhandarmëri, ku janë parë mercenarë të Wagnerit dhe Ujqërit e Natës”. (këtu)

Në janar të këtij viti edhe presidentja Osmani kishte folur për grupin mercenar “Wagner” në intervista të dhëna për mediat ndërkombëtare. Në një intervistë të dhënë për mediumin italian “Corriere Della Sera” Osmani tha se ekziston bashkëpunim e Serbisë me grupin “Wagner” për të krijuar tensione në veri.

“Rusia dëshiron të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor, për ta larguar atë nga Ukraina. Dhe Serbia kërcënon sigurinë e saj duke përdorur forcat që bashkëpunojnë me Grupin Wagner, blejnë armë ruse dhe dërgojnë paraushtarakë në veri të Kosovës për të ngritur barrikada dhe për të krijuar tensione’. (këtu)

Kur u pyet për provat, ajo u përgjigj se këto janë informacione të klasifikuar dhe nuk mund të jap detaje.

Nuk mund të jap detaje sepse janë informacione të klasifikuara. Por ne punojmë me aleatët tanë perëndimorë për të siguruar që këto paraushtarakë të lidhur me Wagnerin të dështojnë në planin e tyre për të destabilizuar Kosovën’’. (këtu)

Presidentja Osmani në shkurt të këtij viti në një intervistë për “The Telegraph”, pohoi se Beogradi po vazhdon të nxisë tensionet në rajon, në bashkëpunim me grupin “Wagner”.

Ka prova të qarta se grupet paramilitare serbe e kanë planifikuar dhe organizuar këtë (me Wagner). Sa ishin në kufi apo brenda (territorit të Kosovës), kjo është një çështje që ende po hetohet”. (këtu)

Në prill të këtij viti (2023), edhe për mediumin britanik “The Sun” presidentja Osmani ka deklaruar se “grupet e armatosura serbe kanë bashkëpunim me grupin mercenar ‘Wagner’”. (këtu)

Qëndrimi i zyrtarëve ndërkombëtar dhe KFOR-it

Pas deklaratave të bëra në janar dhe shkurt të këtij viti nga zyrtarët shtetërorë të Kosovës lidhur me prezencën e grupit mercenar “Wagner”, u deklaruan edhe KFOR-i.

I pyetur se a ka prezencë të grupeve famëkeqe ruse, bazuar në deklaratat e kryeministrit Kurti, komandanti i KFOR-it, Antonio Ristuccia, tha se aktualisht nuk ekziston asnjë dëshmi për një prezencë të tillë.

Për momentin, nuk kemi asnjë dëshmi për atë që ju i referoheni. Nuk kemi asnjë informatë për këtë. Por, jemi duke ndjekur për së afërmi zhvillimin e situatës”. (këtu)

Në një intervistë të dhënë  për media edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, është shprehur se nuk ka dëshmi për prezencën e grupit “Wagner” në veri.

“Nuk kam asnjë informacion se grupi Wagner ishte në veri. Dua të them, mendoj se po flitet shumë për këtë. Nuk ka asnjë dëshmi për këtë. Në një farë mënyre, mund të jetë mendim i dëshiruar për t’u përpjekur që të rritet tensioni.” (këtu)

Share With Others