Shkroi: Fatbardh Dema
Është pretenduar nëpërmjet një postimi në Facebook se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Ragip Xhaka, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit i ka marrë vetëm 34 vota.
“Kështu është kur ta krahasosh Albinin me Serbinë, as familja jote nuk të votojnë të gjithë!” shkruhet në postimin e llogarisë “Zyliha Demaj” në grupin “Mërgata me Kryeministrin” më 19 shkurt. Postimi përmban një fotografi të Xhakës, me fjalinë “RAGIP XHAKA KA MARR VETEM 34 VOTA.”
Cila është e vërteta?
Ragip Xhaka, si kandidati me numrin 34 në listën e PDK-së, i ka marrë 14 mijë e 421 vota, nga procesimi i 96.05 për qind të vendvotimeve në numërimin e votave për kandidatët për deputetë. (Shih këtu). Aty s’janë përfshirë rreth 70 mijë pako nga mërgata në votimin me postë dhe mbi 15 mijë vota në përfaqësi diplomatike. Po ashtu s’janë përfshirë as rreth 15 mijë vota me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
Postimi në Facebook:

Rezultatet nga qendrat komunale të numërimit (pas procesimit të 96.05% të vendvotimeve), sipas uebfaqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve:

Postimi në këtë grup të Facebookut, deri në momentin e trajtimit i ka marrë më shumë se 300 komente e i ka edhe 430 reagime. Postimi u shpërnda më pas edhe në disa faqe në Facebook. (Shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se kandidati i PDK-së për deputet, Ragip Xhaka, i ka marrë “vetëm 34 vota” në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Por e vërteta është se nga procesimi i rreth 96 për qind të të dhënave nga qendrat komunale të numërimit, ai ka marrë mbi 14 mijë vota.
Publikimi fillimisht u bë në një grup e më pas u shpërnda në faqe në Facebook.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.