[email protected]
Pretendim i pasaktë se KFOR-i nuk është parë në Kaçanik që nga rasti i Lavdrim Muhaxherit
shape
shape
shape

Portali informativ “Reporteri.net” më 27 gusht ka publikuar një artikull me titull “Njësite të KFOR-it shihen edhe në Kaçanik”.

Në fotografinë e këtij artikulli shihen dy automjete të KFOR-it e cila, sipas këtij portali, i është dërguar nga një lexues.

Në përmbajtje të këtij artikulli, duke u bazuar në të dhënat e marra nga lexuesi i portalit, pretendohet se kjo fotografi tregon prezencën e pjesëtarëve të KFOR-it në Kaçanik, gjë e cila, sipas asaj që thuhet, “nuk është parë qysh prej rastit të Lavdrim Muhaxherit, i cili ishte shpallur terrorist”.

Ky artikull është publikuar në kohën kur po shtohet prezenca trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, qysh prej vendimit për shtyrjen e reciprocitetit për targat dhe dokumentet me Serbinë.

Autori i artikullit duket se me anë të kësaj fotografie është munduar që atë ta ndërlidhë imazhin me gjendjen aktuale në veri, pasi në një pjesë të përmbajtjes shkruan:

Njësitet e KFOR’it tashmë ka ditë që po qëndrojnë në veri të Kosovës, qysh prej vendimit për shtyerjen e reciprocitetit për targat dhe dokumentet me Serbinë.

Derisa ata po sigurohen që ta ruajnë paqen dhe stabilitetin në atë pjesë të vendit, forca të KFOR’it janë parë edhe në Kaçanik.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Reporteri.net”:


Portali i lartcekur pretendimin se KFOR nuk është parë në Kaçanik që nga, siç thuhet, rasti i Lavdrim Muhaxherit, kur ky i fundit është shpallur terrorist, e bazon vetëm në pretendimin e autorit të fotografisë. Por, në artikull nuk sqarohet se për cilin rast bëhet fjalë, kur përmendet rasti i Lavdrim Muhaxherit.

Megjithatë, ky pretendim është i pasaktë. Gjatë hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se në muajin nëntor të vitit 2020, Qendrat e mjekësisë familjare në Kaçanik dhe në Hanin e Elezit kanë pranuar nga kontingjenti ushtarak italian i KFOR-it disa pajisje mjekësore. (shih këtu)


Sipas autorit të fotografisë, i cili është shprehur se KFOR-i nuk ka qenë në Kaçanik që nga rasti i Lavdim Muhaxherit, hibrid.info ka gjetur se ky person është raportuar i vrarë në 8 qershor të vitit 2017. (shih këtu dhe këtu)


Autori i këtij artikulli e ka paraqitur vizitën e KFOR-it në Kaçanik si diçka të pazakontë. Ndërsa dihet se KFOR mund të lëvizë në të gjithë territorin e Kosovës.

Në faqen zyrtare të KFOR-it thuhet: Në mbarë Kosovën, KFOR-i është duke bashkëpunuar dhe koordinuar me Kombet e Bashkuara (OKB), Bashkimin Evropian (BE) dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë për të mbështetur zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike, multietnike dhe paqësore. (shih këtu)


Artikullin me fotografinë dhe pretendimin e njëjtë e kanë publikuar edhe portale tjera si “Orainfo.net”, “Fiks.al” dhe “Botasot.info”.


Analiza:

Portali “Reporteri.net” ka publikuar një fotografi në të cilën shihet dy automjete të KFOR-it në qytetin e Kaçanikut.

Lexuesi i këtij portali, i cili ka realizuar fotografinë është shprehur se KFOR nuk është parë në Kaçanik që nga rasti i Lavdrim Muhaxherit i cili ishte shpallur terrorist.

Mirëpo, ky pretendim është i pasaktë, pasi gjatë hulumtimit të kryer nga hibrid.info, Muhaxheri është njoftuar se është vrarë më 8 qershor të vitit 2017. Ndërsa në vitin 2020 KFOR ka qenë në Kaçanik dhe Han të Elezit, më saktësisht në Qendrat e mjekësisë familjare, të cilat kanë pranuar kontingjent me pajisje mjekësore ushtarak nga KFOR-i Italian.

Bazuar në metodologjinë e punës, ky artikull është vlerësuar nga hibrid.info si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others