Shkroi: Fatbardh Dema
Në ekosistemin informativ shpesh hasim në artikuj që publikohen me tituj çorientues.
Në mesin e tyre ka tituj që nuk sqarojnë vendndodhjen e ngjarjes, duke lënë hapësirë për keqinformim te lexuesit.
Hibrid.info ka trajtuar qindra artikuj të tillë të cilët kanë përdorur tituj e fotografi përmes së cilave nuk kanë sqaruar se ku kanë ndodhur ngjarjet.
Ne ju sjellim tre shembuj të tillë të këtyre artikujve të trajtuar nga hibrid.info e të vlerësuar si “Clickbait”.
“Rasti tronditës, 14-vjeçarja përdhunohet nga 12 persona. 11-vjeçari bënte rojën”, mban titullin një artikull i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “oranews.tv”.
Ky artikull u publikua edhe në faqen e këtij portali në Facebook “RTV ORA”. Në këtë postim, kjo faqe ka arritur të grumbullojë gjithsej 161 reagime e 26 komente. (shih fotografinë më poshtë)

Çka nuk shkon me këtë artikull?
Pasi të klikohet në këtë artikull, lajmi qartësohet duke e bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në Belgjikë.
Duke u bazuar në komentet e lëna nga lexuesit në këtë postim, vërehet se shumica prej tyre kanë rënë pre e këtij titulli çorientues duke lënë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë nga vendet shqipfolëse. (shih këtu)
Një tjetër artikull i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “Albeu.com” mban titullin “Aksident tragjik/ Përmbyset autobusi, humbin jetën 10 persona, plagosen 36 të tjerë”. Artikulli u publikua edhe në Facebook nga faqja e këtij portali “Albeu.com”.
Ky postim deri në shkrimin e këtij artikulli, ka grumbulluar gjithsej 274 reagime e 30 komente. (shih fotografinë më poshtë)

Çka nuk shkon me këtë artikull?
Titulli i këtij artikulli nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja, e lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje ku bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në Iran.
Shumica e komentuesve kanë kritikuar portalin në fjalë për mossqarim në titull se ku ka ndodhur ngjarja. (shih këtu)
Portali tjetër “Prishtina01.com” kishte publikuar një artikull me titull “Masakër një person futet në shtëpinë e pleqve, vret pesë persona”.
Artikulli u gjet i publikuar edhe në Facebook nga faqja “Gazeta Prishtina”, i cili grumbulloi 23 reagime e 5 komente. (shih fotografinë më poshtë)

Çka nuk shkon me këtë artikull?
Vetëm pasi të klikohet artikulli, në përmbajtje sqarohet se ngjarja ka ndodhur në Kroaci.
Çka është “Clickbait”?
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.