Përgatiti: Festim Rizanaj
Në periudhën 26–31 janar 2026, teoritë konspirative dominuan ekosistemin informativ në Kosovë.
Gjatë kësaj periudhe, teoritë konspirative u publikuan kryesisht në media sociale dhe faqe propagandistike online, me fokus të veçantë në Telegram dhe domainë pro-Kremlinit. Kanali “Balkanar” në Telegram dhe faqja ruse në shqip albania.news-pravda.com shpërndanë narrativa se në Kosovë po zhvillohet një fushatë për “spastrimin etnik të serbëve” dhe se ekziston një klimë e “serbofobisë”, duke e lidhur këtë pretendim me rastin e gjetjes së 140 kg eksploziv në Zubin Potok, pavarësisht se autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se hetimet janë në vazhdim dhe pa atribuar fajësi. Paralelisht, deklarata të aktorëve politikë nga Serbia, si ish-zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, u përdorën për të përforcuar narrativën konspirative se militarizimi i Ushtrisë së Kosovës nga Perëndimi ka si qëllim luftën kundër serbëve, një pretendim i pabazuar që bie ndesh me misionin zyrtar mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mungesën e çdo raportimi ndërkombëtar për rrezikim të stabilitetit rajonal.
Në këtë periudhë u evidentuan raste dezinformimi dhe clickbait-i të shpërndara në Telegram, Facebook dhe ueb-faqe propagandistike, me tema që lidhen me sigurinë dhe politikën e brendshme në Kosovë. Kanale në gjuhën ruse në Telegram, rrjeti propagandistik rus “Pravda” në shqip dhe faqja “podolyaka.ru” publikuan pretendimin e rremë se Forcat e Sigurisë së Kosovës kishin prezantuar dronin “SKIFTERI K1”, ndonëse verifikimi nga hibrid.info dëshmoi se droni ishte prezantuar nga kompani private në Kosovë. Ndërkohë, në Facebook u përhap përmbajtje clickbait nga faqja “Kliko.info”, e cila, përmes mbishkrimeve dhe videove të pasakta, pretendoi rrejshëm një përplasje mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Avdullah Hotit, duke i nxitur përdoruesit të klikojnë për “detaje” që mungonin, çka kontribuoi në përhapjen masive të një narrative të pavërtetë.
Gjatë kësaj periudhe u identifikuan raste manipulimi faktesh dhe dezinformimi të shpërndara kryesisht në Facebook, me fokus në keqinterpretimin e deklaratave politike dhe rikontekstualizimin e përmbajtjeve të vjetra. Llogaria “Ndryshimi Vazhdon” publikoi një video të vjetër të tetorit 2024, duke pretenduar rrejshëm se Ramush Haradinaj po kërkonte votë për president, ndonëse ai fliste si kandidat i AAK-së për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe kishte përjashtuar bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidencës. Po ashtu, në përmbajtje të tjera u manipulua deklarata e ish-deputetit Arben Gashi, duke u pretenduar se ai kishte konfirmuar mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën presidenciale të Haradinajt, ndërkohë që ai kishte folur vetëm për një ide të dëgjuar, pa asnjë konfirmim se një proces i tillë ishte realizuar.
Po ashtu u identifikuan raste lajmesh të rreme dhe manipulimi faktesh, të shpërndara kryesisht në Facebook dhe TikTok, me ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin publik. Në Facebook u pretendua rrejshëm se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, synon postin e presidentit të Kosovës, ndonëse verifikimi nga hibrid.info nuk gjeti asnjë konfirmim apo propozim zyrtar që ta mbështesë këtë pretendim, ndërsa burimi i vetëm mbeti një deklaratë jozyrtare e një analisti televiziv. Paralelisht, në TikTok u përhap një video manipuluese që pretendonte vdekjen e një 13-vjeçareje të dhunuar, duke përdorur pamje nga një rast i vjetër dhe i palidhur, ndonëse asnjë institucion zyrtar nuk ka konfirmuar një vdekje të tillë në rastin e fundit të raportuar në Istog, çka dëshmon përdorimin e përmbajtjeve emocionale për të përhapur dezinformim.
Një SMS mashtrues u është dërguar qytetarëve të Kosovës që u paraqit rrejshëm si njoftim nga DHL Express për një pako të papërfunduar, duke i ftuar të klikojnë në një vegëz phishing të rrezikshme, e cila pas verifikimit rezultoi se nuk ishte e lidhur me DHL-in.
Dezinformatë
Një kanal në gjuhën ruse në Telegram, më pas rrjeti propagandistik rus “Pravda” në gjuhën shqipe dhe ueb-faqja “podolyaka.ru”, kanë publikuar një përmbajtje duke pretenduar se një dron i quajtur “SKIFTERI K1” është prezantuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron, pasi droni nuk është prezantuar nga FSK-ja, por nga kompani private në Kosovë. (këtu)
Dezinformatë/Clickbait
Në Facebook është postuar një video me mbishkrimin se jep detaje për një përplasje të supozuar në mes të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe anëtarit të Kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hoti. Për pretendimin për një përplasje mes Lumir Abdixhikut dhe Avdullah Hotit, faqja “Kliko.info” në Facebook ka përdorur video dhe mbishkrim të pasaktë. Videoja shfaq Hotin në Akademinë Përkujtimore për Ibrahim Rugovën dhe nuk përputhet me pretendimin. Po ashtu në komente mungojnë “detajet” për çka bëhet thirrje që të klikohet nga faqja. Për shkak se përmbajtja i ka marrë më shumë se 500 mijë klikime për dy ditë, mund të konstatohet se thirrja për “detajet në koment” është perceptuar si e mirëqenë. (këtu)
Manipulim i fakteve/Dezinformatë
Pretendimi i llogarisë “Ndryshimi Vazhdon” në Facebook se Ramush Haradinaj po kërkon votë për president, është i rremë. Videoja e publikuar nga kjo llogari, është e vjetër dhe pjesë e një interviste të tetorit 2024. Atëkohë Haradinaj fliste si kandidat i AAK-së për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit 2025. Ai kërkonte votën për kryeministër dhe jo për postin e presidentit. Në intervistën e plotë, madje Haradinaj pati refuzuar se do të bashkëpunonte me Lëvizjen Vetëvendosje për t’ia vazhduar qeverisjen Albin Kurtit, edhe kur u pyet nëse do të hynte në koalicion për ta marrë postin e presidentit. (këtu)
Manipulim i fakteve
Në disa përmbajtje pretendohet se ish-deputeti Arben Gashi ka deklaruar se Ramush Haradinaj po i mbledh nënshkrimet për kandidaturën presidenciale. Por në të vërtetë, Gashi deklaroi vetëm se kjo ishte një ide që kishte dëgjuar, pa ditur nëse është realizuar. (këtu)
Teori konspirative
Kanali pro-Kremlinit në Telegram, “Balkanar”, ka publikuar një përmbajtje, përmes së cilës pretendon se në Kosovë po zhvillohet një fushatë për spastrimin etnik të serbëve. Ky pretendim nga ky kanal vjen pas gjetjes së një sasie eksplozivi prej 140kg nga Policia e Kosovës në një shtëpi të pabanuar në një fshat të Zubin Potokut, zonë kjo e banuar me shumicë serbe. Pretendimin e këtij kanali në “Telegram” e ka trajtuar edhe domaini propagandistik rus në shqip, “albania.news-pravda.com”, duke thënë se në Kosovë ka “serbofobi”. Por, Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për rastin ka deklaruar se hetimet janë duke vazhduar, duke mos akuzuar askënd për këtë sasi eksplozivi. (këtu)
Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka deklaruar se militarizimi i Ushtrisë së Kosovës nga Perëndimi ka vetëm një qëllim, e ai është lufta kundër serbëve. Ky pretendim i tij nuk është i bazuar, pasi që kur është themeluar Ushtria e Kosovës, 14 dhjetor 2018, vazhdimisht nga krerët e institucioneve të vendit është thënë se kjo forcë ka mision mbrojtës e jo sulmues. Madje, asnjëherë nuk ka pasur raportime në mediat ndërkombëtare, apo deklarime nga krerë shtetesh perëndimore, se Forca e Sigurisë së Kosovës ka cenuar stabilitetin në vend a rajon. (këtu)
Mashtrim
Qytetarëve të Kosovës u është dërguar një SMS mashtrues që pretendon se vjen nga DHL Express në Kosovë, duke i njoftuar rrejshëm për një “pako” që nuk mund të dorëzohet për shkak të adresës së paplotë dhe duke i ftuar të klikojnë në një vegëz për përditësim të të dhënave. Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se mesazhi (SMS) nuk është dërguar nga DHL, por nga një email privat, ndërsa vegëza e përfshirë në të është mashtruese. Kjo ueb-faqe është cilësuar si e rrezikshme nga shfletuesi Chrome dhe nga platformat e verifikimit të faqeve, të cilat paralajmërojnë për rrezik phishing. (këtu)
Lajm i rremë
Përmes një postimi në Facebook u pretendua se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, synon postin e presidentit të Kosovës. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë konfirmim apo propozim zyrtar që mbështet këtë pretendim. Kërkimet në Google nuk ofrojnë burime kredibile, përveç një deklarate të një analisti në një emision televiziv, e cila nuk përbën fakt zyrtar. Pavarësisht kësaj, një pjesë e komentuesve në postimin në Facebook e kanë marrë pretendimin si të vërtetë. (këtu)
Lajm i rremë/Manipulim i fakteve
Nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok të premten (30 janar) është pretenduar për vdekjen e një 13-vjeçareje e cila dyshohet se u dhunua nga një 55-vjeçar. Pretendimi se ka vdekur 13-vjeçarja për të cilën më 30 janar u raportua se është dhunuar nga një burrë, është i pavërtetë. Në TikTok ky pretendim është bërë nëpërmjet manipulimit duke publikuar video të një rasti të vjetër, kur një e mitur pati humbur jetën si pasojë e shpërthimit të në bombole gazi. Asnjë institucion zyrtar nuk ka konfirmuar vdekjen e viktimës në rastin e fundit të dhunimit në Istog. (këtu)



