[email protected]
Pretendohet pa fakte se sulmuesi i çiftit serb në Graçanicë është shqiptar
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Të dielën (29 shtator) është raportuar se një çift i moshuar serb është sulmuar në shtëpinë e tyre në Graçanicë.

Sipas raportit të rregullt 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është cilësuar si “tentim – grabitje”.

Çka tha Policia?

Rastin në polici e ka raportuar një çift bashkëshortor serb, të cilët kanë deklaruar se një person i maskuar kishte hyrë në shtëpinë e tyre.

Sipas tyre, ai i ka sulmuar ata duke iu kërkuar para.

“I njëjti pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, përderisa njësitë policore janë duke kryer proceduar hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë, sipas Klankosova.tv.

Zyrtarisht, personi që ka sulmuar çiftin e moshuar serb është i panjohur për organet e rendit, dhe as viktimat nuk e kanë identifikuar atë në asnjë formë.

Çka po pretendohet në rrjetet sociale nga profile në gjuhën serbe?

Ngjarja e së dielës mbrëma në Graçanicë është komentuar shumë në rrjetet sociale, e edhe në mediat në gjuhën serbe.

Në shumë prej këtyre postimeve, është pretenduar se sulmuesi ka qenë shqiptar, dhe fajtor për këtë sulm e bëjnë Qeverinë Kurti.

Ministri serb i Punës, Punësimit, çështjeve të Veteranëve dhe atyre Sociale, Nemanja Staroviq, ka akuzuar Qeverinë Kurti për këtë sulm.

“Një çift i moshuar nga enklava serbe e Graçanicës në Kosovën qendrore është sulmuar brutalisht mbrëmë. Kryeministri i përkohshëm Kurti e vazhdon fushatën e tij të zjarrit dhe stuhisë kundër serbëve; bandat lokale e ndjekin pas”, ka shkruar ministri i Qeverisë së Serbisë, Staroviq në platformën X.

Postimin e tij e ka shpërndarë edhe Ambasada serbe në Mal të Zi, me mbishkrimin:

“Terrori i A. Kurtit ndaj banorëve serbë në Kosovë dhe Metohi po vazhdon. Çifti bashkëshortor Dragan dhe Dushka Alleksiq mbrëmë janë rrahur brutalisht dhe janë grabitur në shtëpinë e tyre familjare në Graçanicë”, ka shkruar kjo Ambasadë në X.

Alleksandar Maksimoviq, kryetar i Komitetit të Qytetit të Partisë Popullore të Novi Sadit, ka akuzuar direkt shqiptarët për këtë sulm, duke thënë në X: “Sulm monstruoz ndaj familjes Alleksiq në Graçanicë! Shiptarët (term pezhorativ serb për shqiptarët, shën.red.) kanë hyrë mbrëmë në shtëpinë e tyre dhe sipas dëshmisë, me shkop druri ua kanë thyer kockat, ndërsa me thikë ia kanë prerë veshin Draganit”.

Reagim pati edhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila tha: “Sulmi brutal ndaj Dushankës dhe Dragan Aleksiqit nga Graçanica i shqetësoi thellë të gjithë serbët që jetojnë në këtë vend serb, por edhe në tërë Kosovën dhe Metohinë, sidomos duke pasur parasysh se populli ynë në këtë pjesë të krahinës shumë shpesh ishte objektiv i ekstremistëve dhe huliganëve shqiptarë”.


Analiza

Një çift i moshuar serb është raportuar se është sulmuar të dielën mbrëma në shtëpinë e tyre në Graçanicë.

Çifti ka deklaruar te organet e rendit se një person i dyshuar ka hyrë në shtëpinë e tyre dhe i ka sulmuar fizikisht, por që i njëjti ka qenë i maskuar, dhe në asnjë prononcim për media nuk e kanë përmendur nacionalitetin e sulmuesit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Përmbajtje e pa verifikuar

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »