Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë periudhës 22–27 dhjetor 2025, mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u përballën me intensifikim të ndjeshëm të keqinformimit, ku lajmet e rreme dhe shtrembërimi i fakteve zunë rol qendror, veçanërisht në përmbajtjet e ndërlidhura me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Gjatë kësaj periudhe, lajmet e rreme u shpërndanë kryesisht në Facebook, përmes faqeve dhe llogarive jozyrtare si “Luftari Spartak”, “Podujeva Sot”, “Çelësi i Suksesit”, “Prishtina Online”, “Shadervani” dhe “Gazeta Premium”. Tematikisht, keqinformimi u përqendrua në zgjedhjet parlamentare, duke përfshirë pretendime të rreme për mbështetje politike nga figura publike si Rifat Jashari, sondazhe të fabrikuara për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë dhe diasporë, rezultate të rreme të exit poll-eve në ditën e zgjedhjeve, si dhe deklarata të sajuara që i atribuoheshin presidentit amerikan Donald Trump. Po ashtu, u shpërndanë pretendime të pavërteta për ndalimin e një furgoni me para nga Serbia, të cilat nuk u konfirmuan nga asnjë institucion zyrtar.
Gjatë të njëjtës periudhë, në Facebook u shpërndanë edhe përmbajtje mashtruese që synonin manipulimin e opinionit publik përmes imazheve të rreme dhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Një rast përfshinte publikimin e një fotografie të manipuluar nga llogaria “Haki Sadri Rugova”, ku pretendohej se kryeministri në detyrë Albin Kurti shfaqej pranë Millan Radoiçiqit, person i kërkuar për sulmin në Banjskë. Verifikimi i hibrid.info dëshmoi se fotografia ishte e rreme dhe se imazhi origjinal paraqiste presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me Radoiçiqin. Po ashtu, në grupin “DIASPORA me ALBININ” u publikuan imazhe që pretendohej se tregonin fabrika të municioneve dhe dronëve luftarakë në Kosovë, të shoqëruara me mesazhe në favor të kryeministrit. Edhe këto pamje rezultuan të jenë të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe jo reale. Këto raste tregojnë përdorimin e manipulimeve vizuale për të ndikuar narrativat politike dhe perceptimin publik gjatë periudhës zgjedhore.
Gjatë kësaj periudhe u identifikuan edhe raste të përmbajtjeve të paverifikuara, teorive konspirative dhe titujve mashtrues (clickbait), të shpërndara kryesisht në rrjete sociale dhe media online. Një rast përfshinte publikimin e një imazhi nga faqja “Kojshia Show – Sadri Imeri”, ku Agim Pllashniku paraqitej duke mbajtur një fotografi që pretendohej se tregonte Dejona Mihailin me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq. Verifikimi i hibrid.info konfirmoi se fotografia ishte e gjeneruar me inteligjencë artificiale. Ndërkohë, në kanalet serbishtfolëse në Telegram “Српски Инат” dhe “КОРИДОР” u shpërndanë teori konspirative se inspektorë shqiptarë po ushtronin presion ndaj barnatoreve serbe për mbyllje, pretendim që nuk u mbështet nga asnjë burim kredibil. Po ashtu, u identifikua edhe një rast clickbait nga mediumi “klankosova.tv”, ku një artikull i bazuar në raportim të Reuters-it u titullua në mënyrë tendencioze, duke ia atribuuar drejtpërdrejt kryeministrit në detyrë Albin Kurti përgjegjësinë për krizën, ndonëse kjo nuk pasqyronte përmbajtjen reale të raportimit origjinal.
Gjatë kësaj periudhe u publikua edhe një lajm i rremë/mashtrim që kishte të bënte me pretendimin për hapjen e Urës së Ibrit. Në Facebook qarkulloi një video e shpërndarë nga faqet “Mitrovica Press” dhe “Insajderi”, e shoqëruar me mbishkrimin “Lajmi i Fundit: Hapet Ura e Ibrit”, ku paraqiteshin pamje të zhbllokimit të hyrjes së urës. Megjithatë, verifikimi nga hibrid.info tregoi se pamjet mund të jenë të manipuluara dhe nuk dëshmojnë realisht hapjen e urës, duke e bërë këtë përmbajtje një rast tipik të dezinformimit dhe mashtrimit të publikut.
Përmbajtje e paverifikuar
Publikohet një imazh ku shihet Agim Pllashniku, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), duke treguar një fotografi që e mban në duar. Përmbajtja e publikuar të shtunën (20 dhjetor) në Facebook nga faqja me emrin “Kojshia Show – Sadri Imeri”, ka mbishkrimin “Agim Pllashniku zbulone foton e Dejona Mihalit me ish Kryeministren Serbe Bernabiq”. Fotografia të cilën e ka ndarë Pllashniku, me titullin “Dalin fotot e Dejona Mihajlit me Kryeministren e Serbisë!“, ku shihet kordinatorja për komitete në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihaili dhe kryetarja e parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, është e gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA). (këtu)
Teori konspirative
Kanalet në gjuhën serbe në Telegram “Српски Инат” (Inati serb) dhe “КОРИДОР” (Korridor), përmes një postimi të publikuar të hënën (22 dhjetor) kanë pretenduar se “Aktualisht në KM inspektorët terroristë shqiptarë po i vizitojnë barnatoret serbe, jozyrtarisht mësojmë se atyre u është dhënë një afat për mbylljen e barnatoreve”. Pretendimi se inspektorë shqiptarë po vizitojnë barnatoret serbe dhe se atyre u është dhënë një afat për mbyllje, nuk mbështetet në asnjë fakt. Pas hulumtimit online, nuk është gjetur asnjë raportim nga media apo burime kredibile, as në gjuhën shqipe e as në atë serbe, që do ta konfirmonin një zhvillim të tillë. (këtu)
Clickbait
Publikohet një artikull i titulluar “Reuters: Fitorja e Kurtit rrezikon përsëritjen e krizës njëvjeçare në Kosovë”. Përmbajtja me këtë titull është publikuar të hënën (22 dhjetor) në mediumin “klankosova.tv”. Hibrid.info vërejti se raportimit të Reuters-it i është vendosur një titull që sugjeron përgjegjësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për krizën në vend, ndonëse artikulli origjinal paraqet shqetësime të shprehura nga analistë dhe aktorë politikë, e jo qëndrim editorial të Reuters-it. (këtu)
Mashtrim
Në median sociale Facebook u publikua një imazh në mbishkrimin e së cilës shkruan “Lajmi i Fundit :Dalin fotot e Kurtit me Millan Radojenqiqin”. Postimi u publikua nga llogaria me emrin “Haki Sadri Rugova”. Në këtë imazh paraqitet kryeministri në detyrë Albin Kurti afër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, njëherësh person i shpallur në kërkim nga drejtësia në Kosovë për agresionin në Banjskë, Millan Radoiçiq. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se fotografia nuk është reale. Në fotografinë origjinale shihet presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq me Radoiçiqin. (këtu)
Në grupin “DIASPORA me ALBININ” në Facebook, të hënën (22 dhjetor) u publikua një postim që përmban dy imazhe, ndërsa në përshkrim pretendohet se pamjet paraqesin fabrikën e municioneve dhe të prodhimit të dronëve luftarakë. “Fabrik Munocjonesh + Prodhim të Dronëve Luftarak … ehhh te Lumt ALBIN KURTI”, shkruan në përshkrimin e këtij postimi, që u publikua në këtë grup nga llogaria me emrin “Met’i Kosova”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se këto imazhe nuk janë reale. Ato janë gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale (IA). (këtu)
Lajm i rremë
Publikohet një imazh ku shfaqet Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit, komandantit dhe themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me mbishkrimin që paraqet një deklarim të tij, nëpërmjet të cilit pretendohet se ai kërkon mbështetje për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (22 dhjetor) nga një llogari në Facebook me emrin “Luftari Spartak”. Pas publikimit të këtij pretendimi, Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim kredibil që do të konfirmonte deklaratën e pretenduar. (këtu)
Është publikuar një sondazh që pretendon se paraqet mbështetjen e subjekteve politike nga Kosova në diasporë. Mirëpo, në bazë të trajtimit nga hibrid.info, del që ai nuk është i besueshëm, pasi të njëjtit i mungojnë informata si burimi dhe metodologjia e realizimit, gjë që e bën atë të dyshimtë. (këtu)
Faqja “Podujeva Sot” në Facebook ka publikuar një përmbajtje nëpërmjet së cilës ka pretenduar rrejshëm se bëhet fjalë për sondazh online për zgjedhjet parlamentare. Në artikull janë dhënë shifra në përqindje për disa nga subjektet politike në Kosovë. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, duke kërkuar me fjalët kyçe përqindjet që janë vënë në artikullin e lartcekur, u vërtetua se asnjë matje për zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk është publikuar në ndonjë burim kredibil të informacionit. Gjithashtu, përmbajtjes i mungojnë të dhënat themelore të nevojshme, për t’u konsideruar si sondazh. (këtu)
Përmes një postimi të publikuar të shtunën (27 dhjetor) në Facebook nga faqja “Çelësi i Suksesit”, pretendohet se presidenti amerikan Donald Trump u është drejtuar qytetarëve të Kosovës, duke i ftuar të votojnë për një Kosovë demokratike, pa krim dhe korrupsion. Po ashtu, në këtë përmbajtje thuhet se ai ka deklaruar se është i gatshëm për bashkëpunim me qeverinë e re për përfundimin e dialogut me Serbinë, me njohje të pavarësisë së Kosovës. I njëjti pretendim më pas u publikua edhe nga faqja tjetër në Facebook “Prishtina Online”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info u vërtetua se kjo deklaratë nuk është bërë kurrë nga presidenti amerikan. (këtu)
Janë publikuar dy përmbajtje që pretendojnë të paraqesin rezultatet e exit poll-eve për mbështetjen e subjekteve politike në Kosovë, në ditën e zgjedhjeve parlamentare (e diel, 28 dhjetor) deri në orën 11. Njëra përmbajtje është publikuar të nga një faqe në Facebook me emrin “Shadervani”, ndërsa tjetra u publikua nga faqja me emrin “Gazeta Premium”. Përmbajtjet që pretendohet të paraqesin rezultate të exit poll-eve, nuk janë të besueshme. (këtu)
Përmes një postimi të publikuar më 27 dhjetor në Facebook pretendohet rrejshëm se Policia e Kosovës ka ndaluar një furgon nga Serbia me mbi 2 milionë euro dhe rreth 1 milion dinarë serb, të dyshuara për blerje votash. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se ky informacion nuk është konfirmuar as nga Policia e Kosovës dhe as nga media kredibile. Gjithashtu, fotografia e përdorur në postim nuk lidhet me rastin e pretenduar. E njëjta është shkrepur në vitin 2023 dhe është publikuar nga Europol, në kuadër të një aksioni kundër trafikimit të drogës në Ballkan. Po ashtu, në njoftimet zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook dhe në raportet 24-orëshe të këtij institucioni për datat 26 dhe 27 dhjetor, nuk ka asnjë raportim për ndalim të një transporti ilegal të parave nga Serbia. (këtu)
Lajm i rremë/Mashtrim
Publikohet një video-material ku shfaqen pamje duke u zhbllokuar hyrja para një ure, me mbishkrimin “Lajmi i Fundit: Hapet Ura e Ibrit”. Kjo përmbajtje është publikuar të shtunën (27 dhjetor) në Facebook nga dy faqe me emrat “Mitrovica Press” dhe “Insajderi”. Hibrid.info gjeti se në këtë përmbajtje ku shihet teksa po hapet ura kryesore e Ibrit, mund të ketë ndërhyrje dhe mund të jetë e manipuluar. (këtu)