[email protected]
Titulli, në shpërputhje me përmbajtjen, pretendon rrejshëm se ushtria serbe ka hyrë në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një video-material i një kronike televizive, ku shfaqet lajmi i titruar me titullin “USHTRIA SERBE HYN NE KOSOVE”.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (9 gusht) në TikTok nga llogaria me emrin “ntvtelevizion”, që është llogaria e televizionit “NTV Televizion”.

A hyri ushtria serbe në Kosovë?

Pas verifikimit, hibrid.info ka kuptuar se kjo kronikë informon për takimin ndërmjet komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd.

Çka do të thotë se titulli i këtij lajmi nuk përmban temën e kronikës së lexuar dhe paraqitur në këtë video-material (shih këtu).


Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok ngs llogaria “ntvtelevizion”:

https://archive.is/CLxx5


Lajmi i transkriptuar nga video-materiali:

Komandanti i forcës së NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash ka takuar të mërkurën shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka njoftuar KFOR në një komunikatë për shtyp, ndërsa temë kryesore e diskutimeve ka qenë situata e sigurisë.

Gjeneral major Ulutash dhe gjeneral Mojsilloviq ndanë pikëpamjet mbi situatën e përgjithshme të sigurisë dhe ndikimin në stabilitetin rajonal si dhe mbi aktivitetet e bashkëpunimin. Ata rikonfirmuan angazhimin e tyre të palëkundur për të ruajtur komunikimin dhe dialogun e hapur.

Ndryshe takimi ndërmjet komandantit turk të KFOR-it dhe shefit të ushtrisë së Serbisë ka ardhur në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore, të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë dhe iniciativën për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. E përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar akoma përceptohet tensioni, tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).


Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur komunikatën e lëshuar (7 gusht) nga Forcat e Armatosura të Serbisë, ku njoftohet për takimin e komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash dhe gjeneralit serb, Millan Mojsilloviq (shih këtu).

Për takimin është raportuar edhe nga mediat si Radio Evropa e Lirë (REL), “Deutsche Welle” dhe  “Telegrafi.com” artikujt e të cilave, po ashtu i ka gjetur hibrid.info (shih këtu, këtu dhe këtu).

Ndërsa, hibrid.info ka bërë kërkime edhe për pretendimin e hyrjes së ushtrisë serbe në Kosovë, por nuk ka gjetur asgjë të konfirmuar (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi me anë të një video-materiali se ushtria serbe ka hyrë në Kosovë, është i pasaktë.

Titulli i lajmit, ku jepet pretendimi, nuk përkon me përmbajtjen e raportuar në këtë video-material.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »