Shkroi: Etrit Rexhepi
Në Kosovë zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor të këtij viti. Këto zgjedhje pritet të monitorohen nga një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE). Në platformat ruse “Russia Today Balkan” dhe “Sputnik Serbia” janë publikuar dy artikuj ku pretendohet se dihen anëtarët e këtij delegacioni që do të monitorojë zgjedhjet në Kosovë.
Në artikullin e “Russia Today Balkan” të titulluar, “RT Balkans zbulon: Kush përbën ekipin e vëzhgimit të zgjedhjeve të Këshillit të Evropës në Kosovë dhe Metohi, përfshirë miken e Kurtit” dhe në artikullin e “Sputnik Russia” me titullin “Vihet në pikëpyetje legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë, pasi vëzhguesit paraqiten si miq të ngushtë të Kurtit” pretendohet se vëzhguesit ndërkombëtarë që do monitorojnë zgjedhjet në Kosovë nuk janë neutralë pasi që ata janë miq personalë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përkrahës të shtetësisë së Kosovës dhe të lidhur me qeveritë që mbështesin Prishtinën.
Narrativat kryesore
Në artikuj pretendohet se misioni vëzhgues i Këshillit të Evropës (KiE) nuk është neutral sepse ekipi përbëhet nga persona janë “pro-Kosovë”, “pro-Kurti” ose “pro-shtetësisë së Kosovës”.
Artikujt pretendojnë se anëtarët e misionit janë “miq personalë të Albin Kurtit”, duke përmendur konkretisht Sabina Çudiq (BiH), për të cilën theksohet se ka marrëdhënie miqësore me Kurtin, duke e përmendur një vizitë private të kryeministrit në detyrë në shtëpinë e saj.
Një tjetër anëtar i mundshëm i këtij komisioni, Mehmed Akalin nga Turqia, përshkruhet si “përkrahës i armatosjes së Prishtinës” ose permendet narrativa që “Turqia furnizon me armë Kosovën”. Ndërsa për anëtarit tjetër Giorgos Stamatis nga Greqia, i përmendet votimi i tij pro raportit të Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Të dy artikujt artikulojnë një tjetër pretendim politik se institucionet evropiane dhe misionet e tyre “gjithmonë janë kundër Serbisë”. Ky misioni i monitorimit të zgjedhjeve shitet si instrument i BE-së ose Këshillit të Evropës për të favorizuar Kosovën.
Duke i paraqitur si përkrahës të Kosovës, në këto përmbajtje pretendohet se ky delegacion nuk do t’i shohë apo nuk do t’i raportojë shkeljet ndaj serbëve dhe se zgjedhjet do të legjitimohen pavarësisht “parregullsive”. Kjo narrativë lidhet me narrativën e përgjithshme se institucionet ndërkombëtare po vazhdojnë të mbyllin sytë ndaj “shkeljeve që po u bëhen serbëve në Kosovë”, duke mos respektuar as standardet e veta.
RT Balkans
Në artikull pretendohet se lista nuk është përfundimtare, andaj delegacioni serb ende po përpiqet të gjejë në ekip një anëtar me qasje më realiste dhe të bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Aty theksohet se po ashtu, pritet edhe votimi për zgjedhjen e shefit të misionit.
Sabina Çudiq, përfaqësuese nga Bosnja dhe Hercegovina dhe anëtare e grupit ALDE në Këshillin e Evropës, paraqitet në media si mike e afërt e Albin Kurtit. Aty tregohet se ajo ka postuar më herët se e ka pritur Kurtin në shtëpinë e saj në Sarajevë, duke e përshkruar si një takim miqësor me biseda për tema të ndryshme. Artikulli kritikon që ajo nuk përmend incidentet ndaj serbëve në Kosovë. Gjithashtu përmendet se ajo ka mbështetur liberalizimin e vizave për qytetarët e Bosnjës nga Kosova dhe ka përkrahur sanksionet e Estonisë ndaj Milorad Dodikut. Shkrimi e vë në dukje edhe bashkëshortin e saj, aktorin Alban Ukaj, për të cilin thuhet se është nga Kosova dhe citohet në deklarata kritike ndaj qeverisë së Republika Srpskas.
Për Mehmed Akalin nga Turqia, gjithashtu anëtar i grupit ALDE, pretendohet ai pritet të mbështesë Prishtinën në proces, si dhe anëtarësimin e saj në KiE, për shkak të marrëdhënieve të ngushta Ankara–Prishtinë dhe mbështetjes së Turqisë për Kosovën.
Për anëtarin tjetër të supozuar të misionit vëzhgues, deputetin grek Giorgos Stamatis, përmendet se si ai votoi pro raportit që Kosova të pranohet në KiE. Në tekst tregohet se edhe pse Greqia nuk e njeh Kosovën, Dora Bakoyannis po ashtu nga ky vend, mbështeti rekomandimin që Kosova të pranohet në KiE.
Sputnik Serbia
Artikulli i këtij mediumi ka cituar historianin Aleksandar Lukiq, i cili thotë se lista e vëzhguesve nuk është befasuese dhe se nuk duhet pritur neutralitet nga organizatat evropiane, pasi sipas tij ato dominohen nga ndikimi perëndimor që zakonisht mban qëndrime kundër interesave serbe. Ai argumenton se kjo logjikë shihet edhe te komisionerët e Bashkimit Evroian, të cilët, edhe kur vijnë nga vende që nuk e njohin Kosovën, veprojnë sipas politikave të përgjithshme të BE-së. Sipas Lukiq, vetë BE sillet si të ishte Kosova shtet i pavarur, pasi 22 prej vendeve anëtare e kanë njohur atë.
Lukiq, i cili thotë se ky rast është vetëm një shembull tjetër i politikave që, sipas tij, dëmtojnë interesat e serbëve dhe shtetësinë serbe. Ai thekson edhe faktin se mbetet për t’u parë kush do të jetë shefi i misionit vëzhgues. Artikulli ngjashëm si i “RT Balkans” përmend Sabina Çudiq, deputete nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila përshkruhet si mike e Albin Kurtit.
Artikulli në fund, duke cituar “RT Balkan”, jep informacione për përbërjen e delegacionit të vëzhguesve dhe tregon qëndrimet e përfaqësuesve grekë.
Faktet
Lista e delegacionit të vëzhguesve të KiE ende nuk është zyrtare. Përbërja përfundimtare dhe emri i shefit të misionit do të vendoset më vonë, prandaj çdo pretendim për anshmëri të delegacionit mbetet i pakonfirmuar. Nga njoftimet në uebfaqen e Asamblesë Parlamentare të KiE nuk është hasur asnjë publikim që konfirmon përbërjen e këtij delegacioni (shih këtu).
Por, në kalendarin e ngjarjeve të këtij institucioni konfirmohet se më 28 dhjetor një komisioni do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës (shih këtu).
Në të dy artikujt pretendohet se BE-ja me institucionet e saj përkrah Kosovën në dëm të Serbisë, por për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga pesë vende, ky institucion vazhdon të jetë neutral në raport me statusin e vendit tonë.
Kjo theksohet në të gjitha rastet kur i referohet Kosovës.

Sipas një artikulli që tregon për monitorimin e zgjedhjeve nga KiE, aty tregohet se kjo bëhet përmes dërgimit të misioneve të posaçme në vende që janë subjekt i dialogut të monitorimit ose aplikojnë për anëtarësim.
Misionet ndahen në një delegacion paraprak dhe një delegacion të plotë gjatë ditës së zgjedhjeve, i cili ndjek procesin e votimit e numërimit dhe bashkëpunon me partnerë të tjerë ndërkombëtarë si OSCE/ODIHR dhe parlamentet e tjera.
Për të qenë vëzhgues duhet të plotësohen kriteret e paanshmërisë dhe përfaqësimit të drejtë sipas Udhëzimeve për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Asambleja Parlamentare. Kjo tregon se një anëtar i misionit nuk është i dërguar për të përfaqësuar politikisht vendin e tij apo intereset personale, por është pjesë e një misioni ndërkombëtar që monitoron procesin zgjedhor në përputhje me standardet demokratike. Roli i tij është të vlerësojë zgjedhjet përmes metodologjive të miratuara, jo të veprojë në interes të një pale.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të KiE për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë, vlerësoi se ato u zhvilluan pa tensione dhe treguan angazhimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Procesi ishte pluralist, me pjesëmarrje të komuniteteve shumicë dhe pakicë, duke përfshirë votuesit serbë.
Ata vlerësuan punën e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe komisioneve lokale, duke nënvizuar bashkëpunimin profesional pavarësisht ndasive politike. Pavarësisht disa mangësive dhe një mjedisi të polarizuar të karakterizuar nga retorikë gjithnjë e më e ashpër, zhvillimi i qetë, i rrjedhshëm dhe gjithëpërfshirës i zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe përkushtimi ndaj demokracisë i demonstruar nga votuesit përfaqësojnë një hap pozitiv drejt përafrimit të vendit me standardet e KiE. (shih këtu).

