Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Keqinformata për zgjedhjet lokale, dominojnë sondazhet e rreme

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Monitorimi tregon se gjatë javës së fundit (22–28 shtator 2025), hapësira keqinformuese në media dhe media sociale është dominuar nga lajme të rreme.

Gjatë periudhës së monitorimit, lajmet e rreme janë shpërndarë kryesisht në TikTok dhe Facebook. Në TikTok, u publikua një sondazh i rremë nga llogaria “podujevax” për zgjedhjet në Podujevë, si dhe një përmbajtje e manipuluar që i atribuonte kryeministrit në detyrë Albin Kurti deklaratën “Palestina është tokë izraelite – Kosova nuk do ta njohë kurrë!”, nga llogaria “karlmartineli”. Po ashtu, në këtë platformë u shpërnda edhe një postim i manipuluar ku pretendohej se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, kishte ofenduar votuesit e Vetëvendosjes, duke u paraqitur si artikull i “Reporteri.net”. Në Facebook, faqja “Universal” publikoi një sondazh të fabrikuar për zgjedhjet në Gjakovë, ndërsa faqja “Kosova e Re” publikoi dy sondazhe të rreme për kandidatët në Ferizaj dhe Lipjan. Temat kryesore të këtyre lajmeve të rreme ishin sondazhet e manipuluara zgjedhore dhe deklaratat e pavërteta të politikanëve.

Përveç lajmeve të rreme lidhur me sondazhet zgjedhore, gjatë javës u shpërndanë edhe dezinformata ekonomike dhe diplomatike. Në Facebook, faqja “Kosova e Re” publikoi një pretendim të rremë se çmimi i bukës në Kosovë ishte rritur në 70 cent, duke përdorur një material të prillit 2025 të TV Syri Vizion, i cili në fakt i referohej vetëm rritjes së çmimit në Gjakovë. Ndërkohë, faqja “Gunpowder Chronicles” publikoi një artikull të pabazuar ku pretendohej se Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ishte shkarkuar nga detyra. Ky pretendim u hodh poshtë nga Ambasada e Gjermanisë, e cila sqaroi për hibrid.info se mandati i tij është vetëm i zgjatur përkohësisht deri në ardhjen e ambasadorit të ri në tetor.

Një rast manipulimi faktesh u evidentua në TikTok, ku një video e publikuar të premten (26 shtator) nga llogaria “podujeva072” pretendonte të paraqiste një deklarim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA. Në video, që shfaqej me datën 26 shtator 2025, Kurti shihej duke folur nga një aeroplan. Megjithatë, pas verifikimit, hibrid.info konstatoi se materiali nuk ishte aktual, por një video e publikuar nga vetë Kurti në Facebook më 13 maj 2022.

Një përmbajtje e paverifikuar u publikua nga mediumi “botasot.info”  më 26 shtator ku pretendohej se Kosova nuk mori pjesë në takimin e udhëheqësve ballkanikë në SHBA dhe se nuk ishte ftuar në diskutime rajonale. Këto pretendime u hodhën poshtë, pasi presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në takim me ftesë zyrtare, por arriti me vonesë për shkak të agjendës.

Lajm i rremë

Në rrjetin social TikTok, të dielën (21 shtator), u shpërnda një material me pretendimin se bëhej fjalë për një sondazh të kryer nga “Instituti Polis”, i cili paraqiste përqindjen e mbështetjes së kandidatëve për kryetar të Komunës së Podujevës. Postimi u publikua nga llogaria me emrin “podujevax“. Në të pretendohet se Shpejtim Bulliqi prin me 57.1%, pasuar nga Ekrem Hyseni me 27.9% dhe Isak Shabani me 11.4%, ndërsa 3.6% u atribuohej kandidatëve të tjerë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky sondazh është i rremë. (këtu)

Publikohet një fotografi që paraqet një artikull informativ që pretendon se kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar: “Palestina është tokë izraelite – Kosova nuk do ta njohë kurrë!” Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (22 shtator) në TikTok nga një llogari me emrin “karlmartineli”. Hibrid.info ka gjetur se Kurti nuk është deklaruar publikisht asnjëherë për këtë çështje. (këtu)

Një postim në Facebook nga faqja “Universal” pretendonte se një sondazh i institutit “SDSG” tregonte se Ardian Gjini (AAK) kryeson garën për kryetar të Komunës së Gjakovës me 39.7%, pasuar nga Ervin Shabani (PDK) me 27.3% dhe Ardian Gola (LVV) me 25.5%. Sondazhi gjithashtu përmendte Shefqet Shehun (LDK) me 6.7% dhe Anton Shalën (PSHDK) me 0.8%. Pas verifikimit nga hibrid.info, u konstatua se ekziston një organizatë me emrin “SDSG” në SHBA, por ajo merret me energjinë e qëndrueshme dhe zhvillimin e burimeve natyrore, jo me sondazhe politike. Sipas kësaj, sondazhi i përmendur nuk ka asnjë bazë dhe nuk është gjetur i publikuar nga asnjë media e besueshme. (këtu)

Janë publikuar dy përmbajtje me pretendimin se paraqesin sondazhe për kryetarë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Ferizaj dhe në Lipjan. Publikimet janë bërë nga faqja “Kosova e Re” në Facebook më 24 shtator. Në postime pretendohet se sondazhi ka nxjerrë fitues pa balotazh Agim Aliun e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe Imri Ahmetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky sondazh është i rremë. (këtu)

Një postim në TikTok pretendoi se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se “të gjithë votuesit e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes janë njerëz të Serbisë”, duke e paraqitur sikur artikull i publikuar nga “Reporteri.net” më 23 shtator 2025. Pas verifikimit, rezultoi se Tahiri nuk ka dhënë një deklaratë të tillë dhe se është manipuluar me një artikull të vjetër të “Reporteri.net” (11 shtator 2019), të cilit i është ndryshuar titulli dhe data. (këtu)

Dezinformatë

Një postim në Facebook nga faqja “Kosova e Re” pretendoi se çmimi i bukës në Kosovë është rritur në 70 cent. Pas verifikimit, hibrid.info konstatoi se ky pretendim është i pasaktë. Fotografia e përdorur është marrë nga një video e prillit 2025 e TV Syri Vizion, që raportonte për rritjen e çmimit të bukës vetëm në Gjakovë, ndërsa nuk ka raportime nga media kredibile për një rritje të tillë në nivel vendi. (këtu

Në një artikull të publikuar nga faqja “Gunpowder Chronicles” është ngritur pretendim i pabazuar se Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, është shkarkuar nga pozita e tij. Ky pretendim hedhet poshtë nga pala e përfolur në artikull (Ambasada e Gjermanisë në Kosovë) duke dhënë qëndrimin e tyre zyrtar i cili është tërësisht i ndryshëm. Në një përgjigje për Hibrid.info, nga ky mision diplomatik thonë se mandati i rregullt i ambasadorit Rohde “do të kishte përfunduar deri në fund të qershorit 2025”, por që atij i është kërkuar që ta vazhdojë mandatin derisa ambasadori i ri i caktuar “të lirohet nga detyrimet e tij të mëparshme në tetor”. (këtu)

Manipulim i fakteve

Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok është pretenduar për një deklarim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në videon e publikuar të premten (26 shtator) nga llogaria “podujeva072” shfaqet edhe data 26 shtator 2025. Aty shfaqet Kurti duke folur nga aeroplani. Videoja nuk është aktuale. Hibrid.info ka gjetur se videoja ishte publikuar nga Kurti në Facebook më 13 maj të vitit 2022. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Mediumi “botasot.info” ka publikuar të premten (26 shtator) një artikull me titull “Grenell mbledh udhëheqësit ballkanikë në SHBA – Kosova jashtë tryezës, Shqipëria ulet pranë Serbisë”. Në artikull pos pretendimit se Kosova nuk ka marrë pjesë, u tha po ashtu se “Kosova nuk u ftua në diskutimet rajonale”. Kjo hidhet poshtë përmes raportimeve që dëshmojnë me fotografi pjesëmarrjen e presidentes Vjosa Osmani. I pasaktë është edhe konstatimi bazuar në fotografitë në të cilat nuk shihej Osmani se “Kosova nuk u ftua në diskutimet rajonale”. Presidenca ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në takim me ftesën e organizatorëve, por se kishte shkuar me vonesë për shkak të takimeve të tjera. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere