Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”… Të fundit | Kujtesa që chatbot-i ruan për ty mund të formësojë realitetin informativ që…
[ ARTIKULLI ]

Narrativat e zyrtarëve nga Serbia për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë nuk janë shoqëruar vetëm me debate të brendshme politike dhe fushata të zakonshme elektorale, por edhe me një ndërhyrje të dukshme nga aktorët politikë të Serbisë, të cilët e kanë lidhur pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimeve me çështje identitare dhe ekzistenciale për komunitetin serb në Kosovë.

Përmes një sërë deklaratash të udhëheqësve të lartë serbë është krijuar një narrativë politike, përmes së cilës pjesëmarrja në votime dhe mbështetja për Listën Serbe nuk shihen thjesht si një zgjedhje partiake apo lokale, por si akt kombëtar dhe kusht për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Kjo qasje e shndërron procesin zgjedhor nga një mekanizëm demokratik për zgjedhjen e përfaqësuesve lokalë, në një betejë politike të lidhur ngushtë me identitetin kombëtar dhe me marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, Miloš Vučević, kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe këshilltar i presidentit serb Aleksandar Vučić, deklaroi se votimi për Listën Serbe më 12 tetor është “dëshmi e fuqisë legjitime të popullit serb” dhe një mënyrë për të rrëzuar “gënjeshtrat e atyre që duan Kosovë pa serbë”. Me këtë mesazh, Vučević e paraqiti votën jo si një të drejtë individuale të qytetarëve, por si një detyrim kolektiv i lidhur me mbijetesën e një komuniteti të tërë.

Në të njëjtën linjë, Arno Gujon, drejtor i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore në qeverinë serbe, u shpreh se fitorja e Listës Serbe është “garancia që zëri i popullit serb do të dëgjohet”. Kjo deklaratë përforcon idenë se vetëm një parti politike specifike mund të sigurojë përfaqësimin dhe të drejtën e fjalës për komunitetin serb, duke e kufizuar hapësirën për diversitet politik brenda vetë komunitetit.

Edhe më i ashpër në retorikën e tij ishte Petar Petković, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në një postim në Instagram, ai e cilësoi këtë proces si një çështje “gjithëkombëtare, jo partiake”, duke thënë se serbët duhet të bashkohen “nën një flamur të vetëm serb” bashkë me presidentin Vučić. Në të njëjtën kohë, Petković akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se “po bën gjithçka që serbët të mos ekzistojnë në Kosovë”. Sipas tij, mbështetja për Listën Serbe është mënyra përmes së cilës komuniteti serb “ruan unitetin dhe mbron vatrat e veta”.

Ky lloj komunikimi krijon një narrativë të fuqishme, ku votimi për një parti specifike shihet jo thjesht si një zgjedhje politike, por si një element i mbijetesës dhe ruajtjes së komunitetit serb në Kosovë, duke lidhur identitetin etnik me pjesëmarrjen politike dhe duke rritur presionin mbi votuesit për të ndjekur udhëzimet e aktorëve jashtë vendit.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere