Shkroi: Festim Rizanaj
Çështja e zgjedhjeve në Kosovë ka zënë vend në një konferencë për media të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Në paraqitjen e saj para gazetarëve më 17 tetor, ajo u pyet lidhur me zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor në Kosovë.
Gazetarët kërkuan që ajo të komentonte ndikimin e mundshëm të faktit se Lista Serbe ka fituar në 9 komuna pa balotazh në zhvillimin e situatës politike, duke pyetur nëse ky rezultat mund të nënkuptojë rikthimin e kontrollit serb mbi veriun e Kosovës.
Deklarata e Zakharovas e përkthyer në shqip:
“Pyetje: Më 12 tetor, Kosova mbajti zgjedhjet komunale. Si mund të ndikojë suksesi i Listës Serbe në zhvillimin e situatës dhe a mund të flitet për rikthimin e kontrollit serb në veri të Kosovës?
Maria Zakharova: Para së gjithash, duhet kujtuar në çfarë kushtesh Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, mori pjesë në zgjedhje. U bënë përpjekje për t’ia mohuar regjistrimin, përfaqësuesit e saj u përjashtuan nga komisionet zgjedhore territoriale, ndërsa gazetarëve të mediave në gjuhën serbe nuk iu lejua hyrja në qendrat e votimit. Në të ashtuquajturin “parlament” të Kosovës, shqiptarët, duke shkelur rëndë procedurat ligjore, promovuan një “kukull serbe” besnike ndaj Prishtinës dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti në pozitën e “nënkryetarit të kuvendit”, megjithëse ai nuk kishte mandat për të përfaqësuar popullsinë jo-shqiptare që jeton në këtë rajon.
Pavarësisht këtyre rrethanave dhe presionit të madh, Lista Serbe veproi me dinjitet dhe fitoi bindshëm në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe. Po flasim për një hap të rëndësishëm që do t’i ndihmojë serbët të rifitojnë kontrollin mbi zonat veriore, ku pushteti ishte uzurpuar nga kryetarët shqiptarë të vetëshpallur që nga maji i vitit 2023. Nuk ka dyshim se Albin Kurti do të përpiqet ta minojë këtë rezultat, dhe është koha të pritet për provokime të reja nga kosovarët para raundit të dytë më 9 nëntor.
Mbështetja masive që mori Lista Serbe tregon besimin e lartë të qëndrueshëm që serbët e Kosovës kanë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kursit të Beogradit për mbrojtjen e interesave të bashkatdhetarëve të tyre në provincat jugore të vendit.”
Në përgjigjen e Zakharovas u vunë re narrativa të ngjashme me ato që shpërndahen nga mediat ruse si “Russia Today Balkan” dhe “Sputnik Serbia”, të cilat zakonisht theksojnë legjitimitetin e strukturave serbe në veri të Kosovës dhe paraqesin zgjedhjet si dëshmi të vullnetit të popullit serb “për t’u mbrojtur nga presioni i Prishtinës”.
Narrativat e Zakharovas për zgjedhjet lokale në Kosovë
Nga përgjigjja e Zëdhënëses së MPJ-së ruse, Maria Zakharova, më 17 tetor 2025, për rezultatet e zgjedhjeve komunale në Kosovë, narrativat kryesore ruse mund të nxirren si më poshtë:
Zgjedhjet u zhvilluan nën presion dhe censurë (viktimizim): Lista Serbe shkoi në zgjedhje nën “kushte të vështira dhe presion të madh”, duke përfshirë “tentativa për t’ia mohuar regjistrimin”, “përjashtimin e përfaqësuesve” nga komisionet, dhe moslejimin e gazetarëve serbë në vendvotime. Kjo e pozicionon komunitetin serb si viktimë të institucioneve të Kosovës.
Rikthimi i kontrollit të uzurpuar (legjitimimi i fitores): Fitorja e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe përbën një “hap të rëndësishëm” që do t’i ndihmojë serbët “të rifitojnë kontrollin e tyre mbi zonat veriore”, ku pushteti ishte “uzurpuar” nga kryetarët shqiptarë që nga maji 2023. Kjo e paraqet fitoren e Listës Serbe si restaurim të rendit të ligjshëm.
Albin Kurti si kërcënim dhe shkaktar i destabilitetit: Kurti akuzohet për shkelje procedurale, duke promovuar një “kukull serbe besnike ndaj Prishtinës” në pozicionin e Nënkryetarit të Parlamentit, pa mandat legjitim nga popullata joshqiptare. Po ashtu, pritet që Kurti “të tentojë të minojë” fitoren e LS-së dhe të shkaktojë “provokime të reja” para raundit të dytë.
Besnikëria dhe mbështetja ndaj Beogradit (legjitimimi i Vuçiqit): Mbështetja për Listën Serbe dëshmon “besim vazhdimisht të lartë” të serbëve të Kosovës te Presidenti serb Alleksandar Vuçiq dhe te kursi i Beogradit për mbrojtjen e interesave të “bashkëkombësve në krahinën jugore”.
Krahasimi i narrativave me mediat ruse, “RT Balkan” dhe “Sputnik Serbia”
Krahasimi i këtyre dy niveleve të komunikimit zbulon një linjë të sinkronizuar dhe strategjike: mediat bënë punën e përgatitjes së terrenit duke theksuar “presionin” dhe “uzurpimin” e pushtetit, ndërsa diplomacia ruse i shndërroi këto pretendime në argumente zyrtare për të dënuar Qeverinë e Kosovës dhe për të legjitimuar rolin e Listës Serbe dhe të Presidentit serb Alleksandar Vuçiq.
Zgjedhjet nën terror dhe presion: “RT Balkan” dhe “Sputnik” theksonin se procesi zhvillohej nën “presion dhe censurë” nga Kosova. Zakharova e konfirmoi këtë duke cituar specifikisht “tentativat për t’i mohuar regjistrimin” Listës Serbe dhe “moslejimin e gazetarëve serbë në vendvotime”, duke e pozicionuar komunitetin serb si viktimë. Këtu duhet theksuar faktin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), fillimisht kishte refuzuar akreditimin e gazetarëve të mediave në gjuhën serbe, por ishte edhe një medium në gjuhën shqipe në mesin e tyre. Më pas, ky institucion e rrëzoi vendimin paraprak duke akredituar gazetarët e këtyre mediave për monitorim të procesit zgjedhor të 12 tetorit.
Rikthimi i kontrollit të uzurpuar: Media ruse e quajti fitoren si mundësi për të “çliruar komunat e uzurpuara”. Zakharova përdori të njëjtin term “uzurpuar” për të përshkruar udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë të zgjedhur pas vitit 2023, duke e shpallur fitoren e Listës Serbe si një “hap të rëndësishëm” për të “rifituar kontrollin”.
Kurti, kërcënim antagonist: Si mediat ruse ashtu edhe Zakharova e përqendruan Albin Kurtin si burimin kryesor të destabilizimit. Zëdhënësja ruse akuzoi Kurtin për shkelje procedurale dhe paralajmëroi për “provokime të reja” para balotazhit të 9 nëntorit, duke e bërë qeverinë përgjegjëse për tensionet e mundshme.
Legjitimimi i Vuçiqit: Fitorja e Listës Serbe u lidh drejtpërdrejt nga Zakharova me “besimin vazhdimisht të lartë” të serbëve të Kosovës te Presidenti serb Alleksandar Vuçiq dhe në kursin e Beogradit. Kjo shërbeu për të legjitimuar politikën e Serbisë si të vetmen mbrojtëse të interesave serbe në Kosovë.
Në thelb, krahasimi tregon një strategji narrative të unifikuar ku media ruse përgatit terrenin me akuza për viktimizim dhe jolegjitimitet, të cilat më pas zyrtarizohen nga Ministria e Jashtme e Rusisë. Kjo e pozicionon Moskën në mbështetje të palëkundur të aksionit të Beogradit dhe Listës Serbe, duke e shfrytëzuar procesin zgjedhor si një platformë për të sfiduar legjitimitetin e institucioneve të Kosovës.
Analiza:
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova, duke iu përgjigjur pyetjeve të medias më 17 tetor 2025, konfirmoi dhe përforcoi narrativat kryesore që ishin shpërndarë nga platformat mediatike ruse, “RT Balkan” dhe “Sputnik Serbia”, gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Ajo e nisi përgjigjen e saj duke theksuar se zgjedhjet u zhvilluan nën “presion të madh” dhe “shkelje procedurale” nga Kosova, akuza këto që ishin shtylla kryesore e mbulimit mediatik rus mbi tentativat për censurë dhe pengesat ndaj Listës Serbe.
Zakharova, njësoj si mediat ruse, e interpretoi rezultatin e Listës Serbe si një “hap të rëndësishëm” për të “rifituar kontrollin” e pushtetit “të uzurpuar” në veri, duke e pozicionuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti si antagonist dhe burim të “provokimeve të reja”.
Kjo linjë e drejtpërdrejtë narrative, e cila kulmoi me theksimin e “besimit të lartë” të serbëve te Presidenti serb Vuçiq, tregon një sinkronizim strategjik: mediat ruse bënë punën e përgatitjes së terrenit duke theksuar viktimizimin, ndërsa diplomacia ruse i shndërroi këto pretendime në deklarata zyrtare.

