Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Narrativat dezinformuese ruso-serbe për Kosovën gjatë vitit 2025

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë vitit 2025, zyrtarët dhe mediat serbe e ruse kanë intensifikuar fushatat e dezinformimit ndaj Kosovës, duke u fokusuar në shtrembërimin e fakteve historike, proceset zgjedhore dhe modernizimin ushtarak. Këto narrativa synojnë të portretizojnë Kosovën si një faktor destabilizues dhe të viktimizojnë komunitetin serb për qëllime politike.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025

Në prag të këtyre zgjedhjeve, mediat ruse si Sputnik dhe zyrtarët serbë si Petar Petkoviq ndërtuan një narrativë që e portretizonte Albin Kurtin si lider që po shfrytëzon idenë e “Shqipërisë së Madhe” për përfitime elektorale. Shfaqja e simboleve kombëtare shqiptare në tubimet e Lëvizjes Vetëvendosje, si flamuri me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, u interpretua si “përqafim” i bashkimit territorial, edhe pse Kurti në fjalimet e tij publike nuk e përmendi asnjëherë këtë ide. Përkundrazi, fushata e tij u fokusua në kritikat ndaj qeverisjeve të kaluara, rritjen e punësimit dhe luftën kundër bandave kriminale në veri, duke kërkuar integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës.

Paralelisht, zyrtarët serbë si kryeministri Milosh Vuçeviq dhe Petar Petkoviq e akuzuan Kurtin për nxitje të “histerisë antiserbe” dhe për thirrje direkte për luftë e urrejtje. Ata pretenduan se LVV-ja synonte eliminimin politik të Listës Serbe përmes ndërhyrjeve në këshillat e votimit dhe frikësimit institucional. Megjithatë, faktet tregojnë se deklaratat e Kurtit lidhur me armatimin kishin të bënin me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të shtetit dhe nuk përmbanin gjuhë urrejtjeje ndaj qytetarëve serbë.

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025

Zgjedhjet lokale u shndërruan nga Beogradi në betejë për “mbijetesë kombëtare”, ku vota për Listën Serbe u paraqit si akt besnikërie ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq. Mediat ruse si RT Balkan dhe Sputnik Serbia publikuan dhjetëra artikuj duke e cilësuar procesin si “luftë ekzistenciale” kundër asimilimit dhe “terrorit” të Kurtit. Zyrtarët serbë nxitën mobilizimin etnik “nën një flamur të vetëm”, duke pretenduar se fitorja e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat serbe ishte hap drejt “rifitimit të kontrollit të uzurpuar” mbi veriun.

Në sinkron me këtë fushatë, zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova, promovoi narrativën se zgjedhjet u zhvilluan nën kushte censure dhe presioni masiv institucional. Ajo e portretizoi komunitetin serb si viktimë të “provokimeve” të Prishtinës dhe akuzoi Kurtin për emërimin e “kukullave serbe” në institucione pa mandat legjitim. Mediat afër qeverisë serbe, si alo.rs, e glorifikuan rezultatin si një mjet që “shfuqizoi aparteidin e Kurtit”, duke e paraqitur pjesëmarrjen e serbëve si referendum për legjitimitetin e ndikimit të Beogradit në Kosovë.

Armatimi i FSK-së: Dronët “Skydagger” dhe autoblindat “ASV”

Furnizimi i FSK-së me mijëra dronë luftarakë “Skydagger” nga Turqia u paraqit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq si “shkelje brutale e Rezolutës 1244” dhe si ëndërr turke për rikthimin e Perandorisë Osmane. Zyrtarët serbë pretenduan se ky armatim do të përdorej për të shtypur serbët në veri, duke e cilësuar si përgatitje për luftë. Megjithatë, Rezoluta 1244 nuk e pengon furnizimin me armë të Kosovës si shtet i pavarur, dhe FSK-ja po modernizohet sipas standardeve të NATO-s për qëllime thjesht mbrojtëse.

Ngjashëm u trajtua edhe dorëzimi i 50 automjeteve të blinduara (ASV) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Analistët dhe mediat serbe, si “Novosti”, pretenduan se këto mjete do të shërbenin për “eksod të heshtur” dhe represion gjatë protestave të serbëve. Ambasada Amerikane dhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës sqaruan se mjetet janë pjesë e programit EDA për forcimin e kapaciteteve operacionale mbrojtëse, por narrativa serbe vazhdoi t’i portretizonte si mjete ofensive kundër popullsisë civile.

Aleanca ushtarake Kosovë–Shqipëri–Kroaci

Nënshkrimi i një deklarate për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në Tiranë u interpretua nga mediat serbe si një “Pakt trilateral kundër Serbisë”. Të përditshmet si “Novosti” dhe “Politika” ngritën narrativa se kjo aleancë përfaqëson “Patkua ushtarak” rreth Serbisë dhe se synon një “zgjidhje ushtarake” në Ballkan. Sipas tyre, ky bashkëpunim është pjesë e një strategjie historike anti-serbe që kërkon të destabilizojë rajonin.

Në realitet, marrëveshja fokusohet në edukim ushtarak, luftimin e kërcënimeve hibride dhe blerjen e përbashkët të armatimit nga SHBA-ja për të reduktuar kostot. Ministrat e mbrojtjes të tri vendeve theksuan se ky hap nuk është kërcënim për askënd, por një përpjekje për integrim euroatlantik. Megjithatë, media ruse “Sputnik” vazhdoi të pretendonte se kjo aleancë është e orientuar kundër popullit serb në tërësi, përfshirë edhe Republikën Srpska në Bosnje.

Lidhja e “skenarit të Kurtit” me protestat në Serbi

Zyrtarët serbë u përpoqën të lidhnin tragjedinë e Novi Sadit dhe dorëheqjen e kryeministrit serb Millosh Vuçeviq me Albin Kurtin. Petar Petkoviq pretendoi pa asnjë provë se Kurti mbështet protestat e opozitës në Beograd me qëllim që të “copëtojë Serbinë”. Tabloidët serbë, duke u mbështetur në deklaratat e presidentit Vuçiq, i cilësuan mediat e Kosovës dhe ato kroate si instruktore të revolucioneve në Serbi.

Në mars 2025, kur opozita serbe hodhi bomba tymuese në Kuvendin e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe mediat si Novosti e Informer e quajtën këtë “skenar të Kurtit”. Ata pretenduan se lideri i opozitës, Dragan Gjilas, po zbatonte urdhrat e Prishtinës për të destabilizuar shtetin serb. Kjo narrativë konspirative synonte të diskreditonte opozitën e brendshme duke e portretizuar atë si bashkëpunëtore të “kriminelëve shqiptarë” kundër interesave të Serbisë.

Mbyllja e institucioneve paralele

Mbyllja e kompanisë paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut u pasqyrua nga Beogradi si një “akt i dhunshëm” dhe provokim që rrezikon shëndetësinë dhe arsimin në veri. Marko Gjuriq dhe Petar Petkoviq pretenduan se ky veprim synonte nxitjen e shpërnguljes së serbëve. Mirëpo, ministrja Artane Rizvanolli sqaroi se mbyllja ishte hap drejt sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve nga KRU Mitrovica, në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

Në të njëjtën kohë, mediat serbe përdorën karikatura dhe pamje të manipuluara për të paraqitur Kurtin sikur po u ndërpret ujin qytetarëve serbë për motive politike. Ky proces i integrimit të institucioneve paralele në sistemin kushtetues të Kosovës u portretizua si “represion”, ndonëse ai synon ofrimin e shërbimeve të standardizuara për të gjithë qytetarët pa dallim etnie.

Fabrikimi i incidenteve në veri

Rrjeti propagandistik Pravda shpërndau një video të manipuluar ku pretendohej se shqiptarët po ndiznin zjarre në lagjen “Kodra e Minatorëve” për të dëbuar serbët. Ky narrativ i rremë u publikua vetëm tri ditë pasi Policia e Kosovës kishte arrestuar një banor lokal serb (Z.M., 42 vjeç) si të dyshuar të vetëm të zjarrvënies. Megjithëse nuk kishte motiv etnik, media ruse e shndërroi ngjarjen në një “strategji të organizuar shqiptare” kundër popullatës serbe.

Gjithashtu, sulmi me granata ndaj Postës së Kosovës në Zveçan u paraqit nga mediumi serb “Politika” si “operacion sekret i Kurtit” i asistuar nga shërbime inteligjente evropiane. Këto shkrime pretendonin se Kurti po harton strategji të “flamurit të rremë” (False Flag) për të provokuar konflikte dhe për t’ia faturuar ato Serbisë. Policia e Kosovës konfirmoi se sulmi ishte vepër penale e “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe autoritetet po punojnë për identifikimin e autorëve të panjohur që hodhën granatat M-75.

Manipulimi i historisë dhe Trazirat e Marsit 2004

Zyrtari serb Arnaud Gouillon shpërndau shifra të pasakta lidhur me trazirat e marsit 2004, duke pretenduar shkatërrimin e 150 kishave dhe dëbimin e 10,000 serbëve. Të dhënat nga OSBE, UNMIK dhe ICOMOS vërtetojnë se numri i objekteve fetare të dëmtuara ishte rreth 35-36, ndërsa institucionet e Kosovës kanë investuar miliona euro në restaurimin e tyre. Ky dezinformim synon të krijojë një narrativë të rreme për një “përballje civilizuese” mes myslimanëve shqiptarë dhe të krishterëve serbë.

Një tjetër pretendim i Gouillon ishte se serbët përbënin 60% të popullsisë një shekull më parë, ndërkohë që të dhënat historike nga Noel Malcolm tregojnë se shqiptarët përbënin rreth 82% në fillim të shekullit XX. Ai tentoi ta paraqiste rritjen e numrit të serbëve përmes politikave të kolonizimit si një gjendje natyrale historike. Këto narrativa përdoren për të justifikuar termin e pasaktë “spastrim etnik”, pavarësisht se serbët në Kosovë gëzojnë të drejta të garantuara dhe përfaqësim të gjerë institucional.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere