Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull sot (24 tetor) ku në titull pretendohet se ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari është dënuar me 1 mijë e 250 euro, për goditjen e 9 vjeçares me veturë.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk është i saktë, pasi që ministrja Hajdari është dënuar me 200 euro gjobë, dhe pjesa tjetër që përfshihet në pagesë hynë në shpenzimet e procedurës kundërvajtëse.
Vegëzat e artikujve të publikuar në disa portale informative:
https://www.periskopi.com/shkeli-me-veture-nje-femije-rozeta-hajdari-denohet-me-1-mije-e-250-euro/
Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka gjetur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të postuar në faqen e tyre në Facebook, në rastin e Rozeta Hajdarit, për aksidentimin e një të miture (9 vjeçare) me veturë në prill të vitit të kaluar (2022). Sipas këtij aktgjykimi nga Divizioni i Kundërvajtjes, e pandehura Hajdari është dënuar me gjobë prej 200 euro. (këtu)
Pjesa tjetër e pagesës që obligohet t’i paguaj ministrja Hajdari përfshihen në shpenzimet e procedurës kundërvajtëse dhe jo pjesë e gjobitjes, pra 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit, 900 euro për super ekspertizë dhe 50 euro për ekspertizë mjeko – ligjore.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e të pandehurës, Rozeta Hajdari
Prishtinë, 24 tetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Repulikës së Kosovës.
Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të andehurës R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
E pandehura R.H obligohet që të paguajë shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu obligohet të paguajë shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50 €. Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore.
Analiza:
U raportua në portale informative se ministrja e MINT, Rozeta Hajdari është dënuar me 1 mijë e 250 euro, për aksidentimin e një të miture 9 vjeçare me veturë në prill të vitit të kaluar.
Në fakt, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të postuar në faqen e tyre në Facebook, thuhet se e pandehura Hajdari është dënuar me 200 euro gjobë, pjesë tjetër pagesave hyjnë shpenzimet e procedurës kundërvajtëse dhe nuk janë pjesë e gjobës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “gabim”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin raportet në media në të cilat redaksia e mediave bënë një gabim duke publikuar informacion të pasaktë ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara nga një burim tjetër, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.