Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një fotografi ku shfaqen veçmas portretet e liderëve të partive politike që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë (PDK, LDK dhe AAK) në Kosovë, ndërsa në qendër të imazhit ndodhet ai i presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në përmbajtjen e publikuar dje (16 prill) nga faqja “Kosova Channel” në Facebook, është vendosur mbishkrimi që pretendon se presidenti serb ka deklaruar, “Qeverinë do e formojmë ne, Lista Serbe bashkë me opozitën”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim apo fakt që Vuçiq të ketë deklaruar publikisht atë që pretendohet.

Ky postim i “Kosova Channel” është shpërndarë nga faqja e portalit informativ “KosovaPost.net” (shih këtu).
Për shkak të interaktivitetit më të madh, hibrid.info ka marrrë për bazë shpërndarjen e “KosovaPost.net”.
Ndonëse nuk saktësohet në mbishkrim, fakti që në fotografi shfaqen portretet e kandidatëve për kryeministër nga radhët e partive opozitare nga legjislatura e kaluar në Kosovë dhe përmendet Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, hibrid.info vlerëson se deklarata e pretenduar e Vuçiq ka të bëjë me formimin e qeverisë në Kosovë.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit, “Google”, me fjalët kyçe, “aleksandar vučić srpska lista”, duke specifikuar periudhën kohore për përmbajtjes e javës së fundit, por nuk ka gjetur që deklarata e pretenduar të jetë publikuar nga burime kredibile (shih këtu).
Gjithashtu, hibrid.info ka hulumtuar edhe me anë të “Naslovi.net”, motor i kërkimit i specializuar për faqet e informacionit në Serbi. Pas kërkimit me fjalët kyçe, “Aleksandar Vučić”, rezultatet nuk kanë shfaqur artikuj që raportojnë që presidenti serb të ketë thënë çfarë pretendohet (shih këtu).
Më 18 shkurt, hibrid.info ka publikuar trajtimin që i është bërë një përmbajtjeje që pretendonte se Vuçiqi, këmbëngulte për një koalicion të partive opozitare shqiptare në Kosovë me Listën Serbe dhe pa Lëvizjen Vetëvendosje (shih këtu).
Për të faktuar se ky pretendim nuk qëndronte, hibrid.info kishte publikuar deklaratën e Vuçiq (10 shkurt), pas rezultateve zgjedhore në Kosovë, ku ai shprehej se, “nuk dëshiron” të spekulojë apo “të ndërhyjë në marrëdhëniet ndërshqiptare”, por se kushdo që do ta formonte një qeveri me Albin Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht” (shih këtu).
Kjo është deklarata e vetme publike e Vuçiqit për formimin e qeverisë në Kosovë, që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Analiza:
Pretendimi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se, qeveria në Kosovë do të formohet nga Lista Serbe dhe opozita (PDK, LDK dhe AAK), është i paqëndrueshëm.
Pas hulumtimit nga disa motorë kredibil të kërkimit, nuk është hasur asnjë fakt që konfirmon se deklarata e pretenduar, të jetë thënë nga Vuçiq.
Bazuar në meotodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.