Shkroi: Endrit Berisha
Nëpërmjet titullit është pretenduar se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë pasur bisedë sekrete.
“PERGJIM NE MESNATE/ Biseda sekrete ndërmjet Vuçiç dhe Macron” mban titullin artikulli i publikuar nga portali “ntv.al” të shtunën (22 qershor).
Çka nuk shkon me këtë titull?
Titulli nuk korrespondon me përmbajtjen e artikullit. Aty nuk përmendet asnjëherë ndonjë bisedë “sekrete”. Artikulli merr për bazë njoftimin publik të Vuçiqit për bisedën me Macronin.
Vegëza e artikullit të “ntv.al”:
Pjesë nga artikulli që tregon për njoftimin e Vuçiqit:
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Lajmi u bë i ditur nga Vuçiç, përmes një postimin në Facebook, i cili ka kërkuar nga Macron që Bashkimi Evropian ta ketë prioritet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. ‘Teksa Evropa po kalon një periudhë tranzicioni dhe pasigurie, unë theksova rëndësinë e vazhdimësisë në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për Serbinë, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe kushtet në të cilat jeton komuniteti serb i privuar nga e drejta’- pretendoi Vuçiç duke shtuar: – ‘E ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë një vend të lartë në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb’”
Në njoftimin e tij, Vuçiqi ka thënë se ka kërkuar nga homologu francez që çështjet “e rëndësishme për Serbinë”, sidomos që ndërlidhen me Kosovën dhe komunitetin serb të mbahen lart në agjendën e Bashkimit Evropian (Shih këtu).
Analiza:
Nëpërmjet titullit, portali në gjuhën shqipe “ntv.al” ka pretenduar për bisedë sekrete të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me atë francez, Emmanuel Macron.
Por titulli nuk korrespondon me përmbajtjen e artikullit, që nuk flet për bisedë “sekrete”, por për njoftimin publik të Vuçiqit për bisedën telefonike me Macronin.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë titull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.