[email protected]
Faqe e llogari në media sociale shpërndajnë keqinformata duke përdorur emrin dhe pozitën e kryeministrit Kurti
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Javëve të fundit, faqe e profile të ndryshme të cilat shfrytëzojnë emrin dhe pozitën e kryeministrit Albin Kurti, janë aktivizuar nëpër rrjete sociale.

Hibrid.info gjatë dy muajve të fundit (korrik-gusht) ka trajtuar shtatë përmbajtje keqinformuese të shpërndara nga këto faqe dhe llogari.

Gjatë trajtimit të tyre, është vërejtur se këto përmbajtje kryesisht kanë qenë të fokusuara në sondazhe (zgjedhje), armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe çështjen për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë.

Hibrid.info ka trajtuar këto përmbajtje, pasi ka vënë re ndikimin në audiencë  bazuar në numrin e komenteve dhe shikimeve.


Një faqe në Facebook, me emrin “Me Albin Kurtin” (e cila tani më nuk mund të gjendet në këtë rrjet social – a është mbyllur apo pasivizuar, nuk dihet), shpërndante materiale të paverifikuara të ndërlidhura me sigurinë e vendit.

“Ushtria e Kosovës pajiset me topa “Boran 105mm”, prodhim Turk me një fuqi goditëse deri në 10 km”, ishte mbishkrimi që faqja “Me Albin Kurtin” kishte përdorur në një video të publikuar më 20 gusht.

Gjithashtu, një pretendim tjetër nga kjo faqe është bërë më 14 gusht, në të cilin thuhet se tanket turke T-Firtina, në fund të shtatorit do t’i shtohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mirëpo, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info përmes makinave online të kërkimit, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në media kredibile se Kosova është furnizuar me pajisje të tilla ushtarake (artikujt e plotë këtu dhe këtu).

Po ashtu, në një postim tjetër, faqja e njëjtë ka pretenduar se “Ushtria e Kosovës përfundimisht do të pajiset me këto raketa në fillim të vitit 2025 (Elbit System)”.

Pas hulumtimeve online nga hibrid.info, pretendimet e tilla nuk janë gjetur të publikuara në asnjë burim kredibil (artikulli i plotë këtu).

Keqinformimi nga këto faqe lidhet kryesisht me pajimin e FSK-së me sisteme të ndryshme ushtarake, por ato publikojnë edhe sondazhe të fabrikuara, e sigurisht që temë kanë edhe Urën e Ibrit.

Faqja e njëjtë “Me Albin Kurtin” edhe më 14 gusht kishte publikuar një postim, përmes të cilit pretendonte se Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash ka deklaruar se Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se ajo duhet të hapet pa pyetur askënd.

Veç kësaj faqeje, pretendimin e njëjtë e kishin bërë në atë kohë edhe faqe tjera si “Informohu24” dhe “Atdheu Lajm”.

Por, pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga faqet e lartcekura është i rremë (artikulli i plotë këtu).

Për Urën e Ibrit, lajm të fabrikuar ka publikuar edhe llogaria në TikTok, “albinkurti_kryeministër”.

Sikurse edhe në shumicën e këtyre publikimeve, Turqia është një nga vendet përmes së cilët tentohet të manipulohet kur bëhet fjalë për sigurinë në vend.

“Turqia i vetmi shtet që e mbështet Albin Kurtin për hapjen e Urës së Ibrit”, mban përshkrimin një postim i publikuar në TikTok nga llogaria e sipërpërmendur.

Por, edhe ky postim rezulton të jetë i rremë, në bazë të hulumtimit të kryer online nga hibrid.info. Ky informacion nuk është gjetur i publikuar në burime kredibile për të dëshmuar se qeveria turke ka dalë me ndonjë qëndrim lidhur me hapjen e Urës së Ibrit. (artikulli i plotë këtu)

“MeKryeministrin” është një faqe tjetër në Facebook e cila ka pretenduar se presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se trupat franceze të KFOR-it mund të tërhiqen nëse Kosova insiston ta hapë Urën e Ibrit.

Ky pretendim në bazë të kërkimeve të bëra nga hibrid.info, nuk është gjetur në asnjë burim të besueshëm, dhe rrjedhimisht konsiderohet i rremë. (artikulli i plotë këtu)

Llogaria “albinkurti_kryeminister” ka shpërndarë më 7 korrik edhe një lajm tjetër të rremë.

Në këtë postim, kjo llogari pretendonte se një portal amerikan ka kryer sondazh për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Postimi përmbante një imazh, nëpërmjet të cilit pretendohej se faqja “Secure America Now” në Facebook ka nxjerrë rezultatet e një sondazhi për zgjedhjet në Kosovë. (artikulli i plotë këtu)

Sikurse edhe publikimet tjera, edhe ky bie në kategorinë e lajmeve të rreme meqë nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil.

Share With Others

Translate »