[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformatë për indeksin e perceptimit të korrupsionit, clickbait për mandatin e Lajçakut, imazhe të pa verifikuara rreth konfliktit Izrael-Hamas
shape
shape
shape
EDU

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e artikujve clickbait në ekosistemin keqinformues.

Artikujt clickbait u publikuan në portale informative dhe media sociale lidhur me pretendimin se i ka përfunduar mandati emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak; për parashikim të motit; aksidente dhe vdekje, ngjarje këto të cilat nuk kishin të bënin me Kosovën e që nuk bëhej e ditur në titujt e artikujve.

Përmbajtjet e pa verifikuara kanë zënë vend në media sociale, konkretisht në disa faqe në Facebook, ku janë publikuar fotografi të fëmijëve në Gaza e që kanë rezultuar të jenë gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Clickbait/dezinformatë është vlerësuar një artikull i vjetër lidhur me ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë nga Qeveria e Kosovës.

Dezinformatat janë publikuar në portale informative dhe ato të dyshimta në gjuhën shqipe dhe media në gjuhën serbe. Në portale të dyshimta u dezinformua për kompensimin e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), për diferencën e pagës; në portale informative u dezinformua me pretendimin se Kosova është renditur në pozitën më të mirë në Ballkan, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023; ndërsa në mediat në gjuhën serbe u publikua dezinformata se britanikët dërgojnë shqiptarët e Kosovës në luftë në Ukrainë.

Dezinformatë/Clickbait u vlerësua një artikull me titull “NATO largohet nga Kosova/ Ja çfarë kërkoi ish emisari amerikan”.

Në portale informative u raportua gabimisht rreth numrit të viteve të dënimit me burg për katër të akuzuarit për terrorizëm.

Teori konspirative nga portale informative në gjuhën shqipe me pretendimin se lufta është e pashmangshme; dhe nga mediat në gjuhën serbe, se plaçkitjet në vendbanimet me shumicë serbe po kryhen për të pamundësuar çdo lloj jete normale për serbët.

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh në të cilin paraqiten dy fëmijë duke fjetur në baltë brenda një tende. Këtij imazhi i është vënë mbishkrimi “Natën e mirë nga Gaza”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky imazh nuk është real dhe se i njëjti është krijuar me anë të inteligjencës artificiale. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë  publikuar një imazh në të cilin paraqiten dy fëmijë duke fjetur në baltë brenda një tende. Këtij imazhi i është bashkëngjitur edhe mbishkrimi “Fli i qetë nuk janë fëmijët e tu, janë fëmijët e Gazës!”. Pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, është vërtetuar se ky imazh nuk është real dhe se është krijuar me anë të inteligjencës artificiale (AI). (këtu)

Clickbait

Një portal informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “E rëndë/ Gjendet e pajetë një foshnjë e porsalindur në tualetin e një lokali, dyshohet se…”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja dhe se fotografia e publikuar nga ky portal nuk ka të bëjë me rastin e ndodhur. Lajmi qartësohet vetëm në fund të artikullit, ku thuhet se “DCI James Entwistle, nga Policia e West Yorkshire, i bëri thirrje urgjentisht nënës që të kontaktojë me ta ose të kërkojë ndihmë mjekësore”. (këtu)

Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “Live News” ka publikuar një artikull me titull “Shi, breshër dhe stuhi, ja si do të jetë moti për sot dhe nesër në…” Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli ka të bëjë me parashikimin e motit në Shqipëri dhe se i njëjti është i vjetër. Pra, faqja e lartcekur ka publikuar një artikull për parashikimin e motit të datës 3 nëntor, të cilin e ka paraqitur si aktual. (këtu)

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar në median sociale Facebook një artikull përmes titullit të së cilit pretendohet se ka përfunduar mandati i të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Hibrid.info, pas hulumtimit dhe verifikimit të fakteve ka vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. Lajmi sqarohet vetëm në përmbajtje të artikullit ku thuhet “Diplomatit sllovak pritet t’i përfundojë mandati përpara qershorit, dhe nuk dihet nëse për të do të ketë zgjatje të serishme të përgjegjësisë, pasi BE-në e pret një proces zgjedhor gjithashtu”. (këtu)

Një portal informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Aksident i frikshëm/ Autobusi plot me pasagjerë përplaset ‘kokë më kokë’ me kamionin, raportohet për të plagosur”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e artikullit, ku thuhet “Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Turqi, ku si pasojë e përplasjes së një autobusi pasagjerësh me një kamion, 19 persona kanë mbetur të plagosur”. (këtu)

Një faqe në median sociale Facebook ka publikuar një fotografi me mbishkrimin “I dashuri gjerman rrah kosovaren në Prishtinë / Lexo lajmin e plote ne koment”, duke i bashkëngjitur një vegëz për të klikuar në siç thuhet aty “lajmin e plotë”. Pas klikimit në vegëzën e dhënë në koment, hapet një artikull i vjetër i publikuar më 19 korrik të vitit 2023. (këtu)

Clickbait / Dezinformatë

Një faqe në median sociale Facebook ka publikuar një fotografi me mbishkrimin “Qeveria e vendosur, mallrat serbe nuk lejohen të hyn në Kosovë , as transit”, duke i bashkëngjitur një vegëz për të klikuar në siç thuhet aty “lajmin e plotë”. Pas klikimit në vegëzën e dhënë në koment, hapet një artikull i vjetër i publikuar më 17 korrik të vitit 2023. Pas verifikimit dhe hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i dhënë është i vjetër dhe nuk qëndron. (këtu)

Dezinformatë

Portali i dyshimtë me emrin “Skenderaj Press” ka publikuar një artikull, me anë të cilit pretendohet se ka filluar kompensimi i pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), për diferencën e pagës, bazuar në rregulloren për rritjen e pagave të pjesëtarëve të FSK-së, sipas gradave të tyre. Portali në fjalë këtë pretendim e bën me anë të titullit, ndërsa në përmbajtje tregohet se pjesëtarët e FSK-së po e kërkojnë kompensimin e këtyre pagave. Hibrid.info ka verifikuar dhe ka vërtetuar se ekziston një vendim gjyqësor në favor të pjesëtarëve të FSK-së, por kompensimi i tyre nuk ka filluar. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “happytv.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se britanikët dërgojnë shqiptarët e Kosovës në luftë në Ukrainë. Pretendimi i referohet një postimi në rrjetin social X (ish-twitter) të llogarisë së Ambasadës Britanike në Kosovë, ku bëhet e ditur për pjesëmarrjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në trajnimin e quajtur INTERFLEX. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesë e trajnimit, por pjesëtarët e këtij institucioni nuk do të dërgohen në luftë për Ukrainë. (këtu)

Portali “Lecanton27.ch” i vetëquajtur si “gazeta e parë zvicerane në gjuhën shqipe” ka publikuar më 31 janar një postim në faqen zyrtare në Facebook me pretendimin se Kosova është renditur në pozitën më të mirë në Ballkan, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023 të publikuar nga Transparency International. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk është i saktë, pasi që në këtë ranglistë, sa i përket shteteve të Ballkanit, Kroacia zë pozitën më të mirë. (këtu)

Dezinformatë / Clickbait

Portali informativ me emrin “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “NATO largohet nga Kosova/ Ja çfarë kërkoi ish emisari amerikan”. Ndërsa në përmbajtje, portali ka raportuar mbi një deklarim të ish – emisarit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se pjesa e informacionit në titull, që tregon se NATO është larguar nga Kosova, nuk qëndron dhe po ashtu nuk pasqyron as përmbajtjen e këtij artikulli. (këtu)

Gabim

Portali informativ “Paparaci.com” ka publikuar një artikull me titull “Mbi 35 vite burgim ndaj katër të akuzuarve për terrorizëm”. I njëjti pretendim është përmendur edhe në përmbajtje të këtij artikulli. Por pas verifikimit, është vërtetuar se pretendimi mbi dënimin e të katër akuzuarve, është paraqitur gabimisht, pasi në fakt hibrid.info ka vërtetuar se ata janë dënuar me 30 vite e gjysmë burgim. (këtu)

Teori konspirative

Portali informativ “Botasot.info” ka publikuar më 27 janar një artikull me titull “’Lufta është e pashmangshme’, eksperti austriak jep parashikimin e keq: Kosova dhe ky shtet të bëhen gati – ja planet e ekstremistëve serbë!”. Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet deklarata e austriakut Gunther Fehlinger, të cilit portali i lartcekur i referohet si “ekspert i sigurisë”. Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se Fehlinger nuk është ekspert sigurie, siç pretendohet në artikullin e Botasot.info, por i njëjti është ekonomist. (këtu)

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka publikuar me datë 3 shkurt një komunikatë lidhur me plaçkitjen e, siç thuhet, zyrës së Postës së Serbisë në fshatin Uglarë afër Fushë Kosovës. Për rastin e plaçkitjes, ky institucion është deklaruar se veprimi është kryer si “pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Kurtit për heqjen e dinarit në Kosovë” dhe “për të pamundësuar çdo lloj jete normale për serbët”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në këtë komunikatë, kjo zyrë nuk ofron fakte që e mbështesin pretendimin lidhur me qëllimin dhe kryesit e kësaj vepre. (këtu)

Share With Others