Të fundit | Haziri nuk ka folur për koalicion LDK-VV Të fundit | Ker-Lindsay nuk ka deklaruar se Serbia ka departament që ndikon diasporën s… Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026
[ ARTIKULLI ]

Narrativat e mediave ruse, “Russia Today Balkan” dhe “Sputnik Serbia”, lidhur me zgjedhjet lokale në Kosovë

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Mbulimi mediatik i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025 në Kosovë nga platformat ruse Russia Today Balkan dhe Sputnik Serbia shërbeu si një megafon i fuqishëm për narrativën serbe, duke e shndërruar procesin zgjedhor në “luftë ekzistenciale” kombëtare. Gjatë periudhës intensive nga 13 shtatori deri më 15 tetor 2025, me një total artikujsh prej 31 nga RT Balkan dhe 43 nga Sputnik Serbia, këto media ndërtuan një kornizë të qartë antagonistësh dhe protagonistësh. Lista Serbe u pozicionua si forca e vetme mbrojtëse, e mbështetur fuqishëm nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe në fund nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Në anën tjetër, Albin Kurti dhe institucionet e Kosovës u portretizuan si burim i “terrorit” dhe “represionit”. Intensiteti i raportimit kulmoi në prag të votimit dhe menjëherë pas shpalljes së fitores së Listës Serbe, duke shënuar mesazhin e “rikthimit të kontrollit serb” mbi komunat me shumicë serbe.

Narrativat kryesore të Sputnik Serbia dh RT Balkan:

  • Lufta ekzistenciale dhe mbijetesa kombëtare: Zgjedhjet u portretizuan si një “betejë për mbijetesën e popullit serb” kundër asimilimit, duke i dhënë votës një peshë kombëtare dhe jo thjesht lokale.
  • Presioni dhe censura institucionale nga Prishtina zyrtare: Theksi u vu në idenë e zhvillimit të zgjedhjeve nën “terror” dhe “presion” nga Qeveria e Kurtit, duke e përfshirë pengimin e akreditimit të mediave serbe dhe ndalimin e spoteve zgjedhore.
  • Rreziku i ndryshimit etnik dhe asimilimit: Përdorimi i narrativës së rrezikut demografik, me akuzat për regjistrim votuesish shqiptarë në komunat me shumicë serbe dhe formimin e koalicioneve shqiptare, u shfrytëzua për mobilizim.
  • Rikthimi i kontrollit dhe dinjitetit: Fitorja e Listës Serbe u glorifikua si triumf i “unitetit serb” dhe si mundësi thelbësore për “rikthimin e komunave veriore në duar serbe” pas një periudhe të vështirë.
  • Beogradi si mbrojtës dhe garanci: Roli i Serbisë, veçanërisht përmes Vuçiqit dhe Petkoviqit, u theksua si garantuesi i vetëm i të drejtave, mirëqenies dhe mbijetesës së serbëve në Kosovë.

Sputnik Serbia dhe zgjedhjet në Kosovë

Gjatë një periudhe intensive prej pak më shumë se një muaji, nga 13 shtatori deri më 15 tetor 2025, Sputnik Serbia ka shërbyer si një megafon i fuqishëm për narrativën serbe në lidhje me zgjedhjet lokale në Kosovë. Me 43 artikuj të publikuar, ky medium ka ndërtuar një tablo të detajuar të tensioneve, pritshmërive dhe akuzave, duke e pozicionuar veten thellësisht në mbështetje të Listës Serbe dhe politikave të Beogradit.

Sputnik Serbia

Intensiteti i artikujve të publikuar

Mbulimi i Sputnik Serbia ka shfaqur një ritëm të qartë dhe strategjik, duke kulmuar në ditët kryesore të fushatës dhe të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Që në fillim të periudhës, më 13-15 shtator, me 5 artikuj të publikuar, theksi u vu te nisja e fushatës së Listës Serbe. Në këtë fazë, mesazhi ishte i qartë: qëllimi ishte “zëvendësimi i kryetarëve ‘jolegjitimë’ të komunave në veri” dhe rëndësia e unitetit serb. Lideri i Listës Serbe, Zlatan Elek, në artikullin e 13 shtatorit, deklaroi se “vota për Listën Serbe është votë për të ardhmen, për ruajtjen e komunitetit serb dhe për rikthimin e kontrollit në katër komunat në veri”, duke vendosur menjëherë tonin për narrativën e fushatës.

Më pas, periudha e 6-10 tetorit, me 11 artikuj, shënoi intensifikim kritik të mobilizimit. Në këtë fazë, deklaratat e Petar Petkoviqit u bënë më të shpeshta dhe më të ashpra, duke nxitur pjesëmarrjen masive. Më 7 tetor, në artikullin e publikuar, ai theksoi se zgjedhjet ishin “vendimtare për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, duke bërë thirrje direkte për votim masiv. Kjo u shoqërua me përsëritjen e narrativës së rrezikut që vinte nga “regjimi i Kurtit” dhe ideja se vetëm përmes unitetit rreth Listës Serbe mund të ruhej identiteti serb. Kulmi i kësaj faze erdhi më 9 tetor, kur presidenti Vuçiq, siç raportohet në artikullin e publikuar, bëri thirrje publike për serbët që të votojnë për Listën Serbe. Ai akuzoi Albin Kurtin për “terrorizim sistematik” dhe theksoi se lufta e Listës Serbe ishte “kundër pushtimit dhe asimilimit të detyruar”, duke e lidhur procesin zgjedhor me çështje thellësisht kombëtare dhe ekzistenciale.

Faza e fundit, ajo e ditës së zgjedhjeve dhe pas saj, nga 12-15 tetori, me 11 artikuj, ishte periudha e kulmit absolut të mbulimit. Këtu u mbulua procesi i votimit, u hodhën akuza për parregullsi dhe, më pas, u festuan rezultatet. Më 12 tetor, në artikullin e publikuar, u raportuan probleme si transferimi i votuesve serbë në qendra votimi me shumicë shqiptare, gjë që u interpretua si një “tentativë për manipulim” dhe pengesë ndaj vullnetit të votuesve serbë. Megjithatë, një ditë më pas, më 13 tetor, artikulli i publikuar shpalli “fitore të qartë” të Listës Serbe në 9 nga 10 komunat me shumicë serbe, një lajm që u festua nga banorët serbë dhe u përshëndet personalisht nga presidenti Vuçiq. Kjo fije narrative theksoi “rikthimin e pushtetit lokal” dhe “mbrojtjen e të drejtave” të komunitetit serb, duke e mbyllur ciklin e raportimit me mesazhin e suksesit dhe ringjalljes.

Protagonistët dhe përshkrimi i tyre

Në skenën politike të mbuluar nga Sputnik Serbia, Lista Serbe shfaqet si protagonisti absolut, e portretizuar si “e vetmja forcë që mbron ekzistencën e serbëve në Kosovë”, siç thuhet në artikullin e 19 shtatorit. Fushata e tyre u ndërtua me kujdes mbi sloganin e unitetit dhe kthimit të komunave nën kontrollin serb. Një shembull i qartë i kësaj retorike vjen nga 13 shtatori, kur Zlatan Elek, lideri i Listës Serbe, deklaroi se vota për partinë e tij ishte votë “për të ardhmen, për ruajtjen e komunitetit serb dhe për rikthimin e kontrollit në katër komunat veriore”, duke e vendosur partinë në qendër të një misioni kombëtar.

Një figurë kyçe dhe mbështetëse thelbësore nga Beogradi ishte presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërhyrjet e të cilit rezultuan vendimtare për theksimin e rëndësisë së zgjedhjeve. Thirrja e tij e 9 tetorit, e cilësonte Listën Serbe si “të vetmen që mbron interesat e popullit serb”, duke e lidhur drejtpërdrejt procesin zgjedhor me çështjen e mbijetesës politike dhe identitare të serbëve në Kosovë. Kjo u përforcua më tej nga deklarata e Petar Petkoviqit më 7 tetor, në artikullin e publikuar. Në këtë artikull, ai theksoi se Beogradi “nuk po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Kosovë, sepse Kosova është Serbi”, duke u munduar ta legjitimojë kështu ndërhyrjen serbe si një akt brenda territorit të saj.

Petar Petkoviq, nga ana tjetër, ka qenë zëri më aktiv dhe më polemik në mbulimin e Sputnik Serbia, duke lëshuar deklarata të shumta që akuzonin Qeverinë e Kosovës dhe Albin Kurtin. Më 14 shtator, në artikullin e publikuar, ai pretendoi se dialogu në Bruksel ishte shndërruar në “një simulim nga Prishtina” dhe se Kurti kishte ushtruar “presion institucional dhe dhunë ndaj serbëve”. Petkoviq, në mënyrë të vazhdueshme, e ka paraqitur Serbinë si mbrojtësen e vetme të të drejtave të serbëve, duke stigmatizuar veprimet e Prishtinës.

Përballë këtij fronti serb, Albin Kurti dhe institucionet e Kosovës portretizohen në mënyrë konsistente si antagoniste kryesore, burim i “terrorit”, “diskriminimit”, “represionit” dhe “provokimeve”. Akuzat ndaj tyre varionin nga pengimi i pjesëmarrjes serbe në zgjedhje, te ndalimi i spoteve zgjedhore siç ndodhi më 25 shtator, e deri te heqja e mbishkrimeve në cirilikë më 2 tetor, e cila u cilësua si “provokim i qëllimshëm” dhe “akt diskriminues”. Edhe vendimi fillestar për mosakreditimin e mediave serbe, siç raportohet në artikujt e 10 tetorit, u shfrytëzua për të përforcuar narrativën e “mungesës së lirisë së fjalës”, duke pikturuar një mjedis shtypës për komunitetin serb.

Narrativat kryesore në Sputnik Serbia

Narrativat kryesore të promovuara nga Sputnik Serbia luajtën rol thelbësor në formësimin e opinionit publik serb, duke e pozicionuar çdo ngjarje zgjedhore brenda një kornize më të gjerë kombëtare dhe ekzistenciale. Një nga narrativat mbizotëruese ishte ajo e “luftës ekzistenciale dhe mbijetesëskombëtare”. Zgjedhjet nuk paraqiteshin thjesht si proces demokratik lokal, por si betejë për “mbijetesën e serbëve në vendbanimet e tyre historike”, siç shprehej në artikullin e 11 tetorit. Vota për Listën Serbe përshkruhej si një “akt rezistence kombëtare ndaj represionit të institucioneve të Kosovës”, duke i dhënë zgjedhjeve peshë shumë më të madhe se funksioni i tyre nominal, siç theksohej në artikullin e 22 shtatorit.

E lidhur ngushtë me këtë ishte narrativa e ”rikthimit të kontrollit dhe dinjitetit. Fitorja e Listës Serbe portretizohej si mundësi thelbësore për të “rikthyer komunat veriore në duar serbe” dhe për të “rrëzuar kryetarët e paligjshëm shqiptarë”, siç thuhet në artikullin e 29 shtatorit. Kjo ide u ndërthur me premisën e “rikthimit të dinjitetit, institucioneve dhe jetës normale” për komunitetin serb, duke ua ofruar votuesve një shpresë për ndryshim dhe kthim në një status-quo të dëshiruar.

Një tjetër narrativë e fuqishme dhe e përdorur gjerësisht ishte ajo e “viktimizimit të serbëve” dhe “terrorit të Kurtit”. Kjo e paraqiste komunitetin serb si viktimë të vazhdueshme të politikave të Qeverisë së Kosovës. Fjalë dhe terma si “terror”, “përndjekje”, “dhunë” dhe “diskriminim” u përdorën vazhdimisht për të përshkruar gjendjen e serbëve. Petkoviq, në artikullin e 18 shtatorit, i cilësoi planet e Qeverisë së Kosovës për leje pune dhe regjistrim si një “valë të re të përndjekjes dhe dëbimit të serbëve”, duke e vendosur Albin Kurtin si burimin kryesor të këtij “terrori” dhe tensioni.

Në kontrast me këtë viktimizim, ”Beogradi u portretizua si mbrojtës dhe garanci” për serbët në Kosovë. Roli i Serbisë, veçanërisht nëpërmjet presidentit Vuçiq, u theksua si thelbësor. Kjo u ilustrua me lajme si hapja e 400 vendeve të reja të punës në sistemin shëndetësor serb posaçërisht për serbët e Kosovës, siç raportohej në artikullin e 6 tetorit. Ky veprim u paraqit si dëshmi konkrete e “kujdesit të shtetit serb për popullin e vet”, duke përforcuar idenë se Beogradi ishte i vetmi garantues i mirëqenies dhe mbijetesës së tyre.

Së fundi, u ndërtua një narrativë e fortë për “paligjshmërinë dhe manipulimin e zgjedhjeve nga Prishtina”. Edhe pse Lista Serbe merrte pjesë në proces, zgjedhjet shpesh portretizoheshin si të manipuluara dhe të kontrolluara nga “autoritete të rreme”. Për shembull, shtypja e fletëve të votimit në Slloveni, siç thuhej në artikullin e 3 tetorit, u përdor për të forcuar narrativën e “mungesës së sovranitetit” të Kosovës dhe për të minuar besueshmërinë e procesit zgjedhor. Kjo retorikë synonte të krijonte një perceptim të padrejtësisë dhe të ngrinte dyshime mbi legjitimitetin e çdo rezultati që mund të ishte sfidues për interesat serbe.

Russia Today Balkan: 31 artikuj për zgjedhjet lokale në Kosovë

Në periudhën 13 shtator – 15 tetor 2025, dega ballkanike e agjencisë ruse të lajmeve, RT Balkan (e njohur më parë si Sputnik Serbia), publikoi një total prej 31 artikujsh që i kushtoheshin thellësisht zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke reflektuar një angazhim të lartë editorial rreth këtij procesi.

Russia Today Balkan

Intensiteti i artikujve të publikuar

Aktiviteti editorial i RT Balkan (Sputnik Serbia) për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë arriti kulmin në dy faza kyçe. Faza e parë ishte në prag të zgjedhjeve (7 – 11 tetor), ku u publikuan 7 artikuj, duke shërbyer si një fushatë intensive mobilizimi dhe kritike. Për shembull, më 7 tetor u theksua rëndësia thelbësore e votimit për Listën Serbe, me Petar Petkoviqin që bëri thirrje për pjesëmarrje masive për “rikthimin e katër komunave të veriut në duar serbe”. Në të njëjtën ditë, u raportua me shqetësim për formimin e “Aleancës Shqiptare” në Graçanicë, duke e interpretuar këtë si përpjekje për të ndryshuar përbërjen etnike. Kjo fazë u pasua nga denoncime për “veprime të paligjshme të Qeverisë së Kurtit për qëllime elektorale” dhe akuzat për arrestimin e Fatmir Shehollit si një mjet i Prishtinës për të krijuar narrativën e “rrezikut serb”.

Faza e dytë me aktivitet më të lartë ishte dita e zgjedhjeve dhe menjëherë pas saj (12 – 13 tetor), me 8 artikuj që u fokusuan në rezultatin dhe interpretimin e fitores së Listës Serbe. Më 12 tetor, menjëherë pas mbylljes së votimit, artikujt shpallën fitoren e qartë të Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat serbe, duke e paraqitur këtë si fitore të “bashkimit dhe unitetit të popullit serb”. Kjo u përforcua me mesazhe nga presidenti Vuçiq, i cili theksoi rritjen e pjesëmarrjes serbe. Më 13 tetor, u theksua se kjo fitore garanton të ardhmen dhe mbijetesën e serbëve dhe u përdor për të akuzuar autoritetet e Kosovës për maltretim dhe presion, duke e shënuar rezultatin si rikthim të kontrollit serb mbi komunat veriore. Këto dy periudha treguan një strategji mediatike të sinkronizuar: mobilizimin para votimit dhe legjitimimin e rezultatit menjëherë pas tij.

Protagonistët dhe përshkrimi i tyre

Në mbulimin e zgjedhjeve lokale nga RT Balkan, katër aktorë kryesorë përcaktuan thelbin e narrativës, duke u ndarë qartazi në blloqe. Si protagonist qendror dhe i vetmi i mbështetur u shfaq Lista Serbe (Srpska Lista). Artikujt e portretizojnë  si “përfaqësuesi i vetëm legjitim”, “mbrojtësi i unitetit” dhe “forca që do të çlirojë komunat e uzurpuara”. Lideri i saj, si Zlatan Elek, përdori retorikë nacionaliste, duke e paraqitur votën si “votë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Zëri kryesor i Beogradit ishte Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, i cili shërbente si narratori kryesor. Ai përdori vazhdimisht temat e “presionit”, “persekutimit” dhe “nevojës për mbijetesë kombëtare”, duke e cilësuar pjesëmarrjen në zgjedhje si akt mbijetese. Petkoviq akuzoi Kurtin se po përdor “masa anti-serbe“ për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe e quajti vizitën e tij në veri “provokim dhe fyerje“. Ai theksoi se fitorja e Listës Serbe garanton të ardhmen dhe mbijetesën e serbëve.

Në anën tjetër, Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës u pozicionuan si antagonistët kryesorë. Ata u akuzuan për “represion”, “politika anti-serbe”, “uzurpim të institucioneve” dhe “manipulim të procesit zgjedhor”. Për shembull, anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Dragisha Miloviq, akuzoi Qeverinë për regjistrimin e 4.500 votuesve të rinj shqiptarë në Graçanicë për të “ndryshuar strukturën etnike”, ndërsa vetë Kurti u kritikua se po përdorte “masa anti-serbe” për të parandaluar “rikthimin e kontrollit serb”.

Në fund, Aleksandar Vuçiq, lideri i Serbisë, u përmend vazhdimisht si mbështetës kyç i Listës Serbe, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe duke uruar fitoren. Ai theksoi rritjen e pjesëmarrjes së zgjedhësve serbë dhe nxori në pah se kjo fitore pasqyron bashkimin e komunitetit serb në institucionet lokale. Kështu, Vuçiq provoi të legjitimonte rolin e Listës Serbe si e vetmja zgjedhje e serbëve.

Narrativat kryesore të Russia Today Balkan

Narrativat kryesore në mbulimin e RT Balkan e shndërruan procesin zgjedhor në Kosovë në një sagë mbi fatin kombëtar.

Së pari, zgjedhjet u portretizuan si “betejë për mbijetesë” dhe “rikthim”. Votimi u paraqit jo si zgjedhje komunale, por si detyrim moral dhe politik për “mbijetesën e popullit serb në Kosovë” dhe si mjet për “rikthimin e kontrollit serb” në katër komunat në veri të Kosovës. Kjo retorikë shërbeu për të legjitimuar nevojën për pjesëmarrje të Listës Serbe pas daljes nga institucionet.

Së dyti, një element thelbësor ishte “presioni dhe censura institucionale nga Prishtina”. Artikujt theksuan vazhdimisht se zgjedhjet zhvilloheshin nën “presion” dhe “terror”. Kjo u ilustrua me akuza specifike, duke përfshirë tentativën për ndalimin e spotit të fushatës së Listës Serbe nga Komisioni i Mediave dhe vendimin fillestar të KQZ-së për të ndaluar akreditimin e mediave serbe.

Së treti, për mobilizimin etnik, u përdor narrativa e “rrezikut të ndryshimit etnik dhe asimilimit”. U pretendua se po regjistroheshin 4.500 votues të rinj shqiptarë në Graçanicë për të “ndryshuar strukturën etnike”, ndërsa formimi i “Aleancës Shqiptare” në Graçanicë u interpretua si një përpjekje e bashkuar shqiptare për të kufizuar ndikimin politik serb. Kjo u lidh me ndërhyrje administrative, si publikimi i udhëzuesit për “të huajt” (serbët) në Kosovë.

Së fundi, suksesi i Listës Serbe u glorifikua si triumf i “unitetit serb dhe dështim i Kurtit”. Fitoret në nëntë nga dhjetë komunat serbe u interpretuan si “fitore e bashkimit“ dhe u paraqitën si “dështim i regjimit të Albin Kurtit“, duke synuar injektimin e legjitimitetit serb në qeverisjen lokale pas një periudhe tërheqjeje nga institucionet.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere