Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një video-material me mbishkrimin “Kritika e Jasharit – ‘Kjo qeveri, brenda ka njerëz anti UÇK’”.
Videoja, në të cilën para se të klikohet shihet imazhi i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, komandantit dhe themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), është publikuar në faqen e televizionit “Klan Kosova” në Facebook më 6 mars.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Në bazë të përshkrimit që është vendosur në video dhe në bazë të fotografisë së kopertinës së videos, mund të thuhet se para se të klikojë videon, audienca mund të besojë se deklarata e paraqitur ka ardhur nga Rifat Jashari.

Pas kontrollit të përmbajtjes së videos, hibrid.info ka gjetur se deklarata e vendosur në mbishkrim, është bërë nga Xhavit Jashari, kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve.
Për të vërtetuar se kjo deklaratë u tha nga Xhavit Jashari, hibrid.info gjeti raportime edhe në portalet e mediave tjera në gjuhën shqipe, ku është publikuar deklarata (shih këtu dhe këtu).
Në këtë kronikë deklaratat janë renditur duke filluar nga Vjosa Osmani, presidentja e vendit, Albin Kurti, kryeministër, Rifat Jashari dhe Xhavit Jashari. Çka tregon se kemi të bëjmë me dy deklarues brenda përmbajtjes, të cilët kanë mbiemrin e njëjtë (Jashari).
Në mbishkrim është vendosur vetëm mbiemri i deklaruesit, pa saktësuar emrin, ndërsa në fotografinë e kopertinës shihet imazhi i Rifat Jasharit.
Hibrid.info vlerëson se në këtë rast, paraqitja vetëm e mbiemrit të deklaruesit dhe vendosja e imazhit të Rifat Jasharit në kopertinën e videos, mund të krijojë përshtypje te audienca, se deklarata, “Kjo qeveri, brenda ka njerëz anti UÇK”, është bërë nga vëllai i komandantit Adem Jashari.
Analiza:
Xhavit Jashari, kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve ka thënë se Qeveria e Kosovës ka brenda saj njerëz anti-UÇK.
Por, në titullin e videos së publikuar nga televizioni “Klan Kosova”, është shënuar mbiemri i deklaruesit (Jashari) dhe në kopertinë është vendosur imazhi i Rifat Jasharit, përfaqësues i familjes Jashari.
E në rast se audienca nuk e shikon përmbajtjen, mund ta keqlexojë publikimin si deklaratë e bërë nga vëllai i komandantit Adem Jashari.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.