Shkroi: Fatbardh Dema
“MESAZHI I PRERE/ Ose Kosova do të bashkëpunojë me SHBA-në, ose do të përballet me pasoja të rënda”, mban titullin një artikull i portalit në gjuhën shqipe “ntv.al”. Artikulli u shoqërua me fotografinë e emisarit amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell.
Artikulli u publikua të enjten (6 shkurt).
Cila është e vërteta?
Përderisa titulli lë të kuptohet se bëhet fjalë për mesazh nga Grenelli, artikulli sqaron se është opinion i Baton Haxhiut. Shkrimi bazohet në kolumnën e Haxhiut, të publikuar nga mediumi “albanianpost.com” më 4 shkurt.
“Grenell i Tregon Dyert Kurtit: SHBA Nuk i Beson Më!” titullohet shkrimi i Haxhiut në “albanianpost.com”.
Se është opinion, “albanianpost.com” e ka sqaruar në postimin në faqen e vet në Facebook, ku e ka cekur se bëhet fjalë për kolumne. (Shih këtu)

Bazuar në faktin që Grenell ka qenë në fotografinë e artikullit të “ntv.al” mund të nënkuptohet se mesazhi “ose Kosova do të bashkëpunojë me SHBA-në, ose do të përballet me pasoja të rënda”, është thënë nga vetë Grenelli.
Por çfarë ka thënë Grenelli?
Në një shkrim në platformën “X”, më 3 shkurt, Richard Grenell kishte shkruar:
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri… dhe shumë miq në Serbi dhe mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por na duhen partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme në mandatin e parë të Trumpit, e as gjatë mandatit të Bidenit. Edhe Republikanët edhe Demokratët e kanë kritikuar Kurtin në vazhdimësi për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Ashtu ka bërë edhe BE-ja dhe NATO-ja. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”
Pra titulli nuk është fjali e thënë nga vetë Grenelli, siç mund të aludohet përmes titullit dhe fotografisë në artikullin e “ntv.al”.
Por fjalia e përdorur në titull të “ntv.al” është interpretim i Haxhiut.
Analiza:
Portali në gjuhën shqipe “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “MESAZHI I PRERE/ Ose Kosova do të bashkëpunojë me SHBA-në, ose do të përballet me pasoja të rënda”, të shoqëruar me fotografinë e Richard Grenellit, emisar amerikan për misione të posaçme.
Për dallim nga titulli dhe fotoja, teksti brenda sqaron se bëhet fjalë për opinion të Baton Haxhiut.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë titull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.