[email protected]
Mediumi brazilian pretendon pasaktë se Akil Gjakova rrezikon të arrestohet pas kthimit në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Mediumi brazilian “Metropoles.com” me datë 30 korrik përmes një artikulli ka pretenduar se xhudisti kosovar, Akil Gjakova, rrezikon të arrestohet nga Policia e Kosovës, pasi të kthehet nga Parisi ku po zhvillohen Lojërat Oplimpike.

Ky medium pretendon se Policia e Kosovës ka lëshuar fletarrest për xhudistin kosovar dhe se ai është në kërkim që prej muajit prill, i akuzuar për dhunë në familje.

Cila është e vërteta?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i bërë nga mediumi brazilian, është i pasaktë.

Hibrid.info ka vërtetuar se aktualisht Policia e Kosovës nuk ka lëshuar fletarrest për Gjakovën dhe se me datë 19 prill Gjykata Themelore në Pejë kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për t’i caktuar masën e paraburgimit Akil Gjakovës, i cili u akuzua për “dhunë në familje”. Ai u dyshua për dhunë ndaj bashkëshortes.


Vegëza e artikullit të publikuar nga mediumi Brazilian “Metropoles.com”:

https://www.metropoles.com/colunas/fabia-oliveira/judoca-que-venceu-brasileiro-saira-das-olimpiadas-preso?fbclid=IwY2xjawEWwS1leHRuA2FlbQIxMAABHT4kAc2X4yxaGtqmEFaqcUUSJN58DPYIbIcP8vm2iRSlDPcXRix9WEVawg_aem_P-kzAhORd61Oim1aYyol7A

Pjesë nga artikulli i publikuar në “Metropoles.com”, i përkthyer në shqip:

Xhudisti që mundi brazilianin do të largohet nga Olimpiada për në burg

Akil Gjakova ka një fletarrest të hapur të lëshuar nga Policia e Kosovës; Ai ishte në kërkim që prej muajit prill, i akuzuar për dhunë në familje


Çka gjeti hibrid.info?

Policia e Kosovës me datë 16 prill 2024 e kishte shpallur në kërkim xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për dhunë në familje. (shih këtu)

Siç kishte raportuar mediumi kosovar “Koha.net”, me datë 16 prill, Gjakova ishte dorëzuar në Polici të Kosovës. (shih këtu)

Me datë 19 prill, Departamenti i Përgjithshëm Penal, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. (shih këtu)

“Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.GJ, i dyshuar për vepër penale dhuna në familje nga neni 248 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

“Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktoj masën e paraburgimit”.

“Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund t’a dënojë personin e mbrojtur me gjobë”.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. (këtu)


Analiza:

Një medium brazilian ka raportuar pasaktë se xhudisti kosovar Akil Gjakova rrezikon të arrestohet nga Policia e Kosovës dhe se për të është lëshuar fletarrest si i dyshuar për dhunë në familje.

Hibrid.info ka vërtetuar se Gjakova me datë 19 prill ishte liruar nga paraburgimi. Ndaj tij me datë 16 prill ishte lëshuar urdhër arresti dhe i njëjti po atë ditë ishte dorëzuar në Polici.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e mediumit brazilian si “Përmbajtje e paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »
1406