Të fundit | Sondazhi i rremë paraqitet si i realizuar nga një televizion Të fundit | Vazhdon publikimi i videove të gjeneruara me IA lidhur me zgjedhjet Të fundit | Kurti nuk tha se studentët shqiptarë gabuan që protestuan në Shkup dhe se M… Të fundit | Dëmtimi i një ambulance serbe në një fshat të Vushtrri paraqitet pa prova s… Të fundit | Postimet nuk sqarojnë se rritja e çmimit të bukës ka ndodhur në Maqedoninë… Të fundit | Spiropali nuk ka thënë se Vjosa Osmani, krerë të PDK-së dhe Baton Haxhiu ja… Të fundit | Pretendim i rremë se janë konfirmuar rastet e para të hantavirusit në Kosov… Të fundit | Si ndikojnë influencuesit politikë në zgjedhje? Të fundit | Video të gjeneruara me IA të ndërlidhura me zgjedhjet po qarkullojnë në med… Të fundit | Sondazh i rremë në emër të një kolegji universitar
[ ARTIKULLI ]

Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI)

HIBRID

Artikull nga EU vs Disinfo

Armët kryesore në sulmet ndaj shoqërive demokratike nuk janë më tanket apo raketat. Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI) është bërë një nga sfidat kryesore të sigurisë dhe politikës së jashtme të viteve 2020, së bashku me kërcënimet e tjera hibride. Edhe pse termi mund të tingëllojë teknik, kërcënimi është shumë konkret: ai i referohet përpjekjeve të koordinuara nga regjime autoritare për të shtrembëruar debatin publik, për të ndikuar zgjedhjet dhe për të minuar besimin në institucionet demokratike.

Ky artikull shpjegon se çfarë është FIMI, si dallon nga dezinformimi, si përdoret nga aktorët keqdashës për të ndikuar shoqëritë perëndimore dhe pse kuptimi i këtyre operacioneve është thelbësor për qëndrueshmërinë demokratike.

Çfarë është FIMI?

Bashkimi Evropian (BE) e përkufizon FIMI si sjellje të koordinuar dhe mashtruese nga aktorë të huaj, e projektuar për të manipuluar mjedisin informativ të një shteti tjetër. Në terma të thjeshtë:

FIMI i referohet fushatave të huaja, armiqësore dhe të fshehta që synojnë të formësojnë atë që njerëzit mendojnë, besojnë apo frikësohen, pa qenë të vetëdijshëm për këtë.

Elementet kryesore janë:

  • Origjina e huaj: Operacioni drejtohet nga aktorë jashtë shoqërisë së synuar, shpesh një shtet ose një organizatë e lidhur me shtetin. Inteligjenca ushtarake ruse, rrjetet mediatike shtetërore të Kinës apo njësitë kibernetike iraniane hyjnë në këtë kategori.
  • Manipulimi i hapësirës informative: Fushatat FIMI targetojnë mediat, platformat sociale, aplikacionet e komunikimit, motorët e kërkimit dhe komunitetet online. Ato ndërthurin përmbajtje reale me histori të fabrikuara, narrativa mashtruese, rrjedhje selektive të informacionit dhe nxitës emocionalë.
  • Metoda mashtruese: Këto fushata mbështeten në llogari të rreme, bot-e, organizata front, financim të fshehtë, media proxy, amplifikim joautentik dhe gjithnjë e më shumë në përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
  • Qëllimi për ndërhyrje: Qëllimi nuk është vetëm shpërndarja e informacioneve të rreme, por ndërhyrja në zgjedhje, në proceset e politikëbërjes, në opinionin publik dhe në kohezionin shoqëror. FIMI është një instrument i konkurrencës gjeopolitike dhe i luftës hibride.


Luftimi i FIMI nuk synon të kufizojë lirinë e shprehjes, por ta mbrojë atë

Është me rëndësi të theksohet se përpjekjet për të luftuar FIMI nuk përbëjnë përpjekje për censurë ndaj individëve apo pikëpamjeve të tyre personale. Në demokracitë liberale, çdo person ka të drejtë të ketë një mendim, edhe nëse ai është faktikisht i pasaktë apo politikisht i debatueshëm. Shqetësimi lind vetëm kur ekziston një veprim i koordinuar, mashtrues dhe manipulues me origjinë të huaj, i cili synon të shtrembërojë debatin publik ose të minojë proceset demokratike. Adresimi i FIMI ka të bëjë me mënyrën – pra me taktikat manipuluese dhe infrastrukturën që përdoret nga shtete armiqësore – dhe jo me përmbajtjen – pra shprehjen e individëve.

Si dallon FIMI nga dezinformimi

Edhe pse shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjellë në debatin publik, “dezinformimi” dhe FIMI nuk janë e njëjta gjë.

Nga pikëpamja metodologjike, FIMI mbështetet fillimisht në vëzhgimin e sjelljes, dhe jo vetëm të përmbajtjes apo narrativave.

  • Dezinformimi – Përshkruan përmbajtje të rreme ose mashtruese të krijuar apo shpërndarë me vetëdije. Mund të prodhohet nga kushdo: aktorë të huaj apo vendorë, shtete, organizata apo individë.
  • FIMI – Përshkruan sjellje të koordinuar dhe manipuluese nga aktorë të huaj, që përdorin metoda mashtruese për të ndërhyrë në mjedisin informativ të një shoqërie tjetër.

Dallimi kryesor është:

  • Dezinformimi fokusohet te përmbajtja
  • FIMI fokusohet te aktori dhe sjellja e tij

Kjo do të thotë se fushatat FIMI mund të përfshijnë edhe fakte të vërteta të paraqitura në mënyrë mashtruese, narrativa që amplifikojnë pakënaqësi ekzistuese, apo përmbajtje që nuk është teknikisht e rreme, por që zmadhohet përmes gjuhës emocionale. FIMI mbështetet në manipulim.

Ky ndryshim konceptual është i rëndësishëm, sepse qeveritë demokratike nuk mund t’i kundërvihen këtyre kërcënimeve vetëm përmes verifikimit të fakteve. Ato duhet të kuptojnë rrjetet, metodat, financimin dhe qëllimet strategjike që qëndrojnë pas këtyre fushatave.

Përfundim

FIMI përfaqëson evolucionin e propagandës moderne – një formë e koordinuar dhe e përforcuar nga teknologjia e ndërhyrjes së huaj, që synon vetë themelet e shoqërive demokratike. Ndërsa dezinformimi fokusohet te vetë informacioni i rremë, FIMI na mundëson të kuptojmë strategjinë më të gjerë: rrjetet, qëllimet dhe sjelljet që qëndrojnë pas fushatave të ndikimit armiqësor.

Ky është një përkthim i pjesshëm i artikullit të publikuar nga EUvsDISINFO. Për arsye redaktoriale janë përzgjedhur vetëm disa pjesë. Artikulli origjinal mund të gjendet këtu.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere