Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar artikuj që pretendojnë për një sulm të ndodhur ndaj Policisë së Serbisë, në fshatin Parada pranë Kurshumlisë në Serbi, dy ditë para publikimit të këtyre përmbajtjeve.
Përmbajtjet e publikuara të premten (6 shkurt) nga mediat në gjuhën serbe, kanë pretenduar se bëhet fjalë për disa sulmues me kombësi shqiptare, që qëlluan në drejtim të Policisë serbe me më shumë se 100 plumba dhe ikën në drejtim të territorit të Kosovës.
Tekstet me këtë pretendim janë gjetur të publikuara në disa media si “novosti.rs”, “blic.rs”, “b92.net”, “mondo.rs”, “pravda.rs”, “dnevnik.rs” dhe “resetka.rs”.
A është i saktë pretendimi?
Hibrid.info gjeti se pavarësisht raportimit nga mediat në gjuhën serbe, nuk ka konfirmime zyrtare nga institucionet në Serbi, as për ngjarjen e as për autorët.

Në artikuj pretendohet gjithashtu se forcat e sigurisë kanë hasur pemë të rrëzuara që bllokonin rrugën, duke ua pamundësuar lëvizjen më tej.
Në brendësi të këtyre artikujve, për këtë pretendim, autorët nuk u janë referuar burimeve zyrtare apo atyre publike. Përveç kombësisë së autorëve të dyshuar, për të cilën në këto raportime pretendohet se është shqiptare, aty mungojnë të dhënat për numrin e personave të dyshuar apo identitetin e tyre.
Për shkak se është pretenduar për sulm ndaj Policisë së Serbisë, që është institucion vartës i Ministrisë së Punëve të Brendshmet të këtij shteti, hibrid.info ka hulumtuar në uebfaqen e kësaj ministrie.
Në njoftimet e këtij burimi informacioni, nuk është hasur asnjë publikim që konfirmon ngjarjen e ndodhur (shih këtu).
Hibrid.info po ashtu ka gjetur edhe artikuj të publikuar në media tjera në gjuhën serbe, ku është raportuar ngjarja. Në “telegraf.rs” dhe “euronews.rs” janë paraqitur pretendimet e njëjta, por pa u specifikuar kombësia e autorëve të dyshuar.
Për këtë pretendim është raportuar edhe nga mediat në gjuhën shqipe, të cilët kanë theksuar në tituj dhe brenda përmbajtjeve se bëhet fjalë për pretendim nga mediat në gjuhën serbe (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Pretendimi se autorët e një sulmi ndaj Policisë së Serbisë pranë Kurshumlisë janë shqiptarë, nuk është i konfirmuar.
Mediat që kanë raportuar ngjarjen nuk u janë referuar burimeve zyrtare dhe publike dhe nuk kanë publikuar të dhëna për identitetin e të dyshuarve.
Gjithashtu, ngjarja nuk është konfirmuar as nga institucionet zyrtare në Serbi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.