Shkroi: Fatbardh Dema
“Vuqiqi më Lista Serbe: Qellimi ynë është më opoziten ta rrezojmë Qeverinë Kurti.” shkruan mbi një imazh në të cilin shihen presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të subjektit politik serb në Kosovë, Lista Serbe, dhe kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Imazhi u publikua në TikTok nga llogaria “kosova.shqiptarve” më 19 nëntor.
E vërteta?
Pas kërkimit në “Google” me fjalët “Vuçiq: Qëllimi ynë me opozitën është që ta rrëzojmë Qeverinë Kurti”, hibrid.info nuk e ka hasur këtë deklaratë të pretenduar në asnjë burim kredibil të informacionit.

Më 19 nëntor, Kuvendi i Kosovës votoi kundër mandatarit për kryeministër, Glauk Konjufca, në propozimin për formimin e Qeverisë. Konjufca mori 56 vota pro, 53 ishin kundër dhe katër deputetë abstenuan. Te partitë që votuan kundër ishin deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës Serbe.
Konjufca u mandatua më 4 nëntor nga presidentja Vjosa Osmani, pasi paraprakisht mandatari i parë, Albin Kurti, dështoi t’i siguronte votat më 26 tetor.
Kurti megjithatë ngel kryeministër në detyrë, pasi i ka skaduar mandati para zgjedhjeve të 9 shkurtit e deri tash nuk ka pasur formim të Qeverisë së re.
Më 20 nëntor, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe caktoi 28 dhjetorin si datë të re të zgjedhjeve.
Pretendime për deklarata të ngjashme të Vuçiqit për lidhje të Listës Serbe me opozitën në Kosovë ka pasur edhe në të kaluarën. Hibrid.info pati trajtuar përmbajtje të ngjashme edhe në shkurt sivjet si dhe në prill.
Analiza:
Në TikTok është publikuar një pretendim i rremë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se me Listën Serbe “qëllimi është që me opozitën ta rrëzojmë Qeverinë Kurti”.
Pas verifikimit të fakteve, nuk është gjetur asnjë burim kredibil i informacionit në të cilin do të mbështetej ky pretendim.
Si rrjedhojë, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.