info@hibrid.info
Lavrovi risjell krahasimin e pabazë të Kosovës me Krimenë dhe Donbasin
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, gjatë një takimi me krerët e misioneve diplomatike të akredituar në Moskë në tryezën e rrumbullakët të ambasadorëve, pretendoi se Perëndimi përdor standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve ndërkombëtare.

Ai theksoi se parimi i vetëvendosjes së popujve u aplikua për Kosovën për të justifikuar pavarësinë e saj, ndërsa i njëjti parim nuk pranohet për Krimenë dhe Donbasin, ku popullsia lokale ka shprehur vullnetin për t’u bashkuar me Rusinë.

Ky pretendim i tij u publikuar në mediat ruse, Russia Today Balkan (RT) dhe Sputnik, shërbimet në gjuhën serbe.

Lavrovi dhe zyrtarët rusë vazhdojnë të përdorin rastin e Kosovës si një precedent për të justifikuar aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen në Donbas të Ukrainës, edhe pse krahasimi është i pabazë.

Çka pretendoi Lavrovi?

Ministri rus Lavrov pretendon se Perëndimi përdor standarde të dyfishta në politikën ndërkombëtare. Ai thotë se, vetëvendosja e popujve u mbështet nga Perëndimi në rastin e Kosovës, duke justifikuar pavarësinë e saj, ndërsa në rastin e Krimesë, Donbasit dhe Novorossiyas, Perëndimi mbështet parimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe nuk njeh vullnetin e shprehur nga popullsitë lokale atje.

“Kur është e nevojshme, zbatohet parimi i vetëvendosjes së popujve, siç veproi në rastin e Kosovës dhe Metohisë. Kur qëllimi i tyre është të mbështesin të mbrojturit e tyre, pasardhësit e tyre si regjimi nazist ukrainas, atëherë ata i përmbahen parimit të integritetit territorial dhe injorojnë gjithçka që kanë bërë njerëzit e Krimesë, Donbasit dhe Novorossiyas”, citohet të ketë thënë Lavrovi.

Sipas tij, Perëndimi mbështet vetëvendosjen vetëm kur i përshtatet interesave të tij dhe mbron integritetin territorial kur kjo i shërben politikave të tij gjeopolitike.

Ku janë dallimet në këtë krahasim?

NATO nuk e pushtoi Kosovën pasi i dëboi forcat serbe, por dërgoi një mision paqeruajtës. Trupat ruse, nga ana tjetër, kanë vendosur kontrollin mbi Krimenë, edhe para se të mbahej një referendum për bashkimin me Rusinë.

NATO ndërhyri në Kosovë pas dëshmive të krimeve serbe kundër shqiptarëve, të cilat përfshinin vrasje masive dhe dëbime nga vendbanimet e tyre. Forcat ruse kanë ndërhyrë në Ukrainë, megjithëse nuk janë raportuar abuzime apo dhunë kundër rusëve etnikë.

Kosova shpalli pavarësinë, por nuk iu bashkua Shqipërisë. Krimea, e cila është e banuar kryesisht nga qytetarë rusë, nënshkroi një marrëveshje për t’u bashkuar me Rusinë dy ditë pas një referendumi që Perëndimi e gjykoi si jodemokratik (këtu).

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 (këtu). Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare (këtu). Pavarësia e Kosovës deri më tani është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë ShBA-në dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian (këtu).

Për më tepër, Krimea është pjesë integrale e shtetit të Ukrainës e cila është aneksuar në mënyrë ilegale nga Rusia në vitin 2014 (këtu). Referendumi në Krime, i mbajtur më 16 mars 2014, u refuzua në të njëjtin vit si i paligjshëm – me votat e 100 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (shih këtu).

Edhe pse krahasimi i Krimesë me Kosovën është i paqëndrueshëm, zyrtarët të lartë të Rusisë vazhdojnë ta përdorin këtë si alibi, duke filluar nga presidenti Vladimir Putin dhe ministri i jashtëm, Sergey Lavrov (shih këtu, këtu).

Platforma për verifikim faktesh, hibrid.info, më 11 nëntor ka publikuar raportin “Krahasimi Ukrainë – Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”. Aty për herë të parë janë krahasuar narrativat ruse për Ukrainën dhe ndërlidhja e tyre me Kosovën. (Raporti i plotë)


Analiza:

Gjatë një takimi me krerët e misioneve diplomatike në Moskë, Lavrov pretendoi se Perëndimi përdor standarde të dyfishta, duke zbatuar parimin e vetëvendosjes për Kosovën, por duke e mohuar atë për Krimenë dhe Donbasin, ku, sipas tij, popullsia lokale ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me Rusinë.

Faktet tregojnë se krahasimi i Kosovës me Krimenë dhe Donbasin është i pabazë, pasi Kosova shpalli pavarësinë nën administratën ndërkombëtare, ndërsa Krimea u aneksua me forcë nga Rusia dhe Donbasi u pushtua nga forcat ruse dhe grupe separatiste të mbështetura nga Rusia, duke shkelur traktatet ndërkombëtare dhe pa mbështetje të gjerë ligjore.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info deklaratën e Lavrovit e vlerëson si “Deklaratë të pavërtetë”.


Arsyetimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others

Translate »