[email protected]
Rruga Prizren – Tetovë së bashku me tunelin 6.4 kilometra nuk do të kushtojë 35 milionë euro, por rreth 200 milionë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Pretendohet se rruga Prizren – Tetovë, me tunel 6.4 km, do të kushtojnë në total 35 milionë euro.

Ky pretendim u bë përmes një postimi të publikuar në Facebook nga faqja në Facebook “Korrekt Press”, me datë 18 gusht.

Duke aluduar në këtë shifër, kjo faqe ka krahasuar këtë projekt me atë të ndërtimit të urës së Kukësit, e cila ka kushtuar rreth 35 milionë euro.

Cila është e vërteta?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi që rruga Prizren – Tetovë me tunel 6.4 km, nuk do të kushtojë 35 milionë euro. Kostoja e përllogaritur e projektit parashihet të jetë rreth 200 milionë euro.


Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Korrekt Press”:

https://archive.ph/BLG7D


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar nga “GazetaExpress.com” me datë 12 gusht, 2023.

Duke folur gjatë një vizite për përurimin e riemërimit të një rruge më 11 gusht në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se kostoja e përllogaritur e këtij projekti, pra e rrugës Prizren – Tetovë është rreth 200 milionë euro. (shih këtu)

“Zëvendësministri im i Infrastrukturës Hysen Durmishi është dakorduar me homologun e tij, zëvendësministrin e Transportit, Bekim Rexhepin e me drejtorin e Ndërmarrjes Shtetërore, rrugët e Maqedonisë, Ejup Rrustemin, janë dakorduar pra për njërin nga gjashtë opsionet e dala nga studimi i fizibilitetit me tunel 6.4 kilometra, pak më i gjatë se ai në Kalimash, dhe nga 15 kilometra në të dy anët e hyrje daljeve të tunelit. Kostoja e parallogaritur e këtij aksi të rëndësisë së madhe ndërshtetërore, kombëtare, rajonale e evropiane është rreth 200 milionë euro, 3/4 për tunelin e pjesa tjetër për rrugët në të dy anët e tij që e lidhin Prizrenin me Tetovën, që e lidhin Tetovën me Prizrenin. Pra, nuk është kosto aq e lartë, ndërkaq përfitimi është i jashtëzakonshëm sa që i pamatshëm”, ka deklaruar Kurti.


Ndërkaq, kostoja prej 35 milionë eurove përfshin njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetrën në afërsi të Fshatit Struzhë, prej 20.3 km. Pra, në këtë shifër nuk është përfshirë kostoja e ndërtimit të tunelit. (shih këtu)


Kontekst

Me datë 12 janar të këtij viti, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë.

“Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë – Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. (shih këtu)


Analiza:

Pretendimi se rruga Prizren – Tetovë me tunel 6.4 kilometra do të kushtojë 35 milionë euro, është i pasaktë.

35 milionë euro pritet të kushtojë rruga në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të Fshatit Struzhë, e gjatë 20.3 kilometra. Ndërsa kostoja e gjithë projektit, duke përfshirë edhe tunelin prej 6.4 kilometra, është përllogaritur të jetë rreth 200 milionë euro.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë nga faqja “Korrekt Press” si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Translate »