[email protected]
Deklarata nga Serwer nuk ishte për Kosovën e Serbinë, por për Lajçakun e Escobarin
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“E nisën të gjithë keq dhe përfundoi edhe më keq Daniel Serwer për Kosovën dhe Serbinë” është mbishkrimi i vendosur, një imazhi të publikuar, që shfaq fotografinë e profesorit amerikan Daniel Serwer.

Ky imazh është postuar sot (11 maj) në Facebook në faqen e portalit informativ të televizionit “ntv.al”, të cilit i është bashkangjitur edhe vegëza e një artikulli.

Çka nuk shkon me këtë mbishkrim?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky mbishkrim është i pasaktë dhe i njëjti nuk i përgjigjet përmbajtjes.

Në përmbajtje të artikullit, bëhet e qartë se profesori amerikan në opinionin e tij, fjalinë “e nisën keq dhe përfundoi keq” nuk e ka thënë për Kosovën e Serbinë, por për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.


Vegëza e postimit të publikuar në Facebok nga faqja “Ntv Televizion”:

https://www.facebook.com/NTV.Television/posts/pfbid02Na2b75qTiB1nSPtU4QkUPzbMvvVM6oUN6L7MkNJbaRje3LhKmzto9hRTziyXiyGCl


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se artikulli i publikuar nga “ntv.al”, është marrë nga “gazetaexpress.com”, të cilës më pas i është ndryshuar titullit.

Titulli i artikullit të publikuar në “gazetaexpress.com”: Serwer: Escobar dhe Lajcak e nisën keq, përfunduan edhe më keq, kjo është rruga që duhet ndjekur në negociata


Për ta vërtetuar edhe më shumë se çka në të vërtetë tha Serwer, hibrid.info ka gjetur opinionin e profesorit amerikan të publikuar në blog-un e tij personal “peacefare.net”. (shih këtu)

Pjesë nga opionioni i Daniel Serwer, i përkthyer në shqip:

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit Escobar dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak, të dy me mandate për Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, po japin lamtumirën e tyre në Uashington këtë javë. Bëhet fjalë për dy diplomatë me përvojë që e njohin mirë Ballkanin. Ata kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Çështja më e madhe e dukshme ka qenë mbështetja amerikane për “Ballkanin e Hapur”, një skemë për lehtësimin e tregtisë. Evropianët me të drejtë e panë atë si të panevojshme dhe dyfishuese të përpjekjeve të tyre në atë që njihet si “procesi i Berlinit”.

Por Lajçak dhe Escobar nuk arritën të prodhonin normalizimin politik mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ata e bënë prioritetin e tyre kryesor.

Çfarë shkoi keq?

Escobar dhe Lajçak nisën keq dhe përfunduan më keq. Ata i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar.


Analiza:

Pretendimi se Daniel Serwer ka thënë për Kosovën dhe Serbinë se “e nisën të gjithë keq dhe përfundoi keq”, nuk është i saktë.

Hibrid.info ka gjetur se profesori amerikan në blog-un e tij personal, këtë opinion e ka thënë për Escobarin dhe Lajçakun.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »
1406