Përgatiti: Festim Rizanaj
Lajmet e rreme dhe dezinformatat kanë dominuar infosferën digjitale gjatë javës së kaluar si dy kategori kryesore të keqinformimit.
Gjatë javës së kaluar, në Facebook dhe TikTok u shpërndanë lajme të rreme mbi çështje politike. Një postim në grupin “Diaspora me PDK” pretendonte se Albin Kurti dhe Haki Abazi kishin marrë 17 milionë euro nga BIA, por kjo akuzë nuk u mbështet nga asnjë burim i besueshëm. Ndërkohë, në TikTok u përhap pretendimi se NATO kishte deklaruar se Kosova do të anëtarësohej në BE para Shqipërisë, gjë që pas verifikimit doli e pavërtetë.
Dezinformatat u shpërndanë mbi çështje ushtarake dhe historike në Facebook dhe TikTok. Një postim nga faqja “75% për Albinin” pretendonte se Kosova kishte siguruar një sistem kundërajror nga Turqia, duke përdorur një foto të vjetër të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Verifikimi faktoi se ky pretendim nuk mbështetet nga asnjë burim. Ndërkohë, një postim në TikTok pretendonte se Ibrahim Rugova ishte lideri më i votuar ndonjëherë në Kosovë, duke u bazuar në shifra nga viti 2001. Megjithatë, ato shifra i përkisnin LDK-së, pasi atë kohë nuk kishte votim të drejtpërdrejtë për kandidatë.
Një mashtrim u përhap në Instagram përmes llogarisë “berylofficial1”, e cila shpërndante një vegëz që pretendonte se përdoruesit mund të fitonin para. Pas verifikimit, u konstatua se domeni i lidhur me këtë postim ishte mashtrim dhe nuk ofronte ndonjë mundësi reale fitimi.
Një përmbajtje e paverfikuar u publikua në portal informativ “Indeksonline” ku nëpërmjet një fotoje të futbollistit Luka Modriqit u pretenduar se ai punonte në një pikë karburanti më 12 mars 2007. Në fakt, ai ishte pjesë e një fushate promovuese si lojtar i Dinamos së Zagrebit.
Në javën që shkoi u publikuan artikuj me tituj clickbait që krijojnë paqartësi. “Demokracia.com” raportoi më 9 mars një lajm me titull të paqartë mbi një deklaratë të cituar, duke mos saktësuar autorin e saj. Ndërkohë, “RTV 21” më 14 mars publikoi një titull mbi bojkotin e nxënësve gjatë Ramazanit, pa specifikuar vendndodhjen e ngjarjes.
Manipulimi i faktit u publikua më 11 mars, në një medium rus në gjuhën serbe ku u pretendua se shqiptarët në Prishtinë pritën kreun e NATO-s me flamuj të UÇK-së dhe Dardanisë. Në fakt, flamuri i UÇK-së ishte vendosur nga PSD-ja që në vitin 2021 dhe nuk kishte lidhje me vizitën e Rutte-s.
Teoria konspirative u publikua më 15 mars, ku mediume në gjuhën serbe shpërndanë pretendime se Prishtina po mbështeste protestuesit në Beograd, të cilët kërkonin përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi-Sad. Artikujt pretendonin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbështeste protestën, duke përpjekur ta lidhin këtë me raportimet e bëra në Kosovë lidhur me protestën.
Lajm i rremë
Një postim i fundit pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti Haki Abazi kanë marrë 17 milionë euro nga shërbimi sekret serb (BIA) në vitin 2015. Sipas këtij pretendimi, informacioni është zbuluar nga një agjent serb. Postimi u publikua me datë 9 mars në një grup në Facebook me emrin “Diaspora me PDK”. Pas një hulumtimi të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë burim i besueshëm që të konfirmojë këtë akuzë. Për më tepër, postimi është i shkruar me gabime të shumta drejtshkrimore, një veçori e pazakontë për një lajm të publikuar nga media serioze. (këtu)
Është pretenduar në TikTok se nga udhëheqës të NATO-s ka pasur deklarata se Kosova do të futet në Bashkimin Evropian më shpejt se Shqipëria. Pretendimi u shoqërua me fotografinë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, nga vizita në Kosovë. Por pas verifikimit të fakteve del se kjo nuk është thënë nga Rutte e as nga udhëheqës të tjerë të NATO-s. (këtu)
Mashtrim
Është gjetur një domen me anë të së cilit pretendohet se mund të bëni para. Kjo vegëz është gjetur në një llogari në instagram me emrin “berylofficial1”. Hibrid.info ka gjetur se përmbajtja e këtij domeni është mashtrim. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Portali informativ “Indeksonline” ka publikuar në Facebook një fotografi të Luka Modriqit me mbishkrimin që pretendon se ai më 12 mars 2007 ka punuar në një pikë karburanti, ndërsa sot, më 12 mars 2025, do të luajë kundër Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve. Ky pretendim nuk qëndron, pasi më 12 mars 2007, Luka Modriq nuk ishte punëtor në një pikë karburanti, por ishte vetëm pjesë e një fushate promovuese, ku për një ditë simbolikisht luajti rolin e një punonjësi në një pompë derivatesh, ndërsa ishte ende lojtar i Dinamos së Zagrebit. (këtu)
Dezinformatë
Më 10 mars, një postim në Facebook nga faqja “75% për Albinin” pretendonte se Kosova po furnizohet vazhdimisht me armatim dhe se një sistem kundërajror ishte siguruar nga Turqia. Postimi përfshinte një fotografi të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pranë një pajisjeje ushtarake. Pas verifikimit nga hibrid.info, u konstatua se ky pretendim nuk mbështetet nga asnjë fakt. Për më tepër, fotografia e përdorur në postim është e vjetër dhe daton nga 24 tetori 2024. (këtu)
Në një postim në TikTok, llogaria “muli0087” ka pretenduar se Ibrahim Rugova, ish-kryetar i LDK-së, ka qenë lideri më i votuar ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke marrë për bazë shifra nga viti 2001. Por ato shifra paraqesin votat për partinë, LDK-në, dhe jo për kandidatin Rugova. Atë kohë nuk mund të votohej direkt për një kandidat të caktuar brenda një partie. (këtu)
Clickbait
U publikua një artikull i titulluar, “Kurti i del në mbrojtje partisë së Arsenijeviqit që heroizoi terroristin Milan Radojçiq: ‘Milioner që e rroki pushkën, kjo është diçka për t’u respektuar’”. Artikulli në fjalë është publikuar më 9 mars nga mediumi “demokracia.com” Hibrid.info vlerëson se titulli është shkruar në formën e tillë, nga e cila nuk kuptohet se kush e ka bërë deklaratën e cituar brenda tij. (këtu)
Publikohet një artikull i titulluar, “Disa nxënës bojkotojnë mësimin, kërkojnë të shkurtohen orët mësimore gjatë Ramazanit”. Ky lajm është publikuar sot (14 mars) në portalin e “Radio Televizionit 21”. Hibrid.info ka gjetur se në këtë titull nuk është qartësuar vendndodhja e kësaj ngjarje. (këtu)
Manipulim i fakteve
Mediumi rus, shërbimi në gjuhën serbe, ka publikuar një artikull më 11 mars, duke pretenduar se shqiptarët në Prishtinë e kanë pritur kreun e NATO-s me flamujt e UÇK-së dhe të Dardanisë. Të dhënat faktike tregojnë se flamuri i UÇK-së është vendosur nga PSD-ja që në vitin 2021 dhe nuk është i lidhur me vizitën e Rutte-s. (këtu)
Teori konspirative
Nëpërmjet artikujve të publikuar të shtunën (15 mars), nga mediume në gjuhën serbe është pretenduar për “mbështetjen” që “Prishtina po ua ofron bllokuesve” në protestën e organizuar sot në Beograd. Këta artikuj u publikuan në kohën e organizimit të protestës nga studentët serbë, që po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave më 1 nëntor 2024, nga shembja e strehës së një stacioni hekurudhor në Novi-Sad. Artikujt kanë pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i mbështet protestuesit. Këtë janë përpjekur ta ndërlidhin përmes raportimeve që po bëhen në Kosovë për protestën në Beograd.